Seanca për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, në bazë të ritmeve si po zhvillohet, mund të zgjas me muaj të tërë. Vetëm për pikën e parë të rendit të ditës nga katër sa janë gjithsej deri në përfundimin e konstituimit të institucionit ligjvënës, për diskutim janë paraqitur mbi 50 deputetë, ndërsa gjatë katër ditëve sa po zgjatë debati kanë diskutuar vetëm se dy deputet pasi i gjithë debati tjetër është përcjellë me polemika të nxitura nga replikat mes vet deputetëve të VMRO-së, si formë që po praktikohet nga ana e tyre për zgjatjen e debatit.
Nga VMRO-ja kanë thënë se debati i tyre bazohet në rregulloren mbi punën e Kuvendit, por nga LSDM-ja dhe partitë tjera shqiptare të shumicës parlamentare të cilat për kryeparlamentar kanë propozuar Talat Xhaferin e BDI-së, thonë se qëllimi i partisë së Nikolla Gruevskit është vazhdimi i bllokimit të zgjedhjes së qeverisë nga presidenti Ivanov, por se tani procedura është zhvendosur në Kuvend.
Ish kryetari i Kuvendit, Stojan Andov thotë për Radion Evropa e Lirë se problemi qëndron tek mos definimi i qartë i rregullores, por edhe tek kryesuesi i seancës, i cili po tregohet i “shurdhër” para pengesave të VMRO-së.
“VMRO-ja ka vendosur të përdorë të gjitha procedurat e mundshme për të bllokuar seancën. Disa vet i ka shpikur, por këtë po i’a mundëson edhe kryesuesi i seancës Trajko Veljanovski duke mos ndërhyrë në fjalimet e pafundme të deputetëve të VMRO-së. Disa gjëra që ata bëjnë nuk parashihen askund në rregulloren mbi punën e Kuvendit”, thotë ish kryetari i Kuvendit, Stojan Andov por duke e vlerësuar pozitivisht vendimin VMRO-së, që kriza sipas tij të zgjidhet në kuadër të institucioneve pavarësisht pengesave të shumta që mund të bëjë deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Për atë se si do të punojë Kuvendi, nuk vendos kryesuesi i seancës, por shumica parlamentare. Në këtë rast, Veljanovski është i barabartë me të gjithë deputetët e tjerë dhe nuk mund të sjell asnjë vendim, prandaj i takon shumicës që të propozojë zgjidhje drejt përshpejtimit të procedurës dhe kryesuesi është i detyruar që të merr në konsideratë të gjithë propozimet”, thotë Andov.
Osman Kadriu, njohës i çështjeve kushtetuese, thotë se qëllimi i VMRO-së është që përmes pengesave procedurale të bllokojë zgjedhjen e kryetarit.
“Partitë politike që janë në pushtet që janë edhe shkaktarët e krizës politike, vazhdojnë edhe më tej me obstruksione që vendi të mos mund të del nga kriza. Kjo flet se këto parti në asnjë mënyrë nuk duan të pranojnë realitetin dhe të bëjnë transferimin e pushtetit tek partitë që tani kanë formuar shumicën e re parlamentare”, thotë Kadriu duke mos parë zgjidhje tjerë për dalje nga kjo situatë përveç një marrëveshjeje mes partive politike pasi sipas tij, rregulloja aktuale mbi punën e Kuvendit nuk parashikon asnjë mundësi për përshpejtimin e procedurës për zgjedhjen e kreut të Kuvendit.
Edhe gjatë seancës sotme nga deputetët e partive politike pati edhe propozime për zgjedhje të reja.
Nga VMRO-ja thanë se mund të zhbllokojnë Kuvendit, por vetëm me kusht që kryetari i ri të ketë mandat vetëm sa për shpalljen e zgjedhjeve të reja. Nga LSDM-ja u përgjigjen se për zgjedhje të reja mund të bisedohet por vetëm pas konstitucionit të organeve të reja. (REL)