Çështja e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që u shndërrua në problemin qendror në Kuvendin e Kosovës, për më shumë se dy vjet, do të mund të vazhdojë ta përcaktojë edhe më tej skenën politike në vend, thonë përfaqësues të partive politike në Kosovë.
Demarkacioni, çoi në një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së Isa Mustafës, pas të cilit u shpërbë Kuvendi dhe Kosova hyri në një proces të ri të parakohshëm zgjedhor më 11 qershor.
Kjo çështje do të jetë, thonë ish-deputetët e Kuvendit, edhe faktor përcaktues i funksionimit të koalicioneve të lidhura ndërmjet partive politike, pas shpërbërjes së Kuvendit.
Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që e ka kundërshtuar me forcë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se partia e tij nuk do të lejojë në asnjë rast dëmtimin e vendit për çfarëdo lloj koalicioni.
Ai tha se partia e tij, dhe i nominuari i koalicionit për kryeministër, do të kërkojnë që të krijohet një tjetër mundësi për demarkacionin me Malin e Zi.
"Me kompromise për ta dëmtuar vendin më askënd nuk do të qëndrojmë", tha Lekaj.
Pak minuta para përfundimit të afatit zyrtar për regjistrimin e koalicioneve partiake në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Partia Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma arritën marrëveshjen duke iu kundërpërgjigjur një tjetër koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike dhe Aleancës Kosova e Re të Behgjet Pacollit.
Aleanca e zotit Haradinaj ka kundërshtuar me forcë demarkacionin, ndërkohë që Partia Demokratike e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ka mbajtur qëndrimin për votimin e marrëveshjes së arritur në Vjenë, ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për kufirin, në vitin 2015.
Por, një ish-deputet i Partisë Demokratike, Shukri Buja, i tha Radios Evropa e Lirë, se partia e tij do të mbështes partnerin e koalicionit, në këtë rast AAK-në, në idenë për demarkacionin.
"Nuk besoj se do të ketë prishje të koalicioneve. Po e shihni se si ngadalë partitë politike po i pastrojnë listat nga zërat kundër të cilët kanë qenë. Po e shihni që në LDK nuk po përfshihen kuadrat që kanë qenë kundër. Ngadalë, siç duket, po i konsolidojnë listat dhe koalicionet me ata që i kanë përkrahës të qëndrimeve të kryesive dhe kryetarëve. Realisht kanë nisur të koncentrohen me njerëzit e dëgjueshëm në lista dhe do të jenë, siç duket, njerëzit shumë të konsoliduar të zërit të kryetarit të partisë", tha Buja.
Ndërkohë, partia që ka drejtuar me Qeverinë e Kosovës në partneritet me Partinë Demokratike, LDK-ja, thotë se ka zgjidhje të ndryshme për demarkacionin dhe për këtë duhet vullnet politik.
Një pjesë e deputetëve të kësaj partie e patën kundërshtuar me forcë variantin e demarkacionit të paraqitur në Kuvend vitin e kaluar.
Ish -deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Besa Gaxheri, tha për Radion Evropa e Lirë, se ka shumë alternativa për demarkacionin që nuk do të shkaktonin probleme siç kanë ndodhur në të kaluarën.
"Ka pasur edhe tek LDK-ja kundërshtime për demarkacionin. Unë konsideroj se ka zgjidhje. Duhet të ulemi, ta diskutojmë dhe ta shohim bashkë edhe me aleatët tanë ndërkombëtarë, po edhe me shtetin fqinj Malin e Zi, dhe unë besoj se ka zgjidhje më të mirë të mundshme", tha Gaxheri.
Sipas saj as demarkacioni dhe as asociacioni nuk kanë qenë problematike as në të kaluarën, siç është paraqitur, pasi, sipas saj, koalicionet e fundit të bëra pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme kanë treguar se “ka pasur qëllime dhe lojëra të tjera politike”.
Çështja e demarkacionit ndërkaq, u vu si kusht themelor nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën pa përmbushjen e të cilit qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të jenë më të izoluarit në rajon.(REL)