Administrata publike në Maqedoni vazhdon të rritet përkundër thirrjeve të vazhdueshme për nevojën e shkurtimit, por edhe të profesionalizmit të saj.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe administratë publike, numri i shërbyesve publik sillet në rreth 129 mijë persona, por në këtë numër nuk janë përfshirë të zgjedhurit nëpër institucione si deputetë, ministra, këshilltarë e funksionar të tjerë.
Njohësit e çështjeve juridike, thonë se numri i të punësuarve në administratën publike është shumë më i lartë ndërsa shprehin shqetësimin për vazhdimin e partizimit të këtij segmenti shumë të rëndësishëm në vend.
“Ky numër gjithsesi se është shumë më i madh, besoj se numri sillet në rreth 180 mijë e jo në 120 mijë apo më shumë siç deklarojnë nga ministria përkatëse. Ata kanë interes që të fshehin numrin real të shërbyesve administrativ pasi është fakt se ky numër ka një kosto të lartë mbi buxhetin e shtetit”, thotë Temelko Ristevski, profesor në Universitetin FON të Shkupit dhe njohës i sferës së administratës publike.
Se administrata është joprofesionale flet edhe raporti i fundit i Avokatit të Popullit. Kreu i këtij institucioni Ixhet Mehmeti, thotë se nevojitet një analizë e detajuar mbi nevojat dhe obligimet e çdo të punësuari në administratë.
“Ende kemi institucione jofunksionale, të politizuara madje deri në skajshmëri. Disa prej tyre realizojnë edhe agjenda partiake. Pa një analizë konkrete të nevojave të administratës nuk mund të flasim, nuk mund të flasim për një sistem administrative kualitativ”, thotë Mehmeti duke shprehur dëshpërimin nga siç thotë anashkalimi apo mosmarrja parasysh e vërejtjeve që ka konstatuar zyra e tij.
Reformat kyçe që priten nga administrata publike kanë të bëjë me profesionalizimin dhe departizimin e shërbimit shtetëror.
Kjo është theksuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian i cili ka konstatuar mangësi të shumta në punën e administratës, si presione ndaj të punësuarave, mungesë të transparencës, rritje artificial të numrit të të punësuarve pa respektimin e kritereve as minimale për nevojën dhe shërbimet që duhet të ofrojnë.
Borçe Davitkovski, njohës i çështjeve të administratës dhe profesor në fakultetin juridik të Universitetit të Shkupit, thotë se për zbatimin e reformave në administratë pikë së pari nevojitet vullnet politik. Ai thotë se ligjet ekzistojnë por se mungon vullneti për zbatimin e tyre në praktik.
“Në Maqedoni çdo herë ka qenë problem që të ketë vullnet për reforma të vërteta. Në botë ekzistojnë dy modele të administratës, njëri në funksion të realizimit të të drejtave të njeriut dhe tjetri në funksion të realizimit të politikave qeveritare. Të gjitha shtetet perëndimore praktikojnë modelin e parë, dhe për fat të keq Maqedonia ende është në fazën ku administrata është në funksion të realizimit të politikave qeveritare”, thotë Davitkovski.
Sipas të dhënave të raportit vjetor numri më i madh i të punësuarve është me arsim të lartë, apo rreth 48 mijë persona, me arsim të mesëm afër 36 mijë, mbi 8 mijë me arsim fillor, mbi dy mijë magjistra dhe mbi 1.700 doktor shkencash. (REL)