Ndërlidhjet

Edhe një seancë pa rezultat


Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, 4 gusht
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, 4 gusht

Kuvendi i Kosovës, nuk ka arritur as të sot të zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët, pasi që në sallën e Kuvendit, nuk kanë qenë të pranishëm deputetët e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismas [PAN]. Aty nuk kanë qenë të pranishëm as deputetët e komuniteteve pakicë.

Të pranishëm në këtë seancë kanë qenë deputetë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të koalicionit ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re, dhe Alternativës [LAA].

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, deputeti Adem Mikullovci tha para 61 deputetëve të pranishme, se në mungesë të deputetëve nga koalicioni PAN, seanca ndërpritet dhe do të vazhdojë një ditë tjetër.

Në një takim konsultativ, të mbajtur të mërkurën, përfaqësuesit e koalicionit PAN, kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme konstituive, për siç kanë thënë, thirrjes arbitrare të saj nga ana e kryesuesit.

Për mosprezencën e deputetëve të koalicionit PAN, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje Glauk Konjufca, tha se ata të cilët janë duke i bojkotuar seancat e Kuvendit të Kosovës, duhet të japin përgjegjësi morale dhe politike. Ai tha se ata që po thonë se janë fitues të zgjedhjeve dhe që thonë se i kanë votat e mjaftueshme, nuk po vijnë në Kuvend për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

"Kjo është e papranueshme me standardet e demokracisë. Kjo është shkelje e rëndë e demokracisë, të mbahen peng institucionet për shkak të një emri dhe të bëhet sa më shumë kohë, që të takojë deputetë të caktuar në kafene, që me presion e shantazh t'i bindin ata për ta votuar një kryetar të papëlqyer të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ne e dënojmë këtë praktikë dhe kjo praktikë nuk duhet të zë vend në një shtete që i thotë vetes demokratik", tha Konjufca.

Konjufca ka ftuar PAN-in që të ndërpresë bojkotimin e seancës konstituive, dhe ta propozojë kandidatin e tyre për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

"Rregullat e demokracisë thonë kështu kur nuk i ke votat dhe kur dëshiron t'i arrish ato, duhet të bësh kompromis. Kompromisin që ne po ua kërkojmë atyre është që të mos e qesin për kryetar të Kuvendit [Kadri Veselin], një figurë që prej shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës është i papranueshëm”, tha Konjufca.

Kurse, Avdullah Hoti, deputet nga koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re, dhe Alternativës [LAA], tha se ata të cilët nuk po vijnë në seancë të Kuvendit, tregon më se miri se kush nuk është duke bllokuar proceset për krijimin e institucioneve të reja.

"Ftoj deputetët e koalicionit PAN të jenë të arsyeshëm, të jenë prezent në seancë, të japin propozimin e tyre. Të dëgjojmë vullnetin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe të lëvizim përpara në themelimin e institucioneve të vendit. Kemi humbur shumë kohë, është dashur edhe Kuvendi edhe Qeveria të jenë funksional për gati tash e dy muaj. Kjo e bënë të qartë kush është i përgjegjshëm në themelimin e këtyre institucioneve", tha Hoti.

Koalicioni PAN po synon që të ket;ë 61 vota e më tepër, si për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ashtu edhe për Qeverinë e re.

Por, deri me tash ky koalicion nuk ka dëshmuar se ka numrin e mjaftueshëm të votave.

Në përpjekje për të siguruar votat e mjaftueshme, kandidati për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Hardinaj ka pasur takim me kryetarin e partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Zyrtarët e AAK-së kanë thënë se takimi i zhvilluar ka qenë konstruktiv, por nuk kanë pohuar nëse kanë marr një konfirmim nga AKR-ja se do të votojë të nominuarin për kryetar të Kuvendit nga PDK-ja, Kadri Veseli.

Sipas Kushtetutës, “Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”.

Në këtë rast, Partisë Demokratike të Kosovës i takon ta propozojë kandidatin për të parin e Kuvendit të Kosovës.

Kadri Veseli, i cili është kryetari PDK-së, për Lëvizjen Vetëvendosje është kandidat i papranueshëm dhe siç janë deklaruar ata nuk do ta votojnë në asnjë rast.

Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nuk do të mund të vazhdohet me asnjë procedurë tjetër rreth formimit të institucioneve.

Në rast të zgjedhjes se kryetarit të Kuvendit, më pas fillon faza prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë.

Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, kjo e drejtë i takon koalicionit PAN (PDK, AAK dhe Nisma) si fitues i zgjedhjeve. Për formimin e Qeverisë janë të nevojshme të paktën 61 vota të deputetëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG