Ndërlidhjet

Prania më e madhe e grave në politikë, urë që vështirë kalohet


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Jeta Aliu, studente në fakultetin e Shkencave Politike në vitin e tretë, ëndërron të punojë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, por ajo thotë se e ka të vështirë sepse ky profesion dominohet nga meshkujt.

Sipas saj, dominimi i gjinisë mashkullore tashmë shihet edhe në fakultet.

“Unë jam në përfundim të studimeve në Shkenca Politike, dhe nuk është që shoh ndonjë perspektivë të madhe në të ardhmen, për shkak se meshkujt dominojnë. Unë si femër, besoj që do të jem e dominuar, tashmë ndjehem e dominuar në disa raste edhe në fakultet. Por, nuk kam çfarë të bëj, ky është realiteti jonë”, thotë Jeta, e cila për momentin punon në një sallon të bukurisë.

Gratë sot gëzojnë të drejtën e votës, shkollimit, punësimit dhe shumë të tjera. Por, në shtetin e Kosovës, prania e gruas në organet vendimmarrëse nuk është në nivelin e duhur.

Në Kuvendin e Kosovës, 30 për qind e deputetëve janë gra. Mirëpo, prej 30 komunave në Kosovë, asnjëra nga to nuk udhëhiqet nga një grua. Gjithashtu, vetëm një ministri udhëhiqet nga një grua.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën për Hulumtime dhe Studime Gjinore, tha për Radion Evropa e Lirë se përfaqësimi i gruas në sferën politike nuk është i mjaftueshëm, dhe sipas saj, shteti i Kosovës ka bërë një kthim prapa, për sa i përket çështjeve gjinore.

“Kosova ka një kthim prapa, sepse në vitet e mëhershme kishim disa gra të cilat ishin më të zëshme, më të dukshme në sferën publike, në jetën politike. Ndërsa tani kemi vetëm 30 përqindëshin në Parlament, i cili është i pamjaftueshëm që çështjet gjinore ose avancimi i barazisë gjinore të jetë më i dukshëm. Duke marrë parasysh që gratë janë aq të papunësuara, dhe aq jo të përfshira në jetën publike, kjo e ka degraduar gjithë këtë sistem, sepse, përfshirja e grave në jetën publike dhe politike është realisht krejt e padukshme", thotë Demolli.

Gjithashtu, Demolli thekson se besimi i grave ndaj politikës dhe partive politike në Kosovë, është tejet i ulët dhe se dita ditës edhe dukë rënë edhe më shumë.

"Ka ardhur ajo kohë kur besimi i grave në Kosovë nuk do të jetë më, ai besim që partitë politike do të ndryshojnë, sepse, premtimet në kohën e fushatave zgjedhore kanë qenë tejmase të shprehura. Ka pasur premtime të partive politike që do të qeveriset 50 me 50, gra dhe burra do të qeverisin në mënyrë të barabartë, dhe për që shkon degradimi deri në këtë masë, ne nuk e kemi menduar", shton Demolli.

Ndërsa, Arijeta Rexhaj, drejtoreshë e Qendrës për Trajnime dhe Studime Gjinore, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se forumet e grave dhe formacionet e ndryshme duhet të bëhen më aktive, në mënyrë që roli i gruas në vendimmarrje të jetë më aktiv dhe më prezent në shoqërinë kosovare.

"Forumet e grave, formacionet e ndryshme, koalicionet, grupacionet duhet të bëhen funksionale, dhe të forcohen në mënyrë që të luajnë rol aktiv në rritjen e pjesëmarrjes së gruas në jetën politike, e posaçërisht në pozitat vendimmarrëse", tha Rexhaj.

Sipas Rexhajt, Qeveria është ajo që duhet të krijojë kushte të barabarta për të dyja gjinitë.

"Pikërisht është Qeveria ajo që duhet të ishte garantues dhe zbatuese e krijimit të kushteve të barabarta për të gjithë. Por, po e shkelë këtë zotim dhe standard, me vetëm një ose dy gra, sa janë të përfshira në këtë Qeveri. Mirëpo, për fat të keq edhe mandateve të kaluara, i kemi pas maksimum vetëm dy gra në pozita vendimmarrëse", tha Rexhaj.

Haradinaj dhe kabineti i tij Qeverisës duke bërë betimin. Në Qeverinë e kryeministrit Haradinaj, vetëm një grua mban postin e ministres.
Haradinaj dhe kabineti i tij Qeverisës duke bërë betimin. Në Qeverinë e kryeministrit Haradinaj, vetëm një grua mban postin e ministres.

Ligji për barazi gjinore, obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në pozita vendimmarrëse, ndërsa 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë të gjinisë femërore.

Pozita më e lartë e mbajtur ndonjëherë nga ndonjë grua në Kosovë është nga Atifete Jahjaga, e cila ishte presidente e vendit nga viti 2011 deri në vitin 2016.

Për studenten Jeta Aliu, të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk janë aspak premtuese. Sipas të dhënave të fundit nga kjo agjenci, mbi 65 për qind e të rejave në Kosovë janë të papuna.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG