Ndërlidhjet

Statuti i Asociacionit mbetet në sirtarët e Brukselit


Mitrovica e veriut
Mitrovica e veriut

Bashkimi Evropian nuk i ka ftuar ende delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi që të diskutojnë në lidhje me draft-statutin e propozuar nga ekipi menaxhues për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian vetëm kanë konfirmuar se ende nuk ka ndonjë datë kur do të diskutohet kjo çështje. Po ashtu, edhe zyrtarët në Qeverinë e Kosovës, thonë se nuk kanë informatë se kur mund të zhvillohet takimi i radhës në nivelin teknik.

"Ende nuk kemi ndonjë ftesë zyrtare për takim", tha shkurt zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi.

Në anën tjetër, analistët politikë thonë se delegacioni i Kosovës në këto bisedime do të duhej të jetë i përgatitur dhe të mos pranojë, sic thonë ata, ndonjë dokumentet pune në tavolinë për të cilin nuk dihet se çfarë përmban.

Qeveria e Kosovës nuk e ka aktualisht draftin e propozuar nga ekipi menaxhues, por i posedon vetëm procesverbalet e takimeve. Drafti, ndërkaq, i është dorëzuar Bashkimit Evropian. Ekipi menaxhues përbëhet vetëm nga katër përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se çdo dokument që hedhet në tavolinë për tu diskutuar në këtë proces, paraprakisht duhet të shqyrtohet nga ekipet e Kosovës që marrin pjesë në bisedimet në Bruksel.

"Pala e Kosovës, në ketë rast Avni Arifi, shef i delegacionit teknik, duhet për këtë çështje të respektojë dinjitetin e vet institucional dhe të mos pranojë debat për asnjë dokument i cili nuk është shqyrtuar ose që nuk ka mandat të Qeverisë së Kosovë ose që nuk është në harmoni më Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës", tha Tahiri.

Sipas politologut Tahiri, ekipit menaxhues i cili ka hartuar draft-statutin, ka shumë gjasa që nuk e ka respektuar fare mendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i cili kishte konstatuar se shumë nene që ishin propozuar me marrëveshjen e fundit për Asociacionin binin ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

"Ai draft-statut duhet të bëhet statut në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht në Qeverinë e Kosovës. Qeveria dhe Kuvendi e kanë për obligim të respektojnë mendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të mbrojnë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në vend", tha Tahiri.

Edhe analisti tjetër politik, Artan Muhaxhiri tha se institucionet e Kosovës, duhet të jenë të kujdesshme e të përgatitura mirë në rastin kur do të diskutohet draft-statuti për Asociacionin.

"Pala kosovare nuk do të duhej as të bisedonte për ketë temë nëse kërkesat e palës serbe janë maksimale dhe e cenojnë kushtetutshmërinë e shtetit të Kosovës. Pra, nuk do të duhej as edhe për një sekondë të bisedohet me palën serbe dhe as të pranohet si temë nëse ky draft është në përputhje me dëshirën e shtetit të Serbisë dhe kundër vlerave dhe normave institucionale të Kosovës”, tha Muhaxhiri.

“Edhe Bashkimit Evropian i konvenon që të respektohen marrëveshjet e nënshkruara dhe një marrëveshje e tillë është që çdo draft t'i nënshtrohet vlerësimit juridik të Gjykatës Kushtetuese. Pra, në asnjë mënyrë nuk do të duhej të bisedohej nëse një gjë e tillë tentohet të ndryshohet tani", tha Muhaxhiri.

Ndërkohë, njëri nga anëtarët e ekipit menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka thënë për Radion Evropa e Lirë se "baza për formimin e Asociacionit të komunave serbe është ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës dhe miratimi i ligjeve të veçanta në mënyrë që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive. Për ketë është rënë dakord në Bruksel".

Zyrtarët në institucionet e Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se Kosova nuk e ka ndërmend ta ndryshojë Kushtetutën për t’i futur kompetencat e Asociacionit brenda saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG