Presidenti amerikan, Donald Trump, sot ka siguruar koncesione për tregti dhe klimë në komunikatën finale të samitit të grupit G20 në Hamburg të Gjermanisë, në atë që kancelarja, Angela Merkel, e karakterizoi si nevojë për kompromis.
Pas samitit dyditësh në të cilin tensionet lidhur me klimën dhe tregtinë ishin shtuar, të 19 anëtarët e tjerë të klubit të vendeve më të industrializuara dhe atyre në zhvillim në botë, e pranuan në deklaratën përfundimtare vendimin e Uashingtonit nën presidentin, Donald Trump, për tërheqje nga Marrveshja për klimë në vitin 2015 në Paris.
Në komunikatë, po ashtu, i është bërë lëshim palës amerikane për përfshirjen e terminologjisë për karburantet nga fosilet, të cilën liderët e tjerë kishin hezituar ta përdornin.
Duke folur para gazetarëve, sot në ditën e dytë të samitit, kancelarja Merkel tha se ishte “shumë e lumtur” se të gjithë anëtarët e tjerë janë pajtuar se Marrëveshja për klimë e arritur në Paris në vitin 2015, është “e pakthyeshme”.
Duke i përshkruar negociatat për klimën dhe çështjet e tjera si “të ndërlikuara”, zonja Merkel është shprehur se roli i saj si nikoqire përfshinte edhe lehtësimin e “kompromisit” pasi “grupi mund të arrijë më tepër së bashku se individualisht”.
Dita finale e samitit u bë pas një nate tjetër të dhunës nëpër rrugët e Hamburgut, me ç’rast janë përleshur aktivistët antiglobalizim dhe policia. Kjo dhunë sikur e ka vënë nën hije samitin e liderëve të vendeve më të industrializuara dhe atyre në zhvillim.
Tregtia ishte një tjetër çështje ku kishte mospajtime gjatë bisedimeve, dhe në deklaratën finale është lënë hapësirë për presidentin Trump, që të lëvizë përpara me politikën e tij tregtare “së pari Amerika”, e cila e ka dëmtuar konsenzusin për globalizim dhe tregti prej se ai është inauguruar në janar të këtij viti.
Një zyrtar i Bashkimit Evropian, që ishte i afërt me negociatat, i tha Radios Evropa e Lirë se ndihmësit kanë punuar deri në orën 2 të mëngjesit të sotëm për deklaratën e përbashkët të grupit G20, duke arritur konsenzus për përfshirjen e “luftimit të protekcionizmit”, shprehje kjo për të cilën amerikanët kishin hezituar që të pajtoheshin.
Por, në komunikatën për të parën herë përfshihet e drejta e vendeve për t’i mbrojtur tregjet e tyre me “instrumente tregtare legjitime mbrojtëse”.
Në këtë samit, pos presidentit amerikan, Donald Trump, merrnin pjesë edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe zyrtarët më të lartë të vendeve evropiane dhe atyre aziatike.
Seksioni për ndryshimet klimatike, po ashtu, kishte mbetur çështje e mospajtimeve.
Shtetet e Bashkuara kërkojnin që të “punohet për së afërti me vendet e tjera për t’i ndihmuar që ato të kenë qasje dhe të përdorin karburant të fosileve në mënyrë më të pastër dhe efikase dhe t’i ndihmoj ato që të kenë burime të tjera energjetike të pastra dhe ripërtritëse”.
Liderët evropianë nuk kanë qëndrim pozitiv ndaj kësaj terminologjie, ka thënë një zyrtar i BE-së.
Ekziston “një masë kritike e vendeve”që nuk pajtohen me përfshirjen e kësaj reference në komunikatën përfundimtare, ka raportuar agjencia Reuters.
Por në deklaratën finale është përfshirë terminologjia e kërkuar nga Shtetet e Bashkuara.
Rruga pa krye për këtë çështje u bë derisa liderët botërorë këtë javë e kishin shtuar presionin ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, pas shpalljes së tij se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin ga Marrëveshja e Parisit për ndryshime klimatike e vitit 2015.
“Ne nuk po zhvillojmë negociata të reja për marrëveshjen e Parisit, e cila mbetet, por dëshiroj të shoh se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë mënyra për tu ribashkuar”, i tha rrjetit BBC, kryeministrja e Britanisë, Theresa May.
Një zyrtar i qeverisë së Gjermnaisë i tha Radios Evropa e Lirë se Merkel, Putin dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, janë pajtuar gjatë një mëngjesi punues, se armëpushimi për pjesën lindore të Ukrainës, i njohur si Marrëveshjet paqësore të Minskut, duhet të implementohen.
Dita e parë e samitit të Hamburgut ishte nën hije për shkak të trazirave dhe vandalizmit nga grupet e vogla të radikatëve në mesin e 100 mijë protestuesve antiglobalizim, që kishin dalur në rrugët e Hamburgut.
Derisa presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ai rus, Vladimir Putin, ishin takuar dje për më tepër se dy orë, mbi qytet është parë tymi i makinave dhe barrikadave të djegura nga demonstruesit.
Pas një dite të zjarreve, vjedhjes dhe plaçkitjeve, nga ana e protestuesve radikalë, përfshirë edhe anëtarët e lëvizjes antikapitaliste, Black Bloc (Blloku i Zi), policia ia doli që sot herët në mëngjes t’i pastroj rrugët, me përdorim të makinave të blinduara, topave të ujit dhe gazit lotsjellës.
Autoritetet thanë se më se 200 policë janë lënduar gjatë dhunës në dy ditët e fundit dhe se më se 200 demonstrues janë arrestuar.
Përkundër trazirave nëpër rrugë, presidenti Trump e ka lavdëruar kancelaren Merkel për organizimin e samitit me komente në fillim të ditës së dytë, se kancelarja gjermane ishte “e mrekullueshme dhe kishte bërë punë të jashtëzakonshme”.
“Lidershipi juaj është absolutisht i jashtëzakonshëm dhe shumë inspirues”, tha Trump.
Presidenti Trump, më herët dukej se kishte tensione me zonjën Merkel duke e kritikuar hendekun tregtar të Shteteve të Bashkuara me Gjermaninë dhe shpenzimet ushtarake të Gjermanisë që nuk janë në harmoni me GDP-në e saj. Këto kritika e kishin zemëruar establishmentin politik gjerman.
Përgatiti: Fatmir Bujupi
Facebook Forum