Ndërlidhjet

Marrëveshja Maqedoni-Bullgari, mbyll kontestet mes dy shteteve?


Zoran Zaev dhe Bojko Borisov
Zoran Zaev dhe Bojko Borisov

Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes Maqedonisë dhe Bullgarisë kryesisht ka marrë vlerësime pozitive, por edhe kritika të caktuara para se gjithash nga opozita maqedonase si dhe njohës të ndryshëm të çështjeve historike.

Bashkim Selmani, analist politik dhe profesor në Universitetin e Tetovës, thotë se marrëveshja shënon një fazë të re në raportet e Maqedonisë me shtetet fqinje, që i hap rrugën integrimit euroatlantik të vendit.

Kjo është një erë e re për Maqedoninë në aspektin e përgjithshëm. Nga fqinjësia e mirë përshpejtohet qëllimi dhe premtimi i partive politike për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ky është vetëm se një hap i parë, dhe unë shpresoj që ndërkombëtarët do të japin të njëjtën ndihmë edhe në zgjidhjen e kontestit me Greqinë. Pra, marrëveshja është një hap për ta përshëndetur. Sa i përket rolit të shqiptarëve, besoj se ai ka qenë pozitiv dhe ka ndihmuar që të mos ketë ndonjë ngatërresë eventuale”, thotë Selmani.

Por, ndryshe mendon Sotir Kostov, njohës i çështjeve politike, i afërt me politikat e VRMO-së së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Qëllimi kryesor është që të mos ketë Maqedoni, qëllimi kryesor është që të mos pranohet ekzistimi i popullit maqedon. Bullgarët në emër të fqinjësisë së mirë arritën të realizojnë atë që nuk mundën në 120 vjetët e fundit".

"Marrëveshja ka dobësi të shumta dhe tërheqje nga pozicionet kombëtare. Bullgarët gjithmonë kanë thënë se nuk mundet që një popull te jetojë në dy shtete dhe tani me këtë marrëveshje po i realizojnë ëndrrën e tyre, meqë ajo parasheh ndërhyrje në çështjet e brendshme gjoja duke u interesuar për pakicën bullgare në Maqedoni, ndërsa mohon ekzistimin e pakicës maqedonase në Bullgari”, thotë Kostov, duke kritikuar, siç thotë, se gjuhën e përdorur gjatë hartimit të marrëveshjes, e që lënë hapësirë për interpretime të ndryshe.

Por, ndryshe nga kritikuesit e marrëveshjes, përfshirë edhe VMRO DPMNE-në e Nikolla Gruevskit, kryeministri Zoran Zaev, të mërkurën, edhe njëherë ka përsëritur se marrëveshja ofron të ardhmen për qytetarët e dy vendeve, duke përçuar mesazhin se rajoni është i përcaktuar të ecë drejt vlerave evropiane.

Sot, ne bashkërisht përcjellim mesazhin se rajoni është i gatshëm të udhëheqë politika të pjekurisë dhe përkushtimit ndaj qytetarëve të tij. Rajoni po sillet në mënyrë evropiane dhe meriton të fitojë shansin që të zhvillohet në familjen euroatlantike. Qeveria e Maqedonisë ka vendosur bazat e bashkëpunimit edhe me shtetet tjera të rajonit, dhe me të drejt presin shtrirjen e dorës së bashkëpunimit edhe nga shtete tjera”, ka deklaruar Zaev, i cili së bashku me kryeministrit bullgar, Bojko Borisov, kanë vendosur kurora lulesh në varrin e Goce Dellçevit që llogaritet si hero kombëtar i dy shteteve.

Ndërkohë, pas Bashkimit Evropian, marrëveshja është përshëndetur edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit, duke e vlerësuar si shembull për zgjidhjen e qetë të problemeve mes shteteve fqinje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës urojnë Bullgarinë dhe Maqedoninë për nënshkrimin e Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim. Kjo marrëveshje e rëndësishme, e hap derën për bashkëpunim edhe më të afërt në sfera të ndryshme. Nënshkrimi i saj do t'i kontribuojë stabilitetit politik dhe zhvillimit ekonomik në rajonin më të gjerë dhe ofron shembull inkurajues për atë se si dallimet midis fqinjëve mund të zgjidhen në mënyrë të qetë”, thuhet në reagimin e Departamentit amerikan të Shtetit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG