“Fondacioni Jahjaga” do të fokusohet kryesisht në fuqizimin e grave në integrimin dhe avancimin e tyre në shoqëri, si dhe gjithashtu me çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në vend, veçanërisht me dukuritë negative si luftimin e korrupsionit, por edhe me adresimin e çështjeve të ekstremizmit të dhunshëm, thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, themeluese e “Fondacionit Jahajaga”.
Radio Evropa e Lirë: Zonja Jahjaga, këto ditë ju keni themeluar “Fondacionin Jahjaga”. Cili është fokusi dhe qëllimi i këtij fondacioni?
Atifete Jahjaga: Misioni dhe vizioni i këtij fondacioni do të jetë mbështetja dhe avancimi i mëtutjeshëm i proceseve demokratike dhe zhvillimit demokratik në vendin tonë. Ky fondacion do të përkrahë projekte që do të punojnë drejtpërdrejt me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe do të fokusohet në disa fusha, të cilat janë të ndërlidhura kryesisht me avancimin e pozitës së gruas dhe të vajzave e djemve të rinj të Kosovës. Do të fokusohet, gjithashtu, me çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në vend, veçanërisht me dukuritë negative si luftimin e korrupsionit, po ashtu me adresimin e çështjeve të ekstremizmit të dhunshëm, me çështjet që kanë të bëjnë me të kaluarën tonë në vend, por edhe si rajon e që ndërlidhen me çështjet e pajtimit.
Që pas shpalljes së Pavarësisë së vendit tonë, ne kemi shënuar progres, sidomos sa i përket avancimit të pozitës së gruas, dhe them vetëm në aspektin e kornizave ligjore, e që kemi ligje që janë të avancuara për pozitën e gruas, por kemi ngecje në implementimin në jetën e përditshme të këtyre ligjeve duke filluar nga e drejta e pronës, ku vetëm 1 për qind e grave në Kosovë e gëzojnë të drejtën e tyre ligjore sa i përket pronës.
Pastaj aspekti i dhunës ndaj gruas e që është alarmant, çështja e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, pastaj çështja e qasjes në shëndetësi e edukim, ku gruaja ende konsiderohet si zgjedhje e dytë sidomos kur ka të bëjë me edukim dhe avancim të mëtutjeshëm ndaj gruas në shoqëri.
Gjithashtu, çështja e të rinjve në Kosovë, e që unë e kam potencuar se kapitali që ne e kemi janë djemtë dhe vajzat e reja, ku mbi 61 për qind të popullsisë e kemi nën moshën 25-vjeçare, dhe mua më dhemb kur ata mundohen që të ardhmen e tyre ta shohin jashtë Kosovës dhe kjo nuk është zgjidhje pasi Kosova nuk do të ketë një zhvillim të qëndrueshëm nëse të rinjtë ikin jashtë vendit.
Pastaj çështja e sigurisë, korrupsionit dhe e ekstremizmit të dhunshëm e që është një ndër parakushtet themelore që nga procesi i liberalizimit të vizave e deri te proceset e integrimeve evropiane dhe euroatlantike duke mos e përmendur që janë të ndërlidhura pikë së pari me jetën e përditshme të qytetarëve tonë, si çështja e korrupsionit nepotizmit e që është bërë një pengesë për zhvillimin e vendit tonë.
Ne kemi pasur një të kaluar të dhimbshme dhe duhet të ndërtojmë një të ardhme tjetër dhe një bashkëjetesë tjetër me të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe me rajonin, pasi e ardhmja jonë është drejt integrimeve evropiane dhe neve duhet, pikë së pari ta ndërtojmë atë mirëbesim ndërmjet vete që të jemi vlerë e shtuar drejt integrimeve evropiane.
Radio Evropa e Lirë: Sa besoni që përmes këtij fondacioni do të mund të ndikohet në përmirësimin e pozitës së grave në shoqërinë kosovare dhe avancimin e të drejtave të tyre që të jenë pjesë e barabartë e shoqërisë?
Atifete Jahjaga: Unë, si presidente e Republikës së Kosovës, i kam pasur shumë për zemër dhe kanë qenë një ndër fokuset kryesore për pesë vite si presidente, dhe pas përfundimit të mandatit kam vazhduar të jap kontributin tim në përmirësimin e jetës dhe gjendjes në përgjithësi të grave dhe të rinjve. Këtë fondacion do ta përdorim si platformë, e që do të vazhdojmë të ndërtojmë aktivitete që i kam filluar si presidente dhe të vazhdoj tutje e mos t’i lë në gjysmë.
Qëllimi tjetër është se do ta lëmë një trashëgimi tjetër që edhe shtresa politike në vend, por edhe qytetarët, të mund t’i ndërtojnë këto trashëgimi e që kanë fokusin kryesor në avancimin e proceseve që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe që avancojnë proceset e vendit në tërësi.
Radio Evropa e Lirë: Keni qenë mjaft aktive edhe në çështjet që kanë të bëjnë me gratë e dhunuara gjatë luftës, si viktima për të cilat keni kërkuar mbrojtje dhe ndihmë nga shoqëria. Çfarë mund të bëjë shteti i Kosovës për këtë kategori?
Atifete Jahjaga: Çështja e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, unë them se është një ndër vendimet që më bën të ndihem krenare gjatë gjithë mandatit tim si presidente e Kosovës. Kjo për faktin sepse të gjithë këta të mbijetuar, qofshin gra, qofshin burra, kanë qenë nën mëshirën e askujt që nga përfundimi i luftës. Dhe, për turpin tonë, si shoqëri i kemi mbuluar, apo kemi vendosur mbi secilën viktimë atë vellon e turpit, dhe duke bërë me gisht ndaj secilës viktimë padrejtësisht, në vend që të bëjmë me gisht ndaj atyre që e kanë kryer atë vepër makabër.
Dhe, pas 15 vjetësh të përfundimit të luftës, deri sa është krijuar Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale, që unë e kam udhëhequr për një vit e gjysmë në mandate, ne kemi pasur këtë temë si një temë tabu për shoqërinë tonë. Ne kemi vazhduar me stigmatizimin e skajshëm të gjithsecilës viktimë të dhunës seksuale gjatë luftës dhe asnjëherë duke mos pasur qasje që t’i ofrojmë përkrahje dhe mbështetje individuale dhe deri tek ajo institucionale.
Këshilli ka kryer një punë jashtëzakonisht të madhe, duke filluar nga njohja e statusit ligjor të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, pastaj me procesin e rehabilitimit dhe risocializimit të mëtutjeshëm dhe ri-integrimit të tyre në shoqëri.
Unë jam dhe kam qenë gjithmonë falënderuese për punën e jashtëzakonshme që organizatat joqeveritare, sidomos organizatat e grave kanë bërë që nga përfundimi i luftës. Ato e kanë përmbushur një vakuum të madh që institucionet e vendet nuk e kanë pasur atë pas përfundimit të luftës. Unë, prej se kam ardhur, jam munduar që të ndërtoj dhe të vendos një qasje dhe përkujdesje institucionale, ndaj të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Duhet të jemi falënderues edhe për vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës, në fund të vitit 2017, i cili i ka hapur rrugë procesit të verifikimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Dhe, nga 5 shkurti i këtij viti, ka filluar procesi i aplikimit. Unë besoj se ky proces do vazhdojë në tempon e filluar deri më tani. Gjithmonë kam inkurajuar, dhe shfrytëzojë rastin që t’i inkurajoj dhe t’u bëj thirrje të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të aplikojnë për statusin e tyre ligjor.
Por, çfarë ne kemi ngecur dhe ende jemi duke ngecur si shoqëri dhe institucione, është që të adresojmë çështjen e qasjes në drejtësi apo adresimit të kësaj kulture të mosndëshkimit, sepse që nga përfundimi i luftës ne ende nuk e kemi as të vetmin rast, i cili është dënuar dhe ka marrë dënimin e merituar për këtë krim të luftës, sepse nuk duhet të harrojmë se dhunimi është përdorur si mjet lufte në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: Dhe, në fund, zonja Jahjaga, mendoni se një ditë do t’i ktheheni sërish politikës? Keni ndonjë plan në këtë rrafsh?
Atifete Jahjaga: Shpeshherë kam thënë, që nga përfundimi i mandatit tim si Presidente e Republikës së Kosovës, që unë do të jem gjithmonë aty për qytetarët e vendit dhe për shtetin tim. Pa marrë parasysh çfarë funksioni, çfarë detyre apo çfarë iniciative marr, gjithmonë kjo do të jetë në interes dhe në funksion të avancimit të pozitës së qytetarëve tanë.
Facebook Forum