Mesazhet e zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee janë edhe një konfirmim i qartë se bashkësia ndërkombëtare njeh shumicën e re parlamentare, zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar Kuvendi ndërsa kërkon formimin edhe të qeveris së re me Zoran Zaevin, kryeministër, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike dhe ndërkombëtare duke vlerësuar gjithashtu dënimin e dhunës mbi deputet e zgjedhur dhe gazetarët që po raportonin nga Kuvendi.
“Mendoja se nga tani ata duhet seriozisht të mendojnë për veprimet e tyre pasi tani i gjitha opinioni ndërkombëtar ka filluar një nga një të njoh ndryshime duke filluar nga zgjedhja e Talat Xhaferit për krytar të Kuvendit, por edhe mbështetjen që po i japin formimit sa më të shpejt të qeverisë së re”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Denko Melavski, ish Ministër i Punëve të Jashtme duke shtuar se VMRO-ja duhet të pranoj realitetin e ri pasi çdo kundërshtim i mëtejmë me përdorim edhe të dhunës siç ndodhi në Kuvend, mund të ketë pasoja të paparashikueshme për sigurinë dhe të ardhmen e vendit në përgjithësi.
Maleski sheh ndryshime apo zbutje të retorikës nga presidenti Ivanov pas mesazheve të qarta që mori nga zyrtari i lartë amerikan Hoyt Jee për mos bllokimin e procesit të formimit të institucioneve të reja.
“Shoh se ka disa ndryshime në qëndrimin e tij mbi krizën politike, se ai dëshiron të jetë i bindur mbi ruajtjen e karakterit unitar të shtetit, se programi qeveritar nuk përmban platformën e kështu me radhë. Mendoj se ka lëvizje nga pozicionet e tij dhe se më nuk ka arsye për të mos i dhënë mandatin liderit opozitar. Pushteti duhet të dorëzohet në mënyrë paqësore, zgjidhje tjetër nuk ka”, thotë Maleski duke shtuar se edhe mesazhet e diplomatit amerikan ishin në drejtim dorëzimit të pushtetit shumicës së re parlamentare.
Pas takimit të Nikolla Gruevskit me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, nga VMRO DPMNE-ja deklaruar se nuk e njohin kryetarin e të Kuvendit, meqë sipas tyre ai është zgjedhur në kundërshtim me kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit, por Albert Musliu, analist politik thotë se deklarata e diplomatit amerikan Hoyt Jee, por jo vetëm e tij tregon qartë se për bashkësinë ndërkombëtare, Talat Xhaferi është kryetar i ri i Kuvendit.
“Mesazhet e zyrtarit të lartë amerikan Hoyt Yee ishin shumë të qarta. Për partnerët tanë ndërkombëtar konstituimi i Kuvendit ka përfunduar. Çdo vendim që të miratojë Kuvendi është në përputhje të plotë me kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ndërkohë që paralajmërimet e VMRO-së se nuk do ta njohin kryeparlamentarin, se Trajko Veljanovski do të caktoj seancat, por ai vlerësoi se mund të caktojë takime vetëm të grupit të tij parlamentar, por ato nuk janë mbledhje të Kuvendit, por të një grupi të caktuar politik që nuk është e ndaluar”, thotë Musliu.
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee gjatë vizitës dyditore në Shkup takoi liderët e të gjitha partive politike ndërsa dënoi dhunën mbi deputetët e LSDM-së dhe të liderit të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela duke e quajtur sulm frikacakësh.
Zyrtari i lartë nga Uashingtoni tha se “liderët politikë duhet ta kuptojnë seriozitetin e gjendjes dhe të gjejnë zgjidhje për krizën politike. Të gjejnë mënyrë që të lejojnë që shumica parlamentare të formojë Qeverinë dhe programin qeveritar”. (REL)