Janë 25 deputetë, nga 120, sa ka gjithsej Kuvendi i Kosovës, të cilët pritet t’i bojkotojnë seancat plenare, përveç rasteve kur vendoset për çështje të cilësuara të interesit nacional.
Prej tyre, 14 deputetë, u takojnë dy subjekteve opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma për Kosovën, kurse 11 subjektit Lista Serbe, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.
Kuvendi i Kosovës, ka 120 ulëse, prej të cilave 100 u ndahen partive nga radhët e shumicës shqiptare, 10 atyre serbe dhe 10 komuniteteve joserbe.
Instituti Demokratik i Kosovës monitoron punën e Kuvendit. Albert Krasniqi nga ky Institut tha për Radion Evropa e Lirë se këto bojkotime janë mjaft të dëmshme për vendin, sidomos për faktin se ato janë bërë praktikë e shpeshtë në punën e legjislativit.
"Të gjitha këto bojkotime, kanë dëmtuar në masë të madhe punën dhe funksionalitetin e institucionit më të lartë ligjvënës në vend. Kjo është një papërgjegjësi të cilën janë duke e shfaqur në raport me Kuvendin, për shkak se ata janë të mandatuar nga qytetarët për t'i përfaqësuar interesat e tyre", tha Krasniqi.
Fillimisht ishte Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila vendosi ta bojkotojë Kuvendin deri në lirimin e liderit të saj, Ramush Haradinaj, i cili po mbahet në Francë, nën masën e lirimit me kusht. Më pas, një veprim të ngjashëm e ndërmori edhe partia Nisma.
Por, këto veprime, sipas Albert Krasniqit janë të papranueshme, ngase nuk e ndihmojnë me asgjë lirimin e Haradinajt nga procesi gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij në Colmar të Francës.
"Institucionet e drejtësisë franceze nuk do t’i afektojë asgjë ky bojkotim i punës së Kuvendi nga ana e deputetëve, ndonëse është shumë e vërtet se shteti i Kosovës, ka bërë shumë pak për lirimin e zotit Haradinajt", tha Krasniqi.
Për shkak se lideri i tyre, Ramush Haradinaj kryetari i partisë, është ndaluar nga autoritete franceze me urdhër të autoriteteve serbe, nën akuzat dhe dyshimet për krime lufte, zyrtarët e AAK-së, thanë për Radion Evropa e Lirë se tashmë kanë marrë vendim që të mos marrin pjesë në seancat e zakonshme plenare deri sa Haradinaj të mos lirohet nga ndalesa në Francë.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se tetë deputetët e kësaj partie politike nuk do të marrin pjesë në seanca deri sa nuk do të lirohet, Haradinaj.
Me gjithë vendimin për bojkot të punës së Kuvendit, AAK-ja ka hyrë në sallë të enjten kur ka paraqitur dhe votuar bashkë me partitë e tjera një rezolutë, me të cilën veç tjerash kërkohet pezullimi i bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e liderit të saj, Ramush Haradinaj.
"Ne do të kthehemi në Kuvend vetëm për tema të mëdha. Jemi deklaruar se do të kthemi në Kuvend vetëm kur do të mund të vijë çështja e ushtrisë së Kosovës, apo temat e tjera, siç janë demarkacioni apo asociacioni. Vetëm në këto raste ne do të jemi aty, sepse ne do të japim kontributin tonë pozitiv, për shembull duke kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme dhe duke votuar për ato të rëndësishme për vendin", tha Kadrijaj.
Me vendimin për të bojkotuar seancat e Kuvendit të Kosovës është solidarizuar edhe subjektit tjetër opozitar Nisma për Kosovën. Shefja e Grupit Parlamentare të partisë opozitare Nisma për Kosovës, Valdete Bajrami, tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht kontributi i deputetëve nga Nisma është duke u dhënë në komisionet parlamentar dhe se nuk do të jenë në seanca deri sa të lirohet lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
"Mospjesëmarrja në seanca ka dalë si rezultat i përkrahjes dhe solidaritetit të Nismës me lirimin e Haradinajt në këtë rast. Nisma do të jetë pjesë e seancave, ku do të merren vendimet për të ardhmen e vendit. Ne do të jemi në seanca pikërisht kur të sillet edhe Ligji për FSK-në, apo nëse tentohet te sillet marrëveshja për demarkacionin, ne do të jemi në seancë", tha Bajrami.
Të dy subjektet politike opozitare, AAK dhe Nisma për Kosovën, thonë se dy partitë politike në pushtet PDK dhe LDK, i kanë votat e mjaftueshme që të miratojnë ligjet e zakonshme nëse duan që t'i çojnë përpara ligjet në procedurë.
Po ashtu, seancat e Kuvendit për më shumë se pesë muaj po i bojkoton edhe Lista Serbe.
Ngrirja e pjesëmarrjes në legjislativ por edhe në mbledhjet e Qeverisë, nga ana e Listës Serbe erdhi si përgjigje kundërshtuese ndaj miratimit të Ligjit për Trepçën nga ana e Kuvendit të Kosovës.
‘Ngrirja’ e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Listës Serbe në punën e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës po i dëmton vet komunitetin serb në Kosovë, kanë vlerësuar njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
Ndërkohë, nga subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosja, thonë se varësisht nga zhvillimet politike merren edhe vendimet për pjesëmarrje ose jo në seancat plenare.
"Mospjesëmarrja e deputetëve në seanca lidhet veç tjerash me gjendjen e rëndë të Qeverisë, e cila është e kushtëzuar nga Lista Serbe, dhe të cilët kërkojnë plotësimin e kritereve të tyre për t'u kthyer në Kuvend. Në anën tjetër, e kemi parë që në seancat parlamentare kryesisht mungojnë deputetët e mazhorancës, e shumicën e herave nuk marrin pjesë ministrat, për çfarë s'mund të drejtohen as pyetje parlamentare. Kjo e tregon joseriozitetin e koalicionit qeverisës", thuhet në një përgjigje me shkrime nga Lëvizja Vetëvendosje për Radion Evropa e Lirë.
Kjo legjislaturë e Kosovës, nga shoqëria civile, është cilësuar nga më të plogështat deri më tash, kur është në pyetje vendimmarrja, përmbushja e agjendës së punës dhe miratimi i ligjeve.
Facebook Forum