Maqedonia ndodhet para një sfide të re, në përpjekje për gjetjen e mënyrës për kapërcimin e krizës së rëndë institucionale. Partitë e shumicës së re parlamentare, të martën do të bëjnë përpjekjet e radhës për zgjedhjen e kreut të Kuvendit, institucion ky që vazhdon të mbahet i bllokuar nga VMRO-ja e Nikolla Gruevskit.
Nga mbledhja koordinuese ndërmjet grupeve parlamentare, do të varet nëse do të ketë ose jo vazhdim të seancës konstitutive të Kuvendit. Në rast të zgjedhjes së kryeparlamentarit, LSDM-ja dhe tri partitë shqiptare, BDI-ja, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, që formojnë shumicën e re parlamentare, sërish pritet t’i drejtohen presidentit, Gjorge Ivanov, për mandatimin për kryeministër të liderit social-demokrat, Zoran Zaev.
Të gjitha nismat e deritashme të opozitës për konsolidimin institucional të shumicës së re janë penguar në forma të ndryshme nga VMRO-ja, andaj analistët nuk përjashtojnë mundësinë që edhe kësaj radhe të ketë përpjekje të tilla.
Por, Xhelal Neziri, drejtues i Qendrës për gazetari hulumtuese, thotë se në rastin e vazhdimit të mbledhjes konstitutive të Kuvendit mund të mos ketë probleme pasi në interes të VMRO-së, sipas tij, është qartësimi i funksionimit të punës së pushtetit lokal, që ndërlidhet edhe me punën e Kuvendit, duke marrë parasysh skadimin e afatit për shpalljen e zgjedhjeve lokale.
“Duke marrë parasysh veprimet jonormale të eksponentëve të kësaj partie, më konkretisht të faljes që bëri presidenti për zyrtarët shtetërorë që po hetohen nga Prokuroria Speciale, apo mosdhënies së mandati liderit social-demokrat, nuk duhet përjashtuar se VMRO-ja mund të bllokojë këtë nismë".
"Por, unë jam optimiste se funksionimi i pushtetit lokal do të jetë një motiv që VMRO-ja të jetë konstruktive në drejtim të respektimit të kërkesës së shumicës së deputetëve të Kuvendit për t’u mbledhur dhe për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”, vlerëson Neziri duke shtuar se sfida kryesore mbetet mandati për kreun e LSDM-së dhe zgjedhja e qeverisë së re:
“Ajo që mbetet si problem, është pikërisht forma e zgjedhjes së qeverisë, nëse ajo qeveri do të votohet pa mandatin e Presidentit, që në këtë rast lë hapësirë që VMRO DPMNE-ja të kontestojë legjitimitetin e saj, apo e njëjta të ndjekë procedurat e nevojshme duke kërkuar fillimisht mandatin dhe më pas në Kuvend të votohet përbërja dhe programi i saj”.
Për pengesa në vazhdimin e mbledhjes së Kuvendit, flet edhe Mitko Gaxhovski, njohës i çështjeve politike.
“Gjithçka është e mundur nëse kemi parasysh se edhe presidenti i shtetit veproi në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk e mandatoi për kryeministër kreun e opozitës, apo partinë që kishte siguruar mbi 61 nënshkrime të deputetëve. Pra, edhe Trajko Veljanovski mund të zvarrisë procesin, por jo deri në pafundësi pasi edhe ai është i vetëdijshëm se mbledhjen konstitutive të Kuvendit e udhëheqë në kundërshtim me rregulloren mbi punën e Kuvendit, pasi këtë duhej ta bënte deputeti më i moshuar”, thotë Gazhovski.
Ndërsa, sa u përket paralajmërimeve mbi mundësinë që gjatë seancës së Kuvendit të ketë protesta nga grupet që tani tri javë po protestojnë kundër koalicionit të ri dhe deklaratës së partive shqiptare, Gaxhovski thotë se protesta do të ketë po nuk beson se mund të ketë edhe përpjekje nga protestuesit që të futen me forcë në institucionin ligjvënës.
Ai thekson se protesta apo pengesa të dhunshme mund të ketë, por vetëm kur në rend të ditës së Kuvendit të jetë zgjedhja e qeverisë së re edhe atë nga VMRO-ja.
“Mendoj se gjatë konstituimit të Kuvendit nuk do të ketë incidente më të mëdha, mendoj për fazën e zgjedhjes së krye-parlamentarit, por kur në rend të ditës të jetë votimi i qeverisë, atëherë gjendja mund të ndryshojë. Këtu pres incidente, por më tepër brenda Kuvendit se sa jashtë tij. Do të ketë përpjekje të shumta nga ana e VMRO-së për të penguar votimin e qeverisë”.
“Ndërsa, sa u përket protestuesve, nuk besoj se ata do të futen brenda ashtu siç ekziston droja në opinion. Mendoj se forcat e rendit do të jenë në krye të detyrës dhe të vetëdijshme për gjendjen nëpër të cilën po kalon Maqedonia”, vlerëson Mitko Gaxhovski, njohës i çështjeve politike.
Protestat kundër deklaratës së partive shqiptare dhe formimit të qeverisë së re mes LSDM-së dhe partive shqiptare, po mbahen në shumë qytete të vendit. Përshkallëzimi i krizës politike që tashmë ka kaluar edhe në krizë etnike, ka bërë që të martën në Shkup, të arrijë për vizitë edhe komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, së bashku me disa euro-parlamentarë, njohës të zhvillimeve politike në Maqedoni.(REL)
Facebook Forum