Dita e dytë e Kuvendit
Përshëndetje të gjithëve!
Po e rihapim blogun për t'i ndjekur nga afër zhvillimet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ligjvënësit e të cilit pritet të mblidhen sot në përpjekje të dytë për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit.
Megjithatë, nuk është ende e qartë se si do të jetë epilogu i seancës së sotme, duke qenë se përfaqësuesit e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, që njihet si PAN, kanë thënë se nuk do të marrin pjesë sot.
Lexoni këtu arsyetimin e tyre.
Të nderuar lexues,
Këtu po e përmbyllim këtë mbulim direkt të zhvillimeve në Kuvend.
Të rejat më të fundit nga Kosova, rajoni dhe bota, mund t'i ndiqni në faqen tonë të internetit evropaelire.org.
Redaksia
Seanca, të premten
Mungesa e koalicionit PAN në vazhdimin e seancës ka shtyrë konstituimin e Kuvendit për të premten.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me partitë partnere, i kanë kërkuar koalicionit PAN (PDK, AAK dhe Nisma) që të heqë dorë nga kandidatura e Kadri Veselit për postin e kryetarit të Kuvendit, në mënyrë që të zgjidhet nyja e formimit të institucioneve.
Glauk Konjufca nga Vetëvendosje dhe Avdullah Hoti nga LDK thanë se Veseli mbetet i papranueshëm, kurse nuk e kanë përjashtuar mundësinë që ta votojnë një kandidat tjetër.
Ligjvënësit nga rradhët e koalicionit PAN mungesën e tyre në seancë e kanë arsyetuar me vendimin e zotit Mikullovci, për ta përmbyllur pjesën e parë të seancës.
Ata kanë thënë se PAN-i merr pjesë në seancën e radhës, e paraparë të mbahet të premten në orën 10:00.
Seanca i vazhdon punimet, pa PAN-in
Seanca konstituive po i vazhdon punimet, por pa subjektin fitues të zgjedhjeve, koalicionin PAN (PDK, AAK dhe Nisma)
Deputetët e koalicionit PAN nuk janë paraqitur ende në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku ishte paraparë që nga ora 15:00 të vazhdonte seanca konstituive.
Njëri nga deputetët e këtij koalicioni, Milaim Zeka nga Nisma për Kosovën tha se deputetët e PAN-it nuk do të vijnë në vazhdimin e seancës.
Facebook Forum