Ndërlidhjet

Protestuesit kërkojnë zgjedhje! Analistët: Janë dorë e zgjatur e VMRO-së


Pamje nga protestat në Shkup "Për një Maqedoni të bashkuar"
Pamje nga protestat në Shkup "Për një Maqedoni të bashkuar"

Kriza politike në Maqedoni duket pa rrugëdalje nga pozicionet e palëkundura të partive politike edhe më shumë se katër muaj nga zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit.

Paralelisht me këtë, tani dy muaj po zhvillohen edhe protesta jo vetëm në Shkup, por edhe në shumë qytete tjera nga një organizatë me emrin “Për Maqedoni të Bashkuar”.

Kjo organizatë thotë se do të kundërshtojë me të gjitha format e mundshme formimin e institucioneve të reja nga LSDM-ja opozitare dhe partitë shqiptare, me arsyetimin se qeveria e re do të ketë për bazë deklaratën e përbashkët të partive shqiptare, të cilën e quajnë “Platformë të Tiranës”, me të cilën thotë se do të rrënohet karakteri unitar i shtetit.

Tani kjo organizatë, sikur edhe VMRO-ja e Nikolla Gruevskit, ka dalë me një kërkesë të re, organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare, si mënyra më e mirë, siç thotë, për dalje nga kriza. Në zgjedhje, sipas saj, qytetarët do të deklarohen nëse e mbështesin ose jo programin e opozitës maqedonase që ka për bazë deklaratën e partive shqiptare, apo atë të VMRO-së që është për Maqedoni të bashkuar.

Do të ketë zgjedhje të reja, në të cilat qytetarët do të vendosin për të ardhmen e tyre. Strategjinë nuk do ta zbulojmë deri në fund. Pavarësisht kundërshtarëve të brendshëm dhe të jashtëm, ajo përmban pika taktike, teknike dhe operative për realizimin e tyre”, deklaron Bogdan Ilievski nga organizata “Për Maqedoni të Bashkuar”.

Ai vlerëson se protestat që tani dy muaj po mbahen në shumë qytete të Maqedonisë, kanë dhënë rezultate dhe se zëri i tyre nuk do të ndalet, siç thotë ai, deri në braktisjen e “Platformës së Tiranës” nga ata që e sollën dhe e pranuan në Maqedoni.

“Ju jeni dëshmitarë se vullneti jonë nuk thyhet dhe askush nuk do të mund të na gjunjëzojë që të luftojmë deri në fund. Ne deri tani ia kemi arritur qëllimit, nuk kemi lejuar që të formohet Qeveria e Tiranës, ndërsa kemi pamundësuar edhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Këtë do ta bëjmë derisa ata nuk heqin dorë nga platforma që rrënon themelet e shtetit maqedonas”, tha Ilievski në tubimin e organizuar mbrëmë para Kuvendit të Maqedonisë.

Duke komentuar veprimet e protestuesve, njohësit e çështjeve politike thonë se ata janë të orkestruar nga VMRO-ja, duke i nxitur madje edhe në incidente varësisht zhvillimeve politike.

Albert Musliu thotë se pjesë ma e madhe e protestuesve janë njerëz me vështirësi financiare, andaj edhe dalin në protestë me shpresë se mund të përfitojnë diçka. Ndërsa, një numër tjetër janë punonjës të administratës që pa vullnetin e tyre, detyrohen të dalin në rrugë.

“Edhe pse në qëndrimet e tyre publike thoshin se nuk janë lëvizje politike, por mbrëmë përfundimisht e vërtetuan se nuk janë asgjë tjetër pos një dorë e zgjatur e VMRO DPMNE-së”, thotë Musliu

Sa i përket krizës politike apo pozicioneve të partive politike, Musliu konsideron se shumica e re parlamentare duhet të ndërmarrë hapa konkretë në konsolidimin e institucioneve pasi çdo ditë e humbur shkon në favor të VMRO-së.

“Nuk mund të ketë më justifikime, pavarësisht cilat i përdorim. Ato duhet të marrin hapin e duhur, të tregojnë vendosmëri më të madhe dhe të realizojnë atë për të cilën edhe e kanë marrë votën nga qytetarët më 11 dhjetor”, vlerëson Musliu.

Formimi i institucioneve të reja është kërkuar në vazhdimësi edhe nga bashkësia ndërkombëtare, por pavarësisht kësaj, presideni Ivanov sërish ka përsëritur qëndrimin se nuk do të lejojë formimin e qeverisë së re dhe se çdo nismë të opozitës për zgjedhjen e organeve të reja, do ta llogarisë si shkelje të dhunshme të Kushtetutës dhe autorët e një akti të tillë, sipas tij, do të japin llogari para organeve të drejtësisë.(REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG