Ndërlidhjet

Vuçiq: Koha të bisedojmë për Kushtetutën dhe Kosovën


Aleksandar Vuçiq gjatë betimit si president
Aleksandar Vuçiq gjatë betimit si president

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se ka ardhur koha të bisedohet guximshëm për Kushtetutën e Serbisë dhe Kosovën.

Mendoj se qëndrimi ynë duhet të jetë në harmoni me problemet jetësore, me atë që e mundon popullin tonë në Kosovë, me ato që janë të drejta të shtetit tonë”, ka deklaruar Vuçiq.

Por harroni se ne jemi të vetmit që vendosim për këtë, sepse e dimë mirë se cili është roli i shqiptarëve në këtë. Gjërat duhet t’i vëmë në rrafsh dhe nivel racional dhe në atë mënyrë të bisedojmë”, ka thënë Presidenti i ri i Serbisë, i cili ka dhënë betimin të mërkurën.

Unë mendoj ta hap këtë diskutim guximshëm, pavarësisht se e di që përsëri do të lajmërohen disa gjeni që do të ma tundin tabelën “tradhtar” dhe ashtu-kështu të fshihen nga shikimi i vajzës dhe birit tim, sepse nuk e kanë të këndshme t’i shikojnë në sy, derisa mbajnë marri të tilla në duar”, ka theksuar ai.

Këtë e them pikërisht për shkak se brengosem për të ardhmen e Serbisë”, është shprehur Vuçiq.

Një temë është edhe ndryshimet kushtetuese. Të flasim për këtë. Unë dëshiroj të hap dialog shoqëror që do të zgjasë tre muaj, gjashtë muaj. Për njërën dhe temën tjetër, edhe për Kushtetutën, edhe për raportin tonë ndaj Kosovës, por nëse doni edhe për raportin tonë ndaj gjithë rajonit dhe kështu me radhë”, ka thënë Vuçiq.

Ta shohim se çfarë është politika e jonë dhe ku e shohim Serbinë pas disa vitesh dhe jo pas një viti. Të shohim se çfarë është politika për të cilën luftojmë”, ka deklaruar ai.

Nëse mundemi që ta hapim një lloj të tillë të dialogut me partitë politike, me të gjithë përfaqësuesit politik, e pse jo edhe me bashkësitë fetare, me shoqërinë civile me sektorin joqeveritar, me të gjithë. Të shohim pra, se çfarë janë caqet e Serbisë dhe ku është vendi i Serbisë në të ardhmen. Çfarë është ajo ku ne e shohim Serbinë. Dhe kur të vendosni qëllimet strategjike, atëherë do të mund ta gjeni rrugën”, ka theksuar Vuçiq.

Në fund, Vuçiq ka deklaruar se të ‘ngasësh dhe të mos dish ku të parkosh në fund, asnjëherë nuk mund të përfundoj mirë’.

Vuçiq e ka marrë postin e presidentit nga paraardhësi i tij, Tomisllav Nikoliq.

Betimi dhe fjalimi i tij i parë para Kuvendit të Serbisë si president i këtij vendi, ku përmendet edhe Kosova, është kritikuar nga përfaqësuesit politik në Prishtinë, duke i thënë atij se “Kosova, kurrë nuk do të jetë pjesë e Serbisë”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG