Ndërlidhjet

Vuçiq fitues i zgjedhjeve presidenciale në Serbi


Aleksandar Vuçiq, në deklarimin e fitores në zgjedhjet presidenciale në Serbi, 2 prill 2017
Aleksandar Vuçiq, në deklarimin e fitores në zgjedhjet presidenciale në Serbi, 2 prill 2017

Pak orë pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale serbe projeksionet nxorrën fitues kryeministrin aktual Aleksandar Vuçiq, me mbi 55 për qind të votave

Agjencia e pavarur IPSOS ka njoftuar se Vuçiq ka një dallim të madh në vota nga kandidati i dytë i radhitur Sasha Jankoviq, ish avokat i popullit, që mori mbi 16 për qind të votave.

Mbi 50 për qind e trupit zgjedhor nga mbi 6.5 milionë votues mori pjesë në votime, thanë organizatat që vëzhguan zgjedhjet. Votuesit serbë votuan për 11 kandidatë, në mesin e të cilëve edhe kryeministri aktual Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq, që sic njoftojnë mediat nga Beogradi ka deklaruar fitoren e tij në zgjedhje, tha përpara simpatizantëve të tij se ‘serbët votuan për politkat e tij të bashkimit me BE-në dhe mbajtjes së lidhjeve me Rusinë dhe Kinën', bëri të ditur AP.

Përkrahësit e Aleksandar Vuçiqit festojnë në Mitrovicën e Veriut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:19 0:00

(Përkrahësit e Aleksandar Vuçiqit duke festuar në Mitrovicën e veriut)

Njëkohësisht me votuesit në Serbi, votuan edhe qytetarët serbë të Kosovës në disa qendra në Kosovë, kryesisht në pjesën veriore të saj.

Rreth 39 për qind e qytetarëve serbë të Kosovë, me dy shtetësi dhe me të drejtë vote morën pjesë në procesin zgjedhor që u udhëhoq nga misioni në Kosovë i OSBE-së, përmes një procesi të grumbullimit të votave.

Bartja e materialit zgjedhor nga misioni i OSBE-së
Bartja e materialit zgjedhor nga misioni i OSBE-së

Misioni në Kosovë i OSBE-së, pas përfundimit të procesit të grumbullimit të votave, tha se ato do t'i dërgojë në Serbi duke ia dorëzuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

OSBE-ja tha se procesi i votimit ishte i rregullt dhe pa probleme dhe se votat e grumbulluara nuk mund të numërohen brenda territorit të Kosovës për shkak të, siç tha, ‘çështjeve të sigurisë’.

"Votat nuk do të numërohen Kosovë, në përputhje me kornizën. Ndihmën e policisë e kemi pasur gjithë kohën edhe përcjelljen e policisë do ta kemi edhe për kthimin e materialeve", shpjegoi zëdhënësi i OSBE-së, Senad Saboviq.

Një incident thuhet të jetë shënuar në veri të Mitrovicës kur një qytetar shqiptar u lëndua lehtë, me shumë gjasa gjatë një përleshjeje fizike, ka bërë të ditur Policia e Kosovës për veriun, por nuk ka dhënë hollësi të tjera.

Zgjedhjet presidenciale serbe u zhvilluan në territorin e Kosovës sipas një marrëveshjeje të arritur me misionin e OSBE-së dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Një ditë para zgjedhjeve, kryeministri Isa Mustafa tha se “po vazhdon praktika e mëhershme e votimeve për qytetarët me dy shtetësi”.

Qytetarët serbë që votuan në zgjedhjet presidenciale të Serbisë megjithatë shprehën dilemat e tyre se “ato mund të sjellin ndonjë ndryshim për ta”.

"Nuk di a do të ketë ndryshim drastike. Nuk do të mund të ndodhin ndryshime të mëdha. Vetë fushata elektorale ka treguar sa a mund dikush nga Beogradi të ndikojë në Prishtinë", tha Goran Markoviq nga Mitrovica e veriut.

Gjatë ditës së diel në veri të Mitrovicës qëndroi edhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori norvegjez, Jan Braathu, gjatë ditës ka qëndruar në pjesën veriore të Mitrovicës, ku ka vizituar një qendër të grumbullimit të votave, në kuadër të procesit të zgjedhjeve presidenciale serbe.

Braathu, pas vizitës, e ka cilësuar procesin si të rregullt dhe pa probleme.

"Kam ardhur që të shoh se si janë duke shkuar gjërat, dhe nga ajo që pashë, gjithçka është në rregull dhe normale. Situata është e qetë, njerëzit po vijnë dhe kjo është mirë. Ne po shohim shumë njerëz që po vijnë dhe po kryejnë obligimin dhe të drejtën e tyre dhe nëse gjërat shkojnë kështu, ne do të jemi të lumtur", tha Braathu.

Ai theksoi se misioni po e kryen këtë proces në bazë të marrëveshjeve me institucionet e Prishtinës.

Autoritetet e sigurisë në veri të Kosovës, thanë se gjendja gjatë ditës kryesisht ishte e qetë. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG