Ndërlidhjet

Beteja për 80 votat e Demarkacionit


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka miratuar propozimin e Qeverisë së Kosovës për seancë të jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Seanca e jashtëzakonshme është caktuar për të enjten, në orën 11.

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Listës Serbe.

Partitë në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovë, janë shprehur në favor të ratifikimit të marrëveshjes.

Zenun Pajaziti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë vlerëson se pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet dy presidentëve, të Kosovës dhe Malit të Zi, Hashim Thaçi dhe Filip Vujanoviq tashmë është momenti më i volitshëm që Marrëveshja për demarkacionin të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

“Sidomos, pas arritjes së një marrëveshje apo një pajtimi në mes dy presidentëve, janë shtendosur jo vetëm raportet mes nesh, por janë shtuar gjasat që kjo temë të kalojë dhe të hapen mundësitë pastaj për t’u rishikuar. Besoj që nesër (e enjte), të gjitha partitë politike do të reflektojnë pozitivisht dhe jo vetëm koalicioni (qeverisës) dhe po ashtu komunitetet joshumicë”, theksoi Pajaziti.

Por, partnerja në koalicion qeverisës Lista Serbe, ende nuk e ka bërë të qartë qëndrimin e saj. Zyrtarët e këtij subjekti politik nuk kanë dashur të flasin për atë se cili është qëndrimin eventual i deputetëve të Listës Serbe karshi Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Por, deputeti Pajaziti ka theksuar se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh edhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës, po punon me partnerët e koalicionit qeverisës që të tejkalohen pengesat drejt përmbylljes së çështjes së Demarkacionit.

“Kryetari i Kuvendit (Veseli), sot dhe me siguri edhe nesër gjatë ditës, do të ketë takime me të gjithë partnerët. Po ashtu, takime të ngjashme kanë pasur edhe institucionet mbështetëse ndërkombëtare, partnerët ndërkombëtarë. Mendoj që të gjithë po punojnë, si kurrë më parë, në frymën e tejkalimit të kësaj gjendje dhe ecjes përpara”.

Në anën tjetër, partitë opozitare janë të ndara, kundër dhe në favor të ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin.

Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes, ka thënë se deputetët e saj do të votojnë kundër ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, për shkak se Marrëveshja për demarkacionin ka mbetur e njëjta që ka qenë, pavarësisht bashkëngjitjes së marrëveshjes së nënshkruar tash së voni, ndërmjet dy presidentëve, Thaçi dhe Vojanoviq.

“Mali i Zi ka obligim -në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në raport me një shtet tjetër, në këtë rast me shtetin e Kosovës - vetëm aq sa përmban teksti i Marrëveshjes së miratuar tashmë në Parlamentin e Malit të Zi. Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje, në asnjë mënyrë nuk do ta përkrahë një mashtrim të tillë. Lëvizja Vetëvendosje, kudo që është mundësia, do të shohë dhe t’i përdorë metodat, prej votimit kundër e deri te pamundësimi i kuorumit, duke filluar edhe me mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës”.

Në dy takime të ndara të disa deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës me ambasadorin amerikan Greg Delawie dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian, Natalia Apostolova, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, e ka konfirmuar votën unanime të këtij grupi në favor të ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin.

Për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, nevojiten dy të tretat e votave të tërësishme të deputetëve të Kuvendit, pra, 80 nga 120 sosh.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG