Ndërlidhjet

Dy emra dhe dy zile në një shkollë


Dy emra dhe dy zile në një shkollë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:23 0:00

Një ndërtesë shkollore në fshatin Rubovc, rreth pesë kilometra larg nga qyteti i Lipjanit e ndarë nga një mur i improvizuar, mbanë dy emra. Njërin për nxënësit shqiptarë, “Drita” dhe tjetrin për ata serbë “Braqa Aksiq”.

Mësimdhënësit dhe nxënësit e të dyja komuniteteve nuk kanë kontakte apo komunikim ndërmjet vete, pavarësisht se thonë se e kalojnë mirë dhe nuk kanë ndonjë problem në bashkëjetesë ndëretnike.

Shkolla që sot mbanë dy emra etnikë, u nda në vitin 1999, që prej para luftës në Kosovë e cila ndodhej nën administrimin serb dhe kur mosbesimi ndërmjet komuniteteve arriti një pikë kulmore.

Në pjesën ku mësojnë nxënësit shqiptarë, objekti është i vjetruar dhe kushtet janë shumë të vështira, thotë drejtori i shkollës Ekrem Murati.

“Gjysma e shkollës i takon atyre (serbëve) dhe gjysma neve (shqiptarëve). Bashkëpunimi është relativisht i mirë. Por, megjithatë nuk kemi asgjë të përbashkët. Ata mësojnë me një planprogram tjetër, ne me tjetër”.

"Gjithçka në shkollë është e ndarë, madje edhe nisja e mësimit, pushimet ndërmjet orëve dhe mbi të gjitha edhe përfundimi i vitit shkollor", thotë Murati.

“Pushimin e gjatë e kanë në kohë tjetër. Po ashtu edhe pushimet verore dhe dimërore i kanë në periudhë tjetër nga ne. Nuk ka takime të rregullta, por nuk janë marrëdhënie të këqija. Përshëndetemi kur takohemi, më shumë jo”, thotë drejtori Murati.

Pjesa shqiptare e shkollës ka katër klasë dhe mësimet i vijojnë 149 nxënës shqiptarë. Të punësuar janë 18 arsimtarë, tre punëtorë teknikë dhe punohet me dy ndërrime.

Por, objekti i shkollës ka dy hyrje dhe pjesa serbe e saj ndodhet në anën tjetër, përtej kontaktit me pjesën shqiptare.

Në shkollën fillore “Braqa Aksiq”, në objektin e njëjtë, mësojnë 11 nxënës me planprogram të Qeverisë së Serbisë. Në shkollë thonë se nuk kanë asnjë kontakt me pjesën tjetër shqiptare dhe se shumëçka i ndanë.

Liljana Reiçeviq, mësimdhënëse, thotë se përveç përshëndetjeve kur takohen në oborrin e shkollës, nuk kanë ndonjë kontakt tjetër më mësimdhënësit shqiptar.

“Nuk kemi ndonjë problem, por nuk kemi as ndonjë afërsi me ta. Vetëm përshëndetemi, tungjatjeta- tungjatjeta. Nuk kemi ndonjë problem e as ndonjë konflikt, por nuk kemi as ndonjë afërsi. Punojmë me planprogramin e Serbisë”, ka thënë Reiçeviq.

Barriera gjuhësore i ndanë dhe vështirëson komunikimet ndërmjet nxënësve të të dyja komuniteteve, që edhe lojën e bëjnë ndaras, thotë Fisnik Zaskoku, nxënës i klasës se nëntë.

“Konflikte as probleme nuk kemi pasur. Në fshat ndonjëherë luajmë bashkë, kurse në shkollë jo, vetëm nëse kemi ndonjë garë të futbollit. Në shkollë i kemi fushat e futbollit të ndara, ata e kanë të vetën, kurse ne kemi fushën tonë”, thotë Fisnik Zaskoku.

Kurse Maja Mihajlloviq, nxënëse e klasës së pestë, në pjesën tjetër të shkollës të komunitetit serb, thotë se shoqërohen edhe më nxënësit shqiptar.

“Shoqërohemi, luajm nganjëherë, kryesisht në shtëpi, kurse në shkollë nganjëherë”, thotë ajo.

Bleona Bajçinca, nxënëse në klasën e nëntë, thotë se probleme nuk kanë pasur asnjëherë.

“Ne kalojmë mirë më bashkëmoshatarët serbë. Nuk kemi diçka konflikte. Ne jemi më një shkollë, por vetëm muret e shkollës na ndajnë. Probleme nuk kemi pasur dhe nuk besojë se do të kemi ndonjëherë”, thotë Bleona.

Por, për Milla Mihajlloviqin, nxënësen e klasës së pestë, shoqërimi është i pamundur për shkak të situatës në Kosovë.

“Shumë rrallë. Nuk mund të gjejmë gjuhë të përbashkët, kryesisht për shkak të gjendjes aktuale”, shprehet Mihajlloviq.

Dhe, kur në fund të orëve të mësimit bie zilja, nga objekti me dy hyrje dhe që mbanë dy emra, nxënësit dalin nga hyrjet e ndara. Edhe në rrugën e njëjtë për në shtëpi ata udhëtojnë ndaras, sikur jetën që bëjnë dy komunitetet e fshatit Rubovc të Lipjanit. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG