Luftimi i korrupsionit, për Qeverinë e Kosovës nuk përbën më një nga kushtet e papërmbushura në procesin e liberalizimit të vizave. Sipas qeverisë, institucionet kanë shënuar përparime dhe rezultate konkrete në këtë drejtim.
Por, rezultatet e treguara sa i takon luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk shihen ende si të arritura të prekshme nga Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Instituti Demokratik i Kosovës.
Megjithatë, për Qeverinë së Kosovës kushti i vetëm për liberalizimin e vizave është miratimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, në një deklaratë në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se "me vizitën e fundit të Frederica Mogherinit në Kosovë është bërë e qartë se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është plotësuar dhe se kushti i vetëm mbetet Demarkacioni me Malin e Zi".
Ahmeti citoi, të martën, Mogherinin të ketë thënë se "Prokuroria e Shtetit dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë bërë ngritje të aktakuzave të cilat tregojnë hapur që Kosova po lufton në vazhdimësi korrupsionin dhe krimin e organizuar".
Në anën tjetër, në Agjencinë Kundër Korrupsionit, thonë se Kosova ka legjislacion të mirë për ta luftuar korrupsionin, por kjo dukuri negative nuk po luftohet sa duhet.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, tha për Radion Evropa e Lirë se për të luftuar këtë dukuri duhet një përkushtim më i madh i të gjithë mekanizmave.
“Edhe përkundër angazhimeve të mëdha të institucioneve të zbatimit të ligjit, siç janë agjencia, prokuroria, policia dhe mekanizmat e tjerë për luftimin e korrupsionit, e po ashtu edhe pse janë ngritur një numër i madh i aktakuzave sa i takon profilit të lartë, ende mbetet shumë për të bërë për luftimin e kësaj dukurie", tha Havolli.
Tutje, Havolli tha se deri tani nuk ka rezultate të kënaqshme që dëshmojnë luftimin e kësaj dukurie e cila, sipas tij, në masë të madhe po e dëmton vendin.
"Deri tash nuk ka rezultate të mjaftueshme. Fjala është për aktgjykime dënuese. Kemi një përparim në fushën e ngritjes së aktakuzave, mirëpo nuk kemi aktgjykime dënuese dhe konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme dhe besoj se nuk duhet të ndjehemi të kënaqur ne si agjenci as institucionet e tjera të zbatimit të ligjit sa i përket luftimit të korrupsionit", u shpreh Havolli.
Veç tjerash, si pasojë e nivelit të lartë të korrupsionit, thuhet se Kosova ende mbetet larg procesit të liberalizimit të vizave dhe çështjeve te tjera që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian.
Zyra për media e Kryeprokurorisë së Shtetit ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit 2016 janë ngritur aktakuza për 418 persona për vepra penale që ndërlidhen me korrupsionin.
Po në vitin 2016 prokuroritë kanë pranuar 438 kallëzime penale, me 849 persona, ku sipas tyre janë zgjidhur 468 kallëzime penale, me 1164 persona.
Agjencia Kundër Korrupsionit edhe gjatë këtij viti ka deponuar në Prokurori dhjetëra kallëzime penale, nën dyshime për korrupsion në institucionet qendrore dhe lokale të vendit.
Ndërkohë, Artan Canhasi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se korrupsioni në Kosovë nuk luftohet pasi që nuk ka vullnet të duhur politik.
"Derisa deklarimet e përgjithshme të politikanëve flasin për angazhime në luftë kundër korrupsionit, realiteti në fakt në terren qëndron ndryshe. Ky vullnet duhet të manifestohet disi dhe mund të manifestohet me fuqizim të prokurorisë dhe gjykatave në luftë kundër korrupsionit. Diçka që nuk kemi vërejtur", tha Canhasi.
Organizata Transparency International, në publikimin e saj të fundit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2016, e ka radhitur Kosovën në vendin 95-të me 36 pikë, në mesin e 176 vendeve të përfshira në raport. Canhasi thotë se Kosova dhe në krahasim më vendet e rajonit është e fundit sa i takon luftës kundër korrupsionit. (REL)