Në veri hapen 44 qendra votimi – atje po qëndron edhe Marko Gjuriq
Në veri të Mitrovicës, nga ora 07:00 e mëngjesit janë hapur 7 qendra të votimit. Kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor, Sllobodan Dimitrijeviq ka thënë se deri më tani procesi po zhvillohet pa ndonjë problem.
Në mëngjes ka votuar edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës veriore Goran Rakiq. Po ashtu, në veri të Mitrovicës, është parë edhe Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, të cilit kohëve të fundit, Qeveria e Kosovës në disa raste ia kishte ndaluar hyrjen në Kosovë për shkak të disa deklaratave të bëra.
Në veri të Kosovës ka gjithsej 44 qendra të votimit, në Mitrovicën veriore 7, në Zveçan 7, në Zubin Potok 12 dhe në Leposaviq 18 qendra të votimit.
Hoti: Këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës
I nominuari për kryeministër nga koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativa, Avdullah Hoti, ka votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Unë ftojë të gjitha ata që të janë involvuar në këtë proces zgjedhor të respektojnë rregullat. Ftoj qytetarët që të votojnë, sepse kjo është një e drejtë kushtetuese për të vendosur për të ardhmen e vet dhe të familjes së tyre”, theksoi Hoti.
Delawie: Kosova të tregojë shembull për zgjedhje të mira
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie po viziton qendrat e votimit në Prishtinë, si dhe vëzhguesit nga koalicioni Demokracia në Veprim.
Delawie tha se Kosova mund t’i tregojë Ballkanit dhe botës se si duhet të zhvillohet një proces zgjedhor.
“Kosova le të jetë shembull për zgjedhje të mira, pa incidente dhe të monitoruara mirë”, ka thënë Delawie.
Ambasada amerikane në Prishtinë është duke vëzhguar nga afër procesin e zgjedhjeve. Kjo ambasadë ka shpërndarë katër ekipe për të përcjellë procesin zgjedhor në gjithë Kosovën.
DnV: Raportohen shkeljet e para
Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka raportuar shkeljet e para gjatë procesit të votimit.
Albert Krasniqi nga ky koalicion, në konferencën e parë për media, ka thënë se në 68.3 për qind të vendvotimeve, është raportuar se “gjenden persona të pa autorizuar, militantë partiak të cilët në këtë mënyrë pengojnë procesin e lirshëm të qytetarëve”.
Megjithatë, Krasniqi ka thënë se nuk është raportuar për ndonjë incident serioz, për të cilin është dashur të ndërhyjë Policia e Kosovës.
"Pra, gjendja është e qetë dhe votimi po rrjedh normalisht", ka thënë Krasniqi.
Facebook Forum