Ndërlidhjet

Ismaili: S’ka rëndësi mosha, do të zbardhen vdekjet në QKUK


 Prishtinë - Qendra Klinike Universitare
Prishtinë - Qendra Klinike Universitare

Autoritetet e rendit në Kosovë po i vazhdojnë hetimet në lidhje me dy rastet e vdekjeve që ndodhën ditën e enjte, më 7 shtator, brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërkohë, ishte raportuar edhe për një rast tjetër të vdekjes së një gruaje, të cilin Policia e cilësoi si vdekje të dyshimtë.

Për të gjitha rastet e raportuara të vdekjeve këto ditë në Qendrën Klinike Universitare, Policia e Kosovës thotë se janë në fazën fillestare të hetimeve.

Agron Borovci nga Policia e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se nga Prokuroria e shtetit është marrë autorizimi për inicimin e rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me tre raste të dyshimta që kanë ndodhur në tri klinika të ndryshme.

“Jemi në fazën e parë të hetimeve, që përfshin sigurimin e dosjeve të pacientëve, marrjen e deklaratave të dëshmitarëve dhe profesionistëve shëndetësorë. Në kontekstin e procesit hetimor ne po vazhdojmë edhe me ndërmarrjen e veprimeve të tjera që po ndikojnë në sqarimin dhe ndriçimin e plotë të këtyre vdekjeve si dhe po bashkëpunojmë me institucioneve relevante shtetërore që do t’i kontribuojnë procesit të hetimit”, tha Borovci.

Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shkaktar i vdekjeve të dy personave në sallat operative mund të ketë qenë gazi i cili është përdorur.

Sipas Ismailit, informacionet që ai i ka marrë nga inspektorati shëndetësor tregojnë se furnizuesi i cili e ka sjellë këtë lloj gazi për salla operative, ka qenë pa licencë.

“Sipas informatave që kam marrë nga inspektorati i shëndetësisë, mund të them se dyshimi kryesor është tek gazi që është përdorur gjatë operacioneve. Më pas është vërtetuar që operatori ekonomik që furnizon institucionin e QKUK-së me këtë gaz, ka qenë pa licencë dhe hetimet janë duke vazhduar”, tha Ismaili.

Ai ka thënë çdo vdekje e dyshimtë duhet të zbardhet dhe të dihen shkaqet që quan deri te fataliteti.

“Është për keqardhje çfarëdo lloj vdekje që ndodhë, por në këtë rast nuk është me rëndësi fare mosha e personit, por ajo që e ka shkaktuar vdekjen dhe duhet hulumtohet shkaku i vdekjes meqë ka dyshime për gazin”, tha Ismajli.

“Ajo që unë dua të them është që ne do të jemi transparent dhe do të vazhdojmë hetimet fuqishëm. Do të duhej, të ngriten në nivelet më të larta dhe të ketë transparencë të plotë të bazuara në fakte”, theksoi ai.

Pas ngritjes së dyshimeve rreth këtyre rasteve nga dita e enjte, janë pezulluar përkohësisht operacionet e planifikuara (jo-urgjente) në bllokun e klinikave kirurgjike.

Kurse rastet urgjente nga blloku kirurgjik janë operuar në sallat e Klinikës Emergjente, të cilat po ashtu janë në funksion.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se me këto rast janë duke u marrë të gjitha institucionet relevante dhe se institucioni që ai udhëheq është i hapur për ndihmë në zbardhjen e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG