Ndërlidhjet

Qeveria nuk preferon t’i ketë me vete deputetët në lobim


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Komisioni për Punë të Jashtme, kërkojnë një përfshirje më aktive në fushën e diplomacisë parlamentare dhe lobuese që zhvillohet nga Ministria e Jashtme.

Kryetari i këtij komisioni, Elmi Reçica, tha për Radion Evropa e Lirë se aktivizimi i diplomacisë parlamentare dhe i mekanizmave të tjerë lobues, do të ndihmonte Kosovën për njohje të reja. Sipas tij, diplomacia parlamentare ka pasur aktivitete të cilat i ka koordinuar vet komisioni në bashkëpunim me kryesinë e Kuvendit.

“Kemi kërkuar nga Ministria e Jashtme që bashkë, ashtu siç parashihet edhe me rregullore të punës dhe ligjet përkatëse, të ekzistojë një bashkëpunim më i thellë edhe me i gjithanshëm mes këtyre dy institucioneve, pra Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Ministrisë së Jashtme. Realisht deri tash në asnjë udhëtim nuk kemi qenë së bashku. Kemi bërë planifikim, janë shtyrë disa agjenda, por nuk i kemi realizuar", tha Reçica.

Ndërkohë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Valon Murtezaj, tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Jashtme janë të gatshme për bashkëpunim me të gjithë mekanizmat të cilët mund të kontribuojnë në diplomaci dhe në të mirën e vendit.

Por, edhe Murtezi thotë se diplomacia e Kosovës ka nevojë që të jetë sa më unike dhe e koordinuar.

"Në disa ambiente dhe në disa aktivitete është e mundur dhe është e nevojshme që të jenë të pranishme të gjitha palët. Mirëpo, janë disa punë që janë përgjegjësi ekskluzive e një dikasteri shtetëror. Pra, qeveria është diçka tjetër, parlamenti është diçka tjetër. Megjithatë kjo nuk nënkupton që këto gjera nuk duhet të jenë të koordinuar. Kosova, për aspektet e diplomacisë dhe punëve të jashtme duhet të jetë e koordinuar në të gjitha instancat brenda për brenda", tha Murtezaj.

Në anën tjetër, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Puhie Demaku, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, duke folur për Radion Evropa e Lirë,thotë se puna e Kuvendit të Kosovës sa i takon diplomacisë parlamentare ka ngecur që një kohë të gjatë.

“Qeveria nuk është e interesuar të ndaj, qoftë përpjekjet, qoftë sukseset që i ka në njohje, edhe pse ato mungojnë, por synon që gjithmonë vetëm fajin ta bashkë-ndaj me Kuvendin”.

“Kjo është ajo që po e shohim në realitet, kjo është ajo që po shohim në punën e Kuvendit dhe për pasojë në kemi mbetur absolutisht të paangazhuar në këtë drejtim", tha Demaku.

Deputetja Demaku, thotë po ashtu se koordinimi me ekzekutivin do të ishte i mirëseardhur dhe do të nënkuptonte kursim në kohë, energji e para.

“Do të thotë ta kemi një koordinim më të mirë. Absolutisht unë mendoj që Kuvendi ka treguar gatishmërinë në këtë drejtim, por mungesa e iniciativës dhe mungesa e gatishmërisë nga ana e qeverisë ka qenë shkaktari dhe pengesa kryesore", tha Demaku.

Njohësit e rrethanave në Kosovë, në disa raste kanë deklaruar se diplomacia parlamentare duhet të aktivizohet sa më parë, pasi që, sipas tyre, Kosova nuk ka arritur numrin e mjaftueshëm të njohjeve dhe ka nevojë për përmirësimin e imazhit. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG