Ndërlidhjet

KQZ: Këtë javë shpallen rezultatet përfundimtare 


Zgjedhjet e 11 qershorit
Zgjedhjet e 11 qershorit

Gjatë kësaj javë pritet shpallja zyrtare e rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 11 qershor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka konfirmuar se ka përfunduar tashmë rinumërimi i rreth 425 kutive të votimit për të cilat është kërkuar një procedurë të tillë dhe atyre me postë. Kurse tash ka filluar numërimi i votave me kusht, që llogariten të jenë rreth 25 mijë.

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha për Radion Evropa e Lirë se procesi i rinumërimit të votave dhe atyre me postë është zhvilluar pa ndonjë problem.

Ai i tha se gjatë kësaj jave, KQZ-ja do të dal me rezultate përfundimtare.

Janë 25 mijë vota më kusht që presim të numërohen shumë shpejtë dhe më pas do t’i vjen radha edhe shpalljes përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Po besojmë se gjatë kësaj jave, KQZ-ja do të dal më rezultate përfundimtare”, tha Elezi.

​Edhe organizatat joqeveritare që kanë monitoruar procesin e zgjedhjeve të 11 qershorit dhe po monitorojnë procesin e numërimit të votave, thonë se tek rinumërimi i kutive të votimit dhe atyre nga jashtë nuk është vërejtur ndonjë manipulim.

Por, tek votat me kusht është paraqitur një mospërputhje e numrit të votave të deklaruara ditën e zgjedhjeve dhe atyre janë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Albert Krasiniqi nga koalicioni i organizatave “Demokracia në Veprim”, tha për Radion Evropa e Lirë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të jep ndonjë sqarim për shpërputhjen e numrit të votave më kusht.

Tek votat më kusht është një mospërputhje sa i përket numrit të votave që janë deklaruar në rezultatet preliminare në ditën e zgjedhjeve, ku është thënë se janë 32 mijë vota më kusht, kurse aktualisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë vetëm 25 mijë vota me kusht. Është një mospërputhje prej rreth 7.000 votave”, tha Krasniqi.

Edhe Rasim Alija, nga Organizata joqeveritare “Demokracia për Zhvillim”, që procesin zgjedhor e ka monitoruar në kuadër të koalicionit “Demokracia në Veprim”, thotë se procesi në përgjithësi ka shkuar në rregull, me disa probleme teknike.

Alija shpreson se deri në fund të kësaj jave do të publikohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

Dhe potencialisht, ditën e enjte apo në fund të kësaj jave është dashur të kemi rezultatet e certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve” tha Alija .

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja, brenda 30 ditësh në bazë të Kushtetutës, duhet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, thotë në anën tjetër, Albert Krasniqi. Më pas, nënvizon ai, fillon procedura e zgjedhjes së Qeverisë.

Seanca e konstituive parasheh verifikimin e deputetëve të cilët duhet të betohen dhe në këtë mënyrë të fillojnë mandatin e tyre. Kurse zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet me propozim të koalicionit PAN, si koalicion që ka dalë i pari në zgjedhje”.

Për t’u zgjedhur kryetar i Kuvendit duhet të sigurohen të paktën shumica e votave të deputetëve. PAN mund të propozojë për Kryetar të Kuvendit secilin prej 120 deputetëve të cilët janë zgjedhur në Kuvendin e Kosovës”, thekson Krasniqi.

Ndryshe, në bazë të rezultatit preliminar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Nisma, ka fituar 34 për qind të votave, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 27 për qind, kurse në vendin e tretë është koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa me 25.7 për qind të votave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG