Ndërlidhjet

Rikthimi i BE-së në Ballkanin perëndimor


Ilustrim
Ilustrim

Ngjarjet që kanë ndodhur në vendet e Ballkanit perëndimor që nga fillimi i këtij viti, kanë bërë që Bashkimi Evropian, në muajt e fundit, ta kthejë vëmendjen në këtë rajon, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Vigan Qorolli, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se takimi i së mërkurës i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini me kryeministrat e vendeve të Ballkanit perëndimor, është një nga sinjalet se Bashkimi Evropian po e kthen vëmendjen kah Ballkani perëndimor.

Sipas tij, në kohën e trazirave të mëdha për shkak të refugjatëve nga Lindja e Mesme, Bashkimi Evropian, orientimin e tij strategjik do të duhej ta ketë kah Ballkani perëndimor, vendet e të cilit po e kalojnë një periudhë shumë të trazuar politike.

“Kemi parasysh këtu, përveç Kosovës dhe Shqipërisë, Maqedoninë, Serbinë, por edhe Malin e Zi dhe rritjen e vazhdueshme të influencës ruse në vendet me popullsi kryesisht sllave".

"Prandaj, kemi rrethanat, të cilat Bashkimi Evropian, me takimin e fundit të zonjës Mogherini me liderët e Ballkanit perëndimor, kërkon t’ua bëjë të qartë se perspektiva e tyre e vetme është Bashkimi evropian dhe reformat e thella ekonomike, politike dhe juridike, të cilat ata duhet t’i ndërmarrin në shtetet respektove, janë të vetmet mundësi për t’i orientuar vendet e tyre në cakun e tyre final, që është anëtarësimi në BE”.

Expose: "Kisha në binarë" çon Brukselin në këmbë [27 janar, 2017]

"Kisha në binarë" çon Brukselin në këmbë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:06:09 0:00

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se jo vetëm takimi i Federica Mogherinit me liderët e Ballkanit perëndimorë shënon një kthim të vëmendjes së BE-së drejt rajonit.

Sipas tij, muajt e fundit është diskutuar në shumë qarqe diplomatike, si dhe ne debatet brenda institucioneve të Bashkimit Evropian për nevojën kthimit të vëmendjes në Ballkanin perëndimor.

Nevoja që kushtëzon një kthim të tillë të vëmendjes, janë rreziqet potenciale që ky rajon mund t’i ketë dhe t’i prodhojë, jo vetëm për vendet e rajonit veç e veç, por edhe për të gjithë kontinentin e Evropës.

“Ballkani perëndimor, në njëfarë forme, është bërë si urë lidhëse, qoftë për kalimin e migrantëve, qoftë për kalimin e grupeve të ndryshme që emërtohen si grupe terroriste. Pastaj është edhe influenca jo pak e vogël ruse në disa prej vendeve të Ballkanit perëndimor. Kështu që, të gjitha këto, janë rrethana që mendoj se BE-në përfundimisht e kanë bërë të mendojë ndryshe në raport me Ballkanin perëndimor dhe që ta ngrejë pak vëmendjen në raport me këto vende”.

Profesor Ujkani ka shtuar se retorika është ajo që i paraprinë gjendjes konflikuoze ose konflikteve të mundshme, ndërkaq që muajt e fundit në Ballkanin perëndimor, një retorikë e tillë është parë si e shtuar.

Sipas tij, një qëndrim tendencioz është parë në Beograd ndaj Kosovës dhe, siç thotë ai, në mënyrë të heshtur edhe ndaj Bosnjë e Hercegovinës, si dhe ka pasur përkeqësim raportesh ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë.

Pastaj, ngjarjet në Mal të Zi, deklaratat e lidershipit në Shqipëri dhe situata jo stabile në Maqedoni, janë shkëndija që i paraprijnë një situate të re konfliktuoze, thotë Ujkani.

Mendim të ngjashëm ka edhe profesor Qorolli, i cili thekson se të gjitha këto sinjale kanë ndezur alarmin në Bashkimin Evropian për Ballkanin perëndimor.

“Sigurisht që alarmet janë ndezur. Tashmë kur retorikat nacionaliste po rriten gjithandej në BE, shtetet e Ballkanit perëndimor kërkojnë një vëmendje më të thellë të Bashkimit Evropian, për t’i trasuar reformat, të cilat ato duhet t’i ndërmarrin".

Profesor Ujkani ndërkaq thotë se Bashkimi Evropian është duke u përpjekur që ta kuptojë drejtë situatën në Ballkanin perëndimor.

“Tash, natyrisht që BE-ja, pas zgjedhjeve në Francë, është në një pozicion më të favorshëm dhe do të jetë, besoj, në një pozitë edhe më të mirë pas zgjedhjeve në Gjermani, në shtatorin e këtij viti, që t’i japë një shtytje më të madhe proceseve integruese në Ballkanin perëndimor, gjë që nuk është e thënë që integrimi të ndodhë me automatizëm. Por, në fakt, këto vende do ta shohin që vërtetë një proces i tillë mund të ndodhë dhe do të ndodhë”.

Njohësit e të drejtës ndërkombëtare dhe të asaj evropiane, kanë shprehur mendimin se elitat politike në Ballkanin perëndimor duhet të fillojnë të mendojnë, siç thonë ata, në mënyrë evropiane, që nënkupton zero tolerancë ndaj korrupsionit, si dhe gjyqësi të pavarur dhe të depolitizuar.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG