Ndërlidhjet

Opozita në kërkim të formulës për zgjedhje të parakohshme


Kuvendi i Kosovës, foto arkivi
Kuvendi i Kosovës, foto arkivi

Opozita në Kuvendin e Kosovës vazhdon të kontestojë legjitimitetin e qeverisë aktuale të Kosovës, por zyrtarisht nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë drejt ngritjes së ndonjë mocioni të mosbesimit, sado që kjo çështje përmendet si mundësi reale.

Në Kuvendin e Kosovës, opozita po tregohet mjaft aktive. Vetëm për seancën e kësaj jave, opozita ka ftuar në katër interpelanca kryeministrin Ramush Haradinaj.

Përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike e Kosovës, përkatësisht partisë më të madhe opozitare, kanë përsëritur edhe në seancën e së hënës se qeveria e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj e ka humbur legjitimitetin për të qeverisur me vendin.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, deri sa ka folur në seancë, tha se është e pakuptimtë se si qeveria aktuale ka në kabinetin e vet ministra të cilëve u janë ngritur aktakuza.

"Në ketë qeveri janë tre ministra që kanë aktakuza të ngritura. Është edhe një ministër që ka shkelur kodin penal duke rrezikuar sigurinë publike, por që është mbajtur në qeveri me votat e deputeteve të partive në ketë koalicion. Por, ne nuk mund të pajtohemi që personat me aktakuzë të vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre zyrtare. Është e qartë se në krye të detyrave të tyre zyrtare nuk mund të jenë të paanshme në ndërkohë që hetohen”, ka thënë Hoti.

Deputetët e LDK-së, kanë kërkuar që kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, pjesë e koalicionit qeverisës që lirojë nga detyra ministrat që u janë ngritur aktakuza nga Prokuroria Speciale.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se deputetët e LDK-së me disa çështje janë duke ekzagjeruar në ketë rrafsh.

"Do të përgjigjem në pjesën çka kanë të drejtë dhe në pjesën që mendoj se ishte pak sa e shtuar e ekzagjeruar. Në pjesën se sa është e drejt do t'i qëndroj deri në fund", tha Veseli.

Në anën tjetër, deputeti Avdullah Hoti, tha se sa më parë duhet të caktohet data e zgjedhjeve duke u mbështetur nisëm e tyre për zgjedhje të jashtëzakonshme.

"Ne nuk mund t’ju ndihmojmë që të pastroni radhët e juaja nga njerëzit që po akuzohen çdo ditë për vepra të ndryshme. Është e qartë se ky koalicion ka humbur legjitimitetin në çdo aspekt për të qeverisur me vendin. Sa më parë që të mbështetet nisma e LDK-së për zgjedhja të parakohshme, por të organizuara mirë, është më mirë për qytetarët e vendit", tha Hoti.

Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se qeveria Haradinaj është krijuar vetëm për të kaluar demarkacionin dhe formuar asociacionin e komunave me shumicë serbe. Sipas tij, qeveria aktuale duhet të largohet sa më parë.

"Pra [kjo qeveri ] nuk ka lidhje as me zhvillim ekonomik, as me zhvillim të arsimit, as me përmirësim të shëndetësisë. Kurse sa i përket kësaj që po thonë që është jo patriotike të rrëzohet kjo qeveri me Listën Serbe, si është e mundshme të thuhet kështu, kur Lista Serbe është në qeveri. Pra, të thuash që është e pandershme të rrëzohesh me Listën Serbe, kurse qenka e ndershme të qeverisësh me Listën Serbe, kjo me të vërtet nuk do koment", tha Konjufca.

Koalicioni aktual po ballafaqohet me faktin e humbjes së shumicës në Kuvend, pasi që Lista Serbe ka vendosur të kalojë në opozitë.

Ndërkohë, mbi qeverinë rëndojnë edhe disa aktakuza të ngritura së fundi nga Prokuroria e Shtetit ndaj tre ministrave të saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG