Ndërlidhjet

Lunacek, politikanëve kosovarë: Formoni qeveri të mirë, merruni me gjërat serioze


Ulrike Lunacek
Ulrike Lunacek

Raportuesja për Kosovën e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, u bëri thirrje politikanëve kosovarë që shkojnë në zgjedhje të reja, të mos i harrojnë çështjet e mëdha siç është integrimi evropian.

“Nëse grinden për këtë, për atë, nuk do të jetë gjë e mirë. Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës kanë humbur kohë gjatë një apo dy vjetëve të kaluar”, tha Lunacek, një ditë pas rënies së Qeverisë së Kosovës dhe shpërndarjes së Kuvendit të saj.

“Më vjen keq që nuk ka ndodhur liberalizimi i vizave, sepse bëhet fjalë për qytetarët e Kosovës. Nuk ka ndodhur, sepse nuk është votuar demarkacioni i kufirit. Kam bërë përpjekje t’i nxis edhe partitë në qeveri, edhe ato në opozitë, por nuk e kanë bërë. Shpresoj ta bëjë qeveria e ardhshme. Shpresoj që qeveria e ardhshme ta ketë shumicën në Parlament dhe të përmbushë premtimet që janë bërë deri më tash”, tha Lunacek, duke folur për magazinën Expose të Radios Evropa e Lirë.

Ajo u bëri thirrje politikanëve kosovarë që të zhvillojnë një “fushatë serioze zgjedhore” për hir të qytetarëve.

“Bëjini detyrat e juaja, formoni qeveri të mirë, me shumicë të mirë në Kuvend dhe merruni me gjërat serioze. Ka pasur ca rritje ekonomike, ka pasur ca rritje në punësim – së paku çfarë thonë shifrat – por duhet të bëhet më, sidomos për të rinjtë dhe gratë. Qeveria e ardhshme duhet të përqendrohet në sigurimin e kushteve më të mira ekonomike, sociale, në arsim, në shëndetësi. Kjo është ajo që duan qytetarët. Kjo është ajo që duam edhe ne si BE për qytetarët e Kosovës”, tha Lunacek.

Ajo theksoi se në BE ka mbështetje për Kosovën dhe se atje duan që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, të bëhet anëtare e organizatave të ndryshme ndërombëtare, të shihet si shtet, si republikë “pa e vënë askush në dyshim”.

“Ka shpresë, ka të ardhme për Kosovën në Bashkimin Evropian”, theksoi Lunacek.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG