Ndërlidhjet

Çfarë cilësie kanë shërbimet mjekësore?


QKUK
QKUK

Cilësia e shërbimeve shëndetësore në Kosovë asnjëherë deri sot nuk është vlerësuar, megjithëse me një plan të ri të Ministrisë së Shëndetësisë, thuhet se brenda viteve të ardhshme do të bëhet një matje e cilësisë.

Për qytetarët, cilësia e shërbimeve shëndetësore varet edhe nga mjekët, por njëkohësisht edhe nga kushtet në të cilat punojnë.

Shumë herë problemet në fushën e shëndetësisë për qytetarët kanë qenë të mëdha dhe besimi në sistem, thonë ata, është luhatur. Merita Berisha, një qytetare në Prishtinë, thotë se ka përjetuar edhe përvoja të këqija me sistemin e shëndetësisë.

"Duke i marrë parasysh kushtet ku punojnë stafi mjekësor, nuk është vetëm për të kritikuar. Unë për vete kam raste edhe me eksperienca të mira edhe të këqija. Por, mendoj që Qeveria e Kosovës nuk e ka prioritet shëndetësinë dhe nuk investohet në këtë sektor, andaj edhe nuk mund të pritet ndonjë cilësi e lartë e shërbimeve".

Por, zyrtarë të shëndetësisë në Kosovë thonë se nuk e kanë bërë deri më sot matjen e cilësisë së shërbimeve dhe krejt kjo, sipas tyre, varet nga qytetarët dhe vlerësimet që ata japin.

Lulzim Uka, zyrtar për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, duke thënë se cilësia nuk është matur asnjëherë, ka shtuar se ajo është bazuar në numrin e ankesave përmes linjës falas, që sipas tij ka shumë pak.

"Është linja e ankesave ku sapo t’i marrim ankesat ne përmes inspektoratit shëndetësorë dhe sanksionohen mjekët që nuk i përfillin detyrën e tyre. Por, matje e saktë e ciësisë së shërbimeve nuk është bërë. Para tre vjetësh UNDP-ja ka bërë një hulumtim ku kënaqshmëria e cilësisë së shërbimeve ka qenë e lartë", tha Uka.

Ndryshe, për ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në institucionet publike shëndetësore, tashmë Ministria e Shëndetësisë është duke udhëhequrprocesin e hartimit të udhë rrëfyesve klinik sipas temave prioritare, bazuar në politika shëndetësore.

Uka thotë se zbatimi i këtyre udhërrëfyesve klinik do të ndikojë në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë për pacientët.

Profesionistët shëndetësorë kanë deklaruar se pavarësisht faktit se nuk ka patur matje, cilësia është në nivelin e kënaqshëm.

Sali Ahmeti, infektolog, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se megjithatë cilësia e shërbimeve në Klinikën Infektive është e mirë.

"Unë mendoj se sa i përket fushës së infektivës kushtet janë të mira. Unë kam përshtypjen se kjo është perceptim edhe i pacientëve. Kjo duke u nisur nga fakti se sëmundjet infektive trajtohen këtu në klinikë dhe pacientët nuk kanë nevojë të shkojnë jashtë vendit".

"Për fusha të caktuara ne jemi edhe qendër referente, për disa vende të rajonit. Ne aplikojmë në trajtimin e shërbimeve infektive, protokollet më të fundit evropian. Ne jemi edhe përpilues të disa sëmundjeve infektive që rekomandohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Për shembull një problematikë e sëmundjes infektive e ethe hemorragjike ne prijmë në trajtim".

"Unë personalisht jam një nga 10 mjekët e zgjedhur nga vetë OBSH-ja për hartimin e protokolleve klinike për trajtimin e këtyre sëmundjeve”, ka thënë Ahmeti.

Ngritja dhe avancimi i infrastrukturës shëndetësore thuhet se do ta ndihmojë cilësinë e shërbimeve dhe autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se në proces janë projektet për fillimin e ndërtimit spitalit pediatrik, me donacion prej 23 milionë dollarëve.

Në këtë rrafsh është përmendur edhe ndërtimi i Instituteve Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan e Ferizaj, avancimi i Kardiokirurgjisë në QKUK dhe Kardiologjisë Invazive si dhe projekte të tjera, të cilat prekin drejtpërdrejt në cilësinë në shërbime. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG