Ndërlidhjet

Partitë kundër propozimit të VMRO-së, plani e thellon krizën


Partitë politike të shumicës së re parlamentare kanë hedhur poshtë propozimin e VMRO DPMNE-së së Nikolla Gruevskit për kapërcimin e krizës institucionale.

Plani i paralajmëruar javën e kaluar nga Gruevski përmbanë pesë pika dhe si e para parasheh formimin e qeverisë së tanishme, por edhe të qeverive në të ardhshmen vetëm se nga partitë fituese të komunitetit maqedonas dhe shqiptar.

“Ne duhet të harmanizojmë qëndrimet nëse rëndësia e praktikës politike, ajo e formimit të koalicioneve “fituesi me fituesin”, është faktor i stabilitetit të shtetit dhe nëse ky parim duhet të ekzistojë apo të hidhet poshtë. Nëse hidhet poshtë atëherë kjo do të barazonte peshën e çdo deputeti, pa marrë parasysh pasojat logjike nga një hap i tillë”, ka thënë deputeti i VMRO-së, Antonio Milloshoski duke prezantuar pikat e planit partiak.

Pika e dytë, sipas tij ka të bëjë me përjashtimin e siç thuhet, agjendave të huaja në problemet e brendshme të Maqedonisë ndërsa e treta i kushtohet zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe partitë duhet të deklarohen se a pranojnë që ai të jetë nga partia fituese apo të zgjidhet në bazë të kompromiseve dhe mbështetjes që merr nga votimi në Kuvend.

Pika e katërt shtron dilemë nëse partitë pajtohen me modelin multikulturor të shoqërisë në Maqedoni, i cili i vendos në pozitë të barabartë të gjitha bashkësitë etnike, apo me modelin dy kombesh në dëm të etniteteve tjera.

Si pikë të pestë, plani i VMRO-së kërkon nga partitë të deklarohen nëse për to më me rëndësi është stabilizimi i vendit, ekonomia dhe reformat evropiane apo ridefinimi dhe rendi i ri kushtetues në vend.

Por, LSDM-ja kundërshtoi ashpër këtë plan të VMRO-DPMNE-së duke theksuar se populli në zgjedhjet e 11 dhjetorit ka vendosur se në cilin drejtim duhet të ecë Maqedonia.

“Qytetarët tani më kanë vendosur. Politikanët si Gruevski dhe drejtuesit e VMRO DPMNE-së që i shkaktuan problemet nuk mund të jenë pjesë e zgjidhjes. VMRO DPMNE-ja duhet të pranojë se është opozitë dhe të ndalojë së frenuari proceset demokratike. Në Maqedoni do të ketë qeveri reformuese të qytetarëve, pa Nikolla Gruevskin dhe VMRO-DPMNE-në”, ka deklaruar zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.

Edhe partitë shqiptare janë shprehur kundër një propozimi të tillë të VMRO-së.

Nga BDI-ja thonë se “pikat e programit nuk qëndrojnë në veçanti ajo që bënë thirrje për mos përzierjen e faktorëve të jashtëm pasi deklarata e partive shqiptare të cilës i referohet VMRO-ja nuk është arritur jashtë vendit dhe si e tillë nuk rrënon karakterin unitar të shtetit, por janë pika që burojnë nga programet e partive politike shqiptare.”

Nga lëvizja politike Besa, thonë se zgjidhje nuk mund të ofrojnë partitë që janë shkaktarët kryesor të krizës.

“Ata që e sollën vendin në këtë gjendje duke mos harruar këtu edhe partnerin e tyre shqiptarë, ata që e larguan vendin nga integrimet euro-atlantike dhe e afruan me Rusinë dhe ata që edhe sot e kësaj dite po e mbajnë peng shtetin, nuk mund të ofrojnë zgjidhje për dalje nga kjo situatë. Mendoj që ofertat e tyre nuk duhet të merren seriozisht, pasi që ata tani kanë hallin se si të shpëtojnë vetveten”, thotë zëdhënësi i lëvizjes BESA, Orhan Murtezani.

Kriza politike tani është zhvendosur në Kuvendin e Maqedonisë ku për shkak të ndërhyrjeve të shumta procedurale nga VMRO DPMNE-ja, shumica e re parlamentare nuk po arrin të zgjedh kryetarin e ri të Kuvendit, përmes të cilit më pas do të kërkojnë edhe një herë nga presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov të dekretojë liderin Social-Demokrat, Zoran Zaev si mandatar për formimin e qeverisë së re. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG