Ndërlidhjet

Uniteti i munguar për vendimmarrje


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës po mbajnë qëndrime të ndryshme në lidhje me dy nga çështjet kryesore të aktualitetit politik, përkatësisht në raport me ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe shfuqizimin apo jo të Ligjit për Dhomat e Veçanta (Gjykatën Speciale).

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka qëndrim të prerë se Kosova duhet ta ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, kurse për Gjykatën Speciale ka thënë se do të veproj në bazë të vendimeve që vijnë nga deputetët e Kuvendit.

Kurse, Kadri Veseli, kryetari i Kuvendit thotë se Gjykata Speciale nuk duhet të shfuqizohet, pavarësisht se e vlerëson si të padrejtë. Ndërkaq për demarkacionin me Malin e Zi, është në vijë me Thaçin dhe i jep mbështetje ratifikimit.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili drejton qeverinë e koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës të udhëhequr nga Kadri Veseli ka qëndrime tjera politike. Ai i qëndron besnikë vlerësimit të tij se Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, është e dëmshme për vendin, sikurse që nuk e fsheh që e përkrah edhe një vendim eventual të deputetëve shumicë në Kuvend, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovës vlerësojnë se qëndrimet e tilla, jo unike të liderëve të institucioneve qendrore të Kosovës për çështje të rëndësishëm, janë dëgjuar ndër vite.

Analisti politik, Ilir Ibrahimi, thotë se mendimet dhe disa veprime të liderëve politikë lidhur me çështjen e Gjykatës Speciale dhe demarkacionin janë të pamatura.

"Të dyja këto, siç e dimë, janë çështje të cilat do të duhej të tërhiqnin vëmendjen e gjithë popullatës, sepse janë çështje vitale të interesit kombëtar. Prandaj, duhet të fillohet të ndërtohet një lloj konsensusi për t'u ballafaquar me to”, thotë Ibrahimi.

Kurse, drejtoresha e organizatës Iniciativa Kosovare për Stabilitet, Florina Duli tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova po dëmtohet në masë të madhe nga iniciativat e gabuara të liderëve aktual që po qeverisin vendin.

"Iniciativat e tanishme nga liderët politik për ose kundër këtyre marrëveshjeve janë kryekëput të inspiruara nga interesat personale nga të gjitha palët e përfshira. Secili nga politikanet që ka mendime të kundërta e ka një agjendë personale e që nuk ka të bëj edhe me të mirën e Kosovës”, tha Duli.

“Kosova do të dëmtohet edhe më shumë nga një lidership kaq i papërgjegjshëm si ky që e kemi sot", tha ajo.

Ndërkaq, Ilir Ibrahimi thotë se në Kosovë klasa politike duhet të fillojë të ndërtojë një qasje për identifikimin e çështjeve të interesit kombëtar, duke i ndarë ato nga interesat e ngushta personale apo partiake.

"Një qasjeje të tillë duhet t'i jepet fund, sepse në fund të fundit është shteti i cili dëmtohet. Po ashtu, nga kjo lloj qasje në një afat më të gjatë, dëmtohen edhe partitë politike, sepse nëse shteti nuk është duke shkuar në rrugën e duhur, atëherë edhe partitë politike do të dëmtohen", thekson Ibrahimi.

Edhe disa qytetarë mendojnë se liderët politik po gabojnë me pozicionimet dhe qasjen e tyre në raport me vendimet e rëndësishme që duhet t’i marrin për vendin.

Faik Krasniqi nga Prishtina, thotë se është për keqardhje se si liderët politikë nuk janë unik për çështje të rëndësishme.

"Këta vetëm interesat e tyre i kanë, nuk kanë interesa të shtetit. Sikur të kishin punuar siç duhet nuk kishte me ardhur puna këtu ku jemi tani", tha Krasniqi.

Kurse një qytetar tjetër, Ruzhdi Sfarqa, mendon se politikanët kanë mendime të ndryshe, por bashkohen vetëm kur preken interesat e tyre personale.

"Këta të gjitha janë një. Ai deklarohet ashtu e tjetri kështu, por qëllimin e kanë të përbashkët. Qëllimi i tyre aktualisht është që të shfuqizohet Gjykata Speciale në të gjitha mënyrat dhe pa kursyer asgjë, pa kursyer as Kosovën. Por, mendoj se ka presion të madh nga ndërkombëtaret dhe nuk do të lejojnë të bëhen veprime të gabuara për vendin", tha Sfarqa.

Thirrjet ndërkombëtare për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi datojnë për më gjatë se dy vjet. Por, spektri politik në Kosovë nuk arriti të ratifikojë këtë marrëveshje, pavarësisht që ajo, sipas Komisionit Evropian, mbetet kusht edhe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Mungesa e ratifikimit, ndërlidhet me kundërshtimet e brendshme nga një pjesë e spektrit politik, i cili vlerëson se me anë të kësaj marrëveshje, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë.

Kurse çështja e Ligjit për Dhomat e Veçanta apo Gjykatën Speciale, u aktualizua më 22 dhjetor të vitit 2017. Atë ditë, patën dështuar dy tentime për seancë të jashtëzakonshme në Kuvend, për të votuar për propozimin e 43 deputetëve për shfuqizim të Ligjit për Gjykatën Speciale.

Lidhur me propozimin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ka pasur reagime të ashpra nga ambasadorët e vendeve të Kuintit në Kosovë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga java e ardhshme pritet të nisin punën në Kuvendin e Kosovës ku prite se shihet se çka do të ndodh me Gjykatën Speciale dhe marrëveshjen për demarkacioni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG