Ndërlidhjet

Grupet kriminale shqiptare kanë rol kyç në shpërndarjen e heroinës në Evropë


Ilustrim
Ilustrim

Grupet kriminale në Kosovë dhe Shqipëri kanë një rol të rëndësishëm në kontrabandimin dhe shpërndarjen e heroinës nëpër shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Kështu thuhet në një raport të agjencisë së Bashkimit Evropian për Kontrollin e Kufijve, FRONTEX.

“Rruga e Ballkanit mbetet korridor kyç në hyrjen e heroinës në BE. Grupet kriminale nga Kosova dhe Shqipëria, së bashku me grupet e tjera kriminale të Ballkanit, luajnë një rol kyç në kontrabandimin e heroinës për në Evropë”, thuhet në raportin e FRONTEX.

Një rrugë tjetër, prej nga llojet e ndryshme të drogave arrijnë në Evropë është ajo që shtrihet nga Afganistani përmes Pakistanit, Gjirit Persik dhe Oqeanit Indian deri tek Afrika Lindore dhe pastaj përmes rrugëve detare përfundon në Evropë.

Pjesa më e madhe e dërgesave të drogës së llojit kokainë kontrabandohen në Evropë direkt nga Amerika Latine, përmes kontejnerëve dhe anijeve të ndryshme, thuhet në raport.

Raporti shton se sasia e kokainës që konsumohet në vendet e Bashkimit Evropian brenda një viti arrin në 120 tonë ose e që kap vlerën e 27 miliardë eurove.

Në raport po ashtu janë publikuar shifrat e kalimeve ilegale të kufijve të BE-së ku është shënuar një rënie prej 60 për qind. Në vitin 2017, bazuar në raport, janë bërë mbi 700 mijë aplikime për azil.

Siria, Iraku dhe Afganistani i prijnë listës për nga numri i azilkërkuesve. Vetëm Siria ka rreth 100 mijë azilkërkues gjatë vitit të kaluar, Iraku me rreth 50 mijë, ndërkohë që Afganistani me mbi 48 mijë aplikime.

Vendet e BE-së që prijnë nga numri i lartë i personave që qëndrojnë ilegalisht janë: Gjermania, Austria, Zvicra e po ashtu edhe Bulgaria. Megjithatë edhe në këto vende është shënuar një ulje e numrit të qëndruesve ilegalë.

Ndërkohë që raporti flet edhe për azilkërkuesit nga Kosova. Gjatë vitit 2017 raporti thotë se 4055 qytetarë u kthyen në Kosovë nga shtetet e Bashkimit Evropian. Këto kthime janë cilësuar si efektive në raportin e FRONTEX-it. Rreth 3 mijë shtetas të Kosovës nuk kanë pranuar të kthehen vullnetarisht në Kosovë, për këtë arsye shtetet anëtare të BE-së janë detyruar që t’i kthejnë ata me forcë në atdheun e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG