Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit për Kosovën është diskutuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq në Mitrovicën e Veriut, për Gjykatën Speciale dhe sigurinë në rajon.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se gjendja e sigurisë në Kosovë është kërcënim edhe për rajonin derisa, amabasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, duke iu referuar vrasjes së Ivanoviqit ka thënë se autoritetet kosovare nuk do të lënë gur pa lëkundur derisa përgjegjësit të vendosen para drejtësisë.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley ka thënë se beson që Kosova ka aftësi për t’i kryer e vetme hetimet lidhur me vrasjen e Ivanoviqit pa ndërhyrje të jashtme.
“Bota do të shohë nëse ky hetim do të rezultojë me përgjegjësi për ata që janë përgjegjës”, ka thënë Haley.
Ajo ka shtuar se, Serbia e Kosova kanë përpara vetes një moment historik për të arritur një marrëveshje në mes të dy vendeve.
Shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Zahir Tanin, ka nisur fjalimin e tij me raportin e fundit të Bashkimit Evropian për zgjerim, duke thënë se për Kosovën vazhdon të jetë kyç procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Mirëpo ai ka vlerësuar se procesi i dialogut mes dy vendeve në vitin e fundit ka pasur pak zhvillim. Në fjalimin e tij është përmendur edhe iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale, duke ripërsëritur deklaratat e përfaqësuesve ndërkombëtarë se një vendim i tillë është shumë i dëmshëm për Kosovën.
Ai nuk e ka lënë anash edhe vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, duke thënë se është e domosdoshme që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.
Tanin ka bërë thirrje edhe për rritje të numrit të grave në pozita udhëheqëse.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se do të jetë i vëmendshëm për rekomandimet e dhëna nga Tanin gjatë fjalimit dhe se shpreson që të njëjtën gjë ta bëjë edhe përfaqësuesja e Prishtinës, duke i cilësuar deklaratat e saja në mbledhjet e mëparshme si leksione për historinë.
Daçiq ka thënë se ka më shumë se katër vjet që Serbia është duke pritur nga autoritetet në Prishtinë që të përmbushin obligimet e tyre, ndërkohë që 13 vende jo të përheshme që kanë pjesë e këtij trupi ndër vite, i kanë bërë thirrjen e njëjtë Kosovës.
Sipas tij, në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres theksohet se jo vetëm që nuk ka pasur zhvillim lidhur me themelimin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, por as nuk janë dhënë detaje se kur apo cilët janë hapat e ardhshëm.
Ai ka thënë se Serbia beson që të gjitha çështjet mund të arrihen vetëm përmes dialogut dhe se ky vend është duke përmbushur obligimet me qëllim të mirë.
“Unë e theksoj edhe një herë që, Serbia është e gatshme për të vazhduar dialogun, mirëpo vihet në dyshim nëse ndonjë marrëveshje e re do të ketë ndonjë kuptim”, ka thënë ai.
Ministri i Jashtëm serb, ka përmendur vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, duke thënë se kjo ngjarje ka kërcënuar në mënyrë dramatike sigurinë në Kosovë, duke shprehur shqetësimin edhe për sigurinë në rajon.
“E përmendi edhe një herë se dërgimi para drejtësisë i atyre që kanë urdhëruar dhe atyre që kanë kryer krimin por edhe motiveve që kanë shkaktuar atë, janë çështje kyçe për të arritur paqe tek popullata e kësaj pjese”, ka thënë Daçiq.
Ai po ashtu ka deklaruar se është i nevojshëm monitorimi i misioneve ndërkombëtare në Kosovë.
Përveç kësaj, Daçiq ka përmendur edhe iniciativën për zhbërjen e Gjykatës Speciale, duke përmendur deklaratat e amabasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, për ndikimin negativ që mund ta ketë ky vendim për të ardhmen e Kosovës.
“Dëshirojmë t’iu sigurojmë edhe një herë se Serbia është e gatshme për të ofruar të dhëna që posedon për krimet brutale, dhe krimet të cilat nuk duhet të harrohen”, ka shtuar ai.
Ndër të tjera Daçiq ka përmendur edhe pakënaqësitë e vendeve të Quintit lidhur me vendimin e Presidentit Hashim Thaçi për rastin Hajra.
Në fund të fjalimit të tij ai e ka cilësuar si të rrezikshëm iniciativën për krijimin e ushtrisë në Kosovë, ka kundërshtuar kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare dhe ka falënderuar vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Derisa përfaqësuesja e Kosovës në këtë takim, ambasdorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka nisur fjalimin e saj duke përmendur 10 dhjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Ajo ka thënë se Kosova reflekton tani si shtet, duke përmendur arritjet e Kosovës gjatë kësaj periudhe.
Ajo ka theksuar faktin, se si Kosova në fillim është njohur nga shumica e shteteve në botë dhe se tani është pjesë e shumë organizatave.
Sidoqoftë ajo ka përmendur një mori sfidash me të cilat po përballet vendi.
“Dhjetë vite shtet na kanë mësuar se mbijetesa dhe pavarësia nuk janë të mjaftueshme. Ato nuk janë shqetësimet tona të vetme. Liria dhe ushqimi në tavolinë nuk janë gjërat e vetme për të cilat kanë nevojë njerëzit. Ata kanë nevojë për edukim dhe kujdes shëndetësor, respekt dhe dinjitet. Në Kosovë, ne kemi mësuar se të qenit shtet nuk ka të bëjë vetëm me ndërtimin e qeverisë apo insitucioneve. Shoqëria civile, shtypi i lirë dhe sektori joqeveritar janë po aq të rëndësishme dhe shpesh forca më e rëndësishme për t’u rritur”, ka thënë ajo.
Ajo ka përmendur iniciativat e qytetarëve për të protestuar kundër ndotjes së ajrit apo rritjes së çmimit të rrymës.
Kesaj here si storie suksesi, ambasadorja ka përmendur Doruntina Sylejmanin, vajzën, e cila ka fituar medalje në garën ndërkombëtare për matematikë, apo Majlinda Kelmendin, të cilën e ka cilësuar, “krenari të artë”.
Në fjalimin e saj ajo ka përmendur edhe fondin e ndarë nga Qeveria e Kosovës për viktimat e dhunës seksuale.
Ambasadorja ka pëmendur edhe faktin që Kosova është vendi i vetëm në Evropë pa liberalizim të vizave.
Në fund, Çitaku ka ripërsëritur edhe një herë se ka përfunduar misioni i UNMIK-ut në Kosovë.