Ndërlidhjet

Subjektet politike nuk respektojnë thirrjet për lista “të pastra”


Foto arkiv
Foto arkiv

Subjektet politike të cilat janë certifikuar të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, kanë respektuar vetëm pjesërisht thirrjet ose sugjerimet e faktorit ndërkombëtar dhe të shoqërisë civile, që listat e tyre zgjedhore të mos përmbajnë emra të personave të inkriminuar ose që kanë dosje të hapura nëpër gjykata, thonë njohësit e zhvillimeve në vend.

Valmir Ismajli nga organizata joqeveritare Demokraci plus, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se në krahasim me zgjedhjet e kaluara, të vitit 2010 dhe të vitit 2014, për zgjedhjet e tashme parlamentare mund të vërehet përparim në, siç e quan ai, “pastrimin e listave” nga personat e inkriminuar ose që kanë dosje të hapura nëpër gjykata. Por, megjithatë, sipas tij, persona të tillë, figurojnë edhe në listat e subjekteve politike që tashmë janë publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në asnjërin subjekt nuk mund të gjesh lista plotësisht të pastra. Prandaj, mund të them që ndoshta pjesërisht është respektuar ajo kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ose e shoqërisë civile. Megjithatë, nuk e di nëse përjashtimi i këtyre personave nga këto lista, ka ndodhur për shkak se me të vërtetë ata kanë dashur t’i respektojnë miqtë ndërkombëtarë ose shoqërinë civile, apo sepse edhe vet janë frikësuar se prania e njerëzve të tillë në lista do të shkaktonte humbje të votave”.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë politike në Kosovë, fatkeqësisht nuk iu kanë përgjigjur si duhet thirrjeve të shoqërisë civile dhe faktorit ndërkombëtar që të kenë lista “të pastra”.

Partitë politike, në listat e tyre ende vazhdojnë të kenë emra ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza, madje edhe për korrupsion. Fatkeqësisht nga kjo nuk shpëtojnë asnjë prej partive politike, që janë si blloqe të mëdha, në fakt, te Lëvizja Vetëvendosje kemi të akuzuar për vepra tjera, por jo për korrupsion. Ky është një mesazh i keq që partitë politike, thjeshtë, vazhdojnë të mbështeten te këta individë, të cilët kanë fuqi shumë të madhe dhe që mund t’ju sjellin vota”.

Por, sa mund t’i sjellin dëm partive politike, por edhe institucioneve të vendit dhe shoqërisë në përgjithësi, personat të përfolur për korrupsion dhe që kanë dosje të hapura nëpër gjykata, në rast se ata eventualisht fitojnë mandatin e deputetit dhe më pas eventualisht edhe shpallen të fajshëm nga gjykatat?

Ismajli thekson se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, deputetët kanë imunitet vetëm për punën që e bëjnë brenda Kuvendit, por jo edhe për çështje të korrupsionit apo krimeve tjera.

Nëse, ta zëmë, ndonjëri prej tyre zgjidhet si deputet ose më vonë kalon në poste ekzekutive, atëherë mund t’i kushtojë institucionit, partisë politike e më së shumti i kushton qytetarëve të Kosovës, nëse personat e tillë do të përballen me drejtësinë dhe gjasat janë shumë të mëdha për këtë, sepse i kemi parë aty disa individë që janë në procese gjyqësore”.

Musliu thotë se secili individ, përfshirë edhe kandidatët për deputet në listat e subjekteve politike, të cilët janë të dyshuar ose kanë dosje të hapura nëpër gjykata për vepra të dyshuara për korrupsion dhe vepra të tjera penale, janë të pafajshëm derisa nuk dëshmohet e kundërta me vendim të plotfuqishëm të gjykatës.

Por, të njëjtit, meqë janë subjekte të procedurave gjyqësore, mund të shpallen të fajshëm potencialisht dhe mund të krijojnë probleme në legjislaturën e ardhshme. Natyrisht që zëvendësimi i tyre është mundësuar, por që në njëfarë forme është mesazh i keq nëse kjo ndodhë, sepse qytetari e humb besimin tek ata, të cilët i zgjedh”.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, me 11 qershor, do të garojnë 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare, me mbi 900 kandidatë që garojnë për 120 ulëset e Kuvendit të Kosovës.

Shtetet anëtare të QUINT-it u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos i votojnë personat e lidhur me krimin dhe për të cilët ka dyshime për afera korrupsioni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG