Njohësit e çështjeve politike thonë se Qeveria e re e Maqedonisë ndodhet përpara një sfide të madhe, asaj të de-politizimit të administratës publike.
De-politizimi i administratës është një nga shtyllat kryesore që janë apostrofuar si kërkesa nga Brukseli në rrugëtimin e Maqedonisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Borce Davitkoski, ligjërues në Fakultetin Juridik në Shkup, tha për Radion Evropa e Lirë se me çdo ndryshim të pushtetit, rreth 5 mijë funksionarë të cilët janë në pozita strukturore, siç janë drejtuesit e klinikave, drejtuesit e institucioneve kulturore, ata të ndërmarrjeve publike deri tek drejtorët e shkollave, caktohen në bazë të përkatësive partiake.
Davitkoski, thotë se duhet t’i jepet fund praktikës që me ndërrimin e pushtetit të ndërrohen të gjithë, nga kryeministri deri tek punonjësit e higjienës.
“Ata që punojnë si këshilltarë në dikastere të ndryshme ministrore, ose drejtues sektorësh, gjithsesi që duhet të mbeten në vendin e njëjtë, sepse për edukimin e tyre është shpenzuar kohë por edhe janë derdhur mjete. Nëse vendosen persona të tjerë do tu duhet kohë për të mësuar rrjedhën e punës e cila kohë është shumë e rëndësishme për Maqedoninë në këtë moment që duhet të realizoj reformat për të përshpejtuar procesin e integrimeve në strukturat euroatlantike”, thotë Davitovski.
Kjo Qeveri, sipas tij, gjendet para sfidës së madhe që të ndërpres praktikën nga e kaluara dhe ta çliroj administratën nga influenca politike.
Ndërkaq, Ardita Abazi Imeri, nga Instituti për Politika Evropiane, thotë se politizimi iadministratës ka bërë që në vazhdimësi të shënojë ulje cilësia e shërbimeve nga ana e punonjësve në administratë.
Imeri thotë se duhet filluar me ndërprerjen e revanshizmit politik.
“Është e rrënjësishme që Qeveria e re, ndryshimet në establishmentin qeveritar të mos reflektohen tek nëpunësit civil duke u përballë me presionin se tani këta kur të marrin pushtin do të kenë dënime ose revanshizëm për faktin se kanë qenë në anën e kundërt politike”.
“Vetë fakti se nuk do të këtë revanshizëm, paraqet një lehtësim psikik për nëpunësit dhe në këtë mënyrë eliminohet një element shumë i rëndësishëm që ndikon në uljen e cilësisë së shërbimeve për qyqarët nga ana e administratës”, thotë Ardita Abazi Imeri.
Përderisa, Marko Toshanovski nga Instituti për Demokraci, konsideron se depolitizomi i administratës publike paraqet udhërrëfyes se sa afër apo larg është Maqedonia sa i përket të qenit pjesë e familjes evropiane.
“De-partizimi i administratës publike paraqet një proces i cili kërkon kohë, sepse në një afat të shkurtër nuk mund të shihen rezultatet e pritshme”.
“Problem më vete është dhe mosrespektimi i rregullativës ligjore që ka të bëjë me ngritjen profesionale sipas sistemit meritor si dhe aftësimin dhe ri-shkollimin e kuadrit të angazhuar në administratë në pajtim me kërkesat nga Bashkimi Evropian”, thotë Troshanovski.
Në bazë të të dhënave të raportit vjetor të publikuara në fillim të këtij viti nga Ministria e Shoqërisë Informatike, administrata shtetërore numëron 129 mijë të punësuar, por analizat e sektorit civil kanë nxjerrë në pah se ky numër është shumë më i lartë, madje duke arritur mbi 184 mijë, përfshirë këtu dhe të angazhuarit me kontratë në vepër.
Administrata publike llogaritet si më e mbingarkuara nga vendet e rajonit. Kryeministri i ri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka qetësuar punonjësit e administratës publike duke thënë se pavarësisht se si janë punësuar, ata që kryejini me nder punën, nuk do të dëbohen nga puna.
Ministri i ri i Shoqërisë Informative, Damjan Mancevski, ka bërë të ditur se mbi 1 mijë e 600 të punësuar në bazë të marrëveshjes së Ohrit, marrin pagë, por qëndrojnë në shtëpi. Për këta persona, ai ëshët zotuar se brenda një afati sa më të shkurtër kohor, do të sistemohen në vende pune në dikasteret përkatëse.