Ndërlidhjet

Beogradi tregon “muskujt” përmes Listës Serbe


Përfaqësuesit e Listës Serbe gjatë një takimi në Beograd me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. 9 shtator 2017
Përfaqësuesit e Listës Serbe gjatë një takimi në Beograd me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. 9 shtator 2017

Lista Serbe, si parti që përfaqëson komunitetin serb në Kosovë, me mbështetjen e tërësishme të Beogradit zyrtar, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, në garën për kryetarë të komunave ka fituar në 9 prej 10 komunave me shumicë serbe në Kosovë. Gjithashtu, në Komunën e Kllokotit, Lista Serbe ka shkuar në balotazh.

Pas fitores së Listës Serbe në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, karshi partive tjera nga komuniteti serb, fitorja e konfirmuar e Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, e nxjerrë këtë parti politike si subjektin më të fuqishëm që përfaqëson serbët në institucionet e Kosovës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.

Politologu, Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se fitorja e Listës Serbe në zgjedhjet komunale, e vërteton faktin që ndikimi i Beogradit është shumë i fuqishëm dhe vendimtar te çdo pozitë politike dhe qëndrim politik i serbëve në Kosovë.

Platforma politike, por edhe programi dhe fushata, janë bërë gjithashtu nga institucionet qeveritare të Serbisë dhe është thënë se votimi për Listën Serbe do të thotë votim për Serbinë në Kosovë ose për ndikimin e Serbisë në Kosovë. Secili qytetarë (serbë) është dashur ta përkrahë këtë dhe të mos e vë në dyshim, në mënyrë që ta ketë përkrahjen e shtetit serb. Formalisht, është Lista Serbe, por cilido subjekt që do të kishte qenë dhe që e ka përkrahjen e Serbisë, do ta kishte edhe fitoren”, tha Tahiri.

Njohësi serb i zhvillimeve politike, Petar Miletiq, ish- deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë për Radion Evropa e Lirë se me vet faktin që Lista Serbe ka 9 deputetë në Kuvendin e Kosovës, tre anëtarë në Qeverinë e Kosovës, si dhe tashmë ka siguruar 9 kryetarë komunash, përfshirë edhe një balotazh, kjo e bën atë faktorin më relevant nga bashkësia serbe.

Por, unë këtë do ta emëroja ndryshe, se kjo në fakt është Beogradi. Për serbët e Kosovës pyetet Beogradi. Me këto zgjedhje, lokale dhe parlamentare, serbët e Kosovës e kanë dorëzuar veten nën menaxhimin e Beogradit. Kjo është esenca e rrëfimit dhe do të vazhdojë edhe më tutje situata ku serbët e Kosovës nuk janë më faktorë politikë në Kosovë, por që ata e kanë deleguar Beogradin që të bisedojë në emër të tyre për gjithçka që është e rëndësishme për ta. Thjeshtë, ata kanë hequr dorë nga mundësia që të ndikojnë në jetët e veta. Kjo është zgjedhje e tyre legjitime dhe kjo është porosi për bashkësinë ndërkombëtare dhe për elitën politike të shqiptarëve të Kosovës, se në fakt, serbët e Kosovës duhet tejkaluar dhe drejtpërdrejtë të bisedohet për të gjitha temat me Beogradin”, tha Miletiq.

Pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve lokale, në Mitrovicë të veriut, shefi i zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, e ka quajtur fitoren e Listës Serbe në zgjedhjet lokale, si fitore të Serbisë.

Fitorja e Listës Serbe është fitore e madhe për të gjithë popullin serb. Kjo është fitore për Serbinë”, ka thënë Gjuriq.

Lista Serbe feston në Mitrovicën Veriore
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:10 0:00

Por, a ka arritur Serbia, që përmes Listës Serbe të krijojë një faktorë politikë, që do të mund të shihej si i ashtuquajturi “Kali i Trojës”, brenda përbrenda faktorëve politikë serbë të Kosovës, por edhe vet skenës politike të Kosovës në përgjithësi?

Politologu Tahiri thotë se përmes Listës Serbe, tash për tash, Beogradi dëshiron ta monopolizojë ndikimin e saj tek serbët në Kosovë.

Kjo është një formë e re e veprimit të Serbisë në Kosovë, derisa të zgjidhet përfundimisht çështja e Kosovës dhe derisa të përfundojë dialogu i brendshëm serb që e kanë për Kosovën, për atë se si do të zgjidhen raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thekson Tahiri.

Por, Miletiq thotë se marrëdhëniet e mira ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, janë esenciale për përparimin e jetesës të dy bashkësive. Deri më tash, sipas tij, politika, sikurse po zhvillohet edhe tani, ka qenë frenuesi më i madh i këtyre marrëdhënieve.

Beogradi, kryesisht, i ka shtyrë serbët e Kosovës në konflikt me shqiptarët. Ndërkaq shqiptarët këtë e kanë pranuar me të dy duart, sepse kjo u konvenon për shkak se nuk u duhet që plotësojnë asnjë kërkesë e serbëve, madje as ato që janë të saktësuara me ligje, por edhe me Marrëveshjen e Brukselit. Ata menjëherë thonë se kjo është kërkesë e Beogradit”, ka thënë Miletiq.

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se pavarësisht faktit që Listës Serbe është forcë kryesore e serbëve të Kosovës, sjelljet e saj dhe instrumentalizimi nga Beogradi,do të sjellë bllokadën në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe ngecjen në nxitjen e mjaft çështjeve, të cilat do të ishin në dobinë e shqiptarëve dhe serbëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG