Ndërlidhjet

Shoqata e Prokurorëve: Blakaj s’ka shprehur asnjë kërcënim


Ish-prokurori special, Elez Blakaj.
Ish-prokurori special, Elez Blakaj.

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka bërë të ditur se ish-prokurori Elez Blakaj, nuk ka shprehur asnjë shqetësim apo kërcënim që ka të bëjë me punën e tij.

Sipas kësaj shoqate, deklarimet publike të prokurorit të dorëhequr, janë për t’i mbuluar interesat e tij personale.

“Deri më tani, asnjë prokuror i sistemit prokurorial të Kosovës, duke përfshirë dhe ish-prokurorin Blakaj, nuk ka shprehur asnjë shqetësim, qoftë si kërcënim apo si ndikim në punën e tij të pavarur dhe të paanshme nga kushdo qoftë. Andaj, deklarimet publike për kinse kërcënimet dhe ndikimet brenda sistemit prokurorial, janë për të mbuluar interesat e tij personale apo të kujtdo tjetër”, thuhet në këtë reagim.

Po ashtu, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës “zotohet se do të reagojë më fuqishëm, duke kërkuar përgjegjësi nga prokurorët që me veprimet e tyre dëmtojnë imazhin e sistemit prokurorial, interesat e qytetarëve dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës”.

Në këtë reagim, kjo shoqatë shpreh shqetësim të madh për situatën e krijuar në sistemin prokurorial pas dorëheqjes së prokurorit special, Elez Blakaj, i cili po merrej me rastin e veteranëve.

“Menaxhmenti i sistemit prokurorial nuk mund të degradohet nga qarqet e caktuara politike, apo individë të caktuar nga shoqëria civile, sepse kjo konsiderohet ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e pavarur të sistemit prokurorial dhe tendencë për t’i dëmtuar hetimet në rastet e caktuara penale”, thuhet në reagimin e shoqatës.

Reagimi i nënshkruar nga kryetari i kësaj shoqate, Haxhi Dërguti, bën të qartë se “Shoqata e Prokurorëve të Kosovës mbështet fuqishëm punën e çdo prokurori individualisht dhe organeve menaxhuese të sistemit prokurorial, si dhe dënon çdo tendencë për të denigruar përkushtimin e secilit prokuror në mënyrë individuale dhe kolektive, gjë që është plotësisht e papranueshme dhe nuk i ndihmon zbatimit të Ligjit në Republikës e Kosovës”.

Qytetarë dhe shoqëria civile në Kosovë, ditën e mërkurë kanë mbajtur një protestë duke kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, por i njëjti ka thënë se nuk do të dorëhiqet pavarësisht presionit publik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG