Ndërlidhjet

Vuçiq ka bërë ndarjen e serbëve të Kosovës


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Vizita e fundit në Kosovë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe injorimi i të gjithë faktorëve tjerë relevantë politikë serbë në Kosovë, përveç atyre të Listës Serbe, ka përforcuar bindjen se ai nuk dëshiron të dëgjojë mendime ndryshe për problemet reale me të cilat ballafaqohen serbët në Kosovë, vlerësojnë njohësit serbë të zhvillimeve politike në vend.

Vuqiq ka vizituar Kosovën të shtunën e kaluar, pas vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq në Mitrovicë të Veriut.

Vizita e Vuçiqit në Kosovë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:04 0:00

Njohësi serb i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se vizita e Vuçiqit ishte paralajmëruar me qëllimin e qetësimit të serbëve pas ngjarjes tragjike. Por, siç thotë ai, Vuçiq i është shmangur në masë të madhe temës që ka të bëjë me raportet ndërmjet serbëve, përkatësisht për veprimtarinë e grupeve kriminale në veri të Kosovës. Por, qasja e presidentit serb, sipas tij, tash e sa kohë është duke krijuar ndarje jo vetëm tek akterët relevantë politikë serbë në Kosovë, por edhe te popullata serbe në përgjithësi në këtë hapësirë.

“Ai i ka ndarë që nga fillimi. Natyrisht, përveç Listës Serbe, për të nuk ekzistojnë serbët tjerë. Të gjithë serbët tjerë janë në anën tjetër, janë tradhtarë dhe kjo bëhet mjaft e qartë. Kështu që, në mënyrë absolute, ai po i ndan serbët”, tha Nojkiq.

Njohësi tjetër serb i zhvillimeve politike, Petar Miletiq, po ashtu ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ndarje të serbëve që janë me të dhe kundër tij, Vuçiqi ka krijuar edhe në Serbi dhe serbët e Kosovës nuk mund të bëjnë përjashtim për të.

“Kur bëhet fjalë për Kosovën, kjo ka mundur dhe do të duhej të dukej ndryshe, por ai, thjeshtë, ka vendosur që këtë lloj taktike ta zbatojë edhe në Kosovë. Pra, për të, të tjerët dhe të ndryshmit nuk ekzistojnë dhe me të tjerët dhe të ndryshmit ai as që do të komunikojë”, tha Miletiq.

Vuçiq porosit serbët: Qëndroni në Kosovë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:40 0:00

Ish-deputetja tjetër e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, thotë se ndarjen që e ka krijuar Vuçiqi, përmes përkrahjes vetëm të Listës Serbe dhe kontrollit ndaj këtij subjekti, si dhe injorimit të të gjithë faktorëve tjerë politikë serbë në Kosovë, është pasqyruar edhe pas ngjarjes tragjike të vrasjes së Ivanoviqit. Sipas saj, askush nga Lista Serbe, e cila e ka mbështetjen e plotë të Vuçiqit, nuk ka shprehur ndjesinë bashkë me serbët tjerë, nuk kanë mbajtur as mbledhje komemoracioni, nuk kanë marrë pjesë as në kortezhin mortor, e as në varrimin e tij në Beograd.

“Këtu qëndron frika. Me siguri, ata mendojnë se në këtë mënyrë tregojnë lojalitetin ndaj Vuçiqit. Nuk e di se a është ky lojalitet ndaj Vuçiqit apo ndaj atyre që e vranë Ivanoviqin”, tha Trajkoviq.

Në anën tjetër, njohësit serbë të zhvillimeve politike i kanë vlerësuar mjaft paradoksale dhe kontradiktore deklaratat e Vuçiqit, të cilat i ka bërë gjatë vizitës së fundit në Kosovës lidhur me hetimet për vrasjen e Ivanoviqit.

Nojkiq thotë se deklaratat e tilla janë bërë për konsum të brendshëm.

“Normalisht që janë paradoksale, qesharake dhe kontradiktore. Në njërën anë thotë se Serbia nuk ka kompetenca për hetimet, ndërkaq në anën tjetër thotë se Serbia nuk do të lejojë, siç ka thënë ai, që ‘çizmja e okupatorit nuk do të shkelë në veri’. Kurdo që i jepet rasti, ai tenton që me deklarata kontradiktore, kinse t’i qetësojë serbët”, thekson Nojkiq.

Miletiq shpreh mendimin se në rastet kur përdoret terminologji e tillë, sikurse në deklaratat e Vuçiqit, atëherë ekziston përpjekje e ndryshimit të tezave lidhur me rastin e caktuar.

“Unë fare nuk i dua termet sikurse ‘çizmja shqiptare’, ‘çizmja e NATO-s’, ‘çizmja serbe’. Kur i dëgjoj këto terme, menjëherë e di që ka të bëjë me një ndryshim të qëllimshëm të tezave, i cili duhet të fshehë diçka që ka ndodhur ose diçka që duhet të ndodhë. Nuk e kuptoj. Në Policinë e Kosovës në veri, kryesisht janë serbët”, tha Miletiq.

Pamje nga vendi ku u vra Oliver Ivanoviq
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:49 0:00

Ndërkaq, Trajkoviq vlerëson se në deklaratat e Vuçiqit ka pasur porosi të rrezikshme. Sipas saj, serbët nuk kanë pse të frikësohen nga shqiptarët.

“Në këtë moment, serbët në veri, frikën më të madhe e kanë nga vetë serbët. Vizita e Vuçiqit nuk i ka shtendosur serbët. Nuk e shoh që ekziston ideja, të paktën unë nuk e kam parë, që shqiptarët të vijnë në veri të Kosovës. Përkundrazi, mendoj se është e pakuptimtë të fitet për këtë, marrë parasysh që ai mjaft shpesh takohet me liderët shqiptarë", thotë Trajkoviq.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG