As vizita e përfaqësueses së lartë të BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, dhe as porosia e saj nuk i ka bindur palët në kundërthënie, pozitë e opozitë, që çështjen e demarkacionit ta përmbyllin.
Qeveria e Kosovës nuk e ka bërë të qartë nëse do ta procedojë në Kuvend së shpejti projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, por opozita sërish ka bërë me dije se do ta kundërshtojë fuqishëm në çdo rast kur të jetë përpara ligjvënësve.
Zyrtarët e qeverisë megjithatë nuk kanë dashur të flasin për porositë e Mogherinit, që qëndroi në fundjavë në Prishtinë e Mitrovicë, dhe posaçërisht nuk kanë pranuar të japin hollësi për afatet se kur projektligji për demarkacionin do të dërgohet në Kuvend.
Deputetët e partive politike, si ata në pushtet edhe ata në opozitë, ndërkaq thonë se pa arritjen e një konsensusi mes subjekteve politike nuk mund të ketë sukses votimi i marrëveshjes në Kuvend.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës Melihate Tërmkolli nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se duke parë zhvillimet politike dhe mënyrën se si është punuar për ta proceduar në parlament çështjen e demarkacionit, ai nuk do të mund të kalojë.
Tërmkolli tha për Radion Evropa e Lirë, se aktualisht nuk ka vota të mjaftueshme për ta kaluar marrëveshjen në Kuvend.
"Me sa po shihet nuk janë votat e mjaftueshme në Kuvend, përfshirë këtu tashmë edhe largimin e deputetëve të Listës Serbe që kanë një numër të caktuar të deputetëve. Në gjithë këtë ndarje, është vështirë të mendohet që do të ketë një qëndrim pro kësaj çështjeje. Por, nuk kanë humbur të gjitha shanset që të gjendet zgjidhja për demarkacionin", tha Tërmkolli.
Ajo konsideron se zgjidhja e kësaj çështjeje mund të bëhet vetëm nëse arrihet një marrëveshje mes partive politike në vend.
"Nuk po shihet në horizont një vullnet i vërtet i asnjënjërës palë për të arritur një lloj konsensusi. Dua të shpresoj se ndoshta në momentet e fundit mund të bëhet një zgjidhje, një zgjidhje e jona e përbashkët", tha Tërmkolli.
Por, për opozitën demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, në formën e dhënë, ka marrë fund.
Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e lirë, përsëriti se marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi ashtu siç është, nuk do të kalojë.
"Sa i takon çështjes së demarkacionit, ne mendojmë që qeveria është e vendosur që ta procedojë në Kuvend mirëpo, nuk do të kalojë. Jam më se i bindur, duke u bazuar në vendosmërinë e deputetëve për të mbrojtur territorin. Mund të them se kurdo që të vijë demarkacioni në Kuvend për ratifikim do të dështojë dhe gjërat do të kthehen aty ku kemi thënë, sepse kemi pasur të drejtë kur kemi thënë se i jepet territor Malit të Zi", tha Lekaj.
Demarkacioni i kufirit me malin e Zi, që u nënshkrua në gusht të vitit 2015 në praninë ndërkombëtare, u vu kusht nga BE-ja për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Të njëjtin e përsëriti në Prishtinë shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, e cila kërkoi miratimin e tij ‘në shkëmbim’ të vizave. Ajo ka ripërsëritur faktin se vendimi për hapjen e rrugës së liberalizimit ‘është në duart e Kuvendit të Kosovës’. Madje, iu ka bërë thirrje partive politike që të tejkalojnë debatin ndërpartiak dhe të gjejnë rrugën përpara në interes të qytetarëve.
Deputeti nga radhët e opozitës, Pal Lekaj, kritikoi zyrtarët e Qeverisë së Kosovës për, siç tha, keqinterpretim të mesazhit të Mogherinit.
"Ajo ka thënë se demarkacioni i hap rrugën liberalizimit, por jo se do të ndodh liberalizimi. Dhe nuk është i vetmi kusht", tha Lekaj.
Mirëpo, për deputeten e LDK-së, Melihate Tërmkolli, Qeveria e Kosovës dhe edhe palët e tjera, që nga fillimi çështjen e demarkacionit nuk e kanë trajtuar siç duhej.
"Shihet se nuk ka pasur përpjekje serioze në këtë drejtim as nga qeveria e as nga opozita. Që të dyja po bëjnë një lloj loje jo të mirë, e cila mund të sjell pasoj jo të mira dhe në këtë drejtim unë mendoj që absolutisht t'i kthehen përgjegjësisë secila palë dhe ta kuptojnë situatën dhe çështjen me përgjegjësin më të lartë", tha Tërmkolli.
Aktualisht, përveç opozitës edhe një numër të deputetëve nga radhët e partive në pushtet nuk e kanë mbështetur marrëveshjen aktuale, me bindjen se shënjimi i vijës kufitare është bërë në dëm të territorit të Kosovës.
Në përpjekje për t’i dhënë fund ‘problemit kufitar’ prej më shumë se një vit e gjysmë, qeveria krijoi një komision shtetëror për matjen e territorit, i cili në një raport të tij përfundimtar ka dhënë garancitë se Kosova nuk ka humbur territor me Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Por, një komision tjetër, i pavarur i ekspertëve, ka konstatuar se me ratifikimin e demarkacionit aktual, Kosova do t’i falte Malit të Zi territor në sipërfaqe prej 70.44 km2.
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që prej nënshkrimit të saj është shndërruar në përplasjen më të fuqishme brenda Kuvendit të Kosovës ndërmjet pozitës e opozitës. Kjo e fundit në disa raste ka përdorur edhe gazin lotsjellës për të pamundësuar debatin për marrëveshjen. Një numër protestash madje janë organizuar në qytete të ndryshme të Kosovës, dhe opozita ka theksuar se Kosova me marrëveshje humbet mbi 8 mijë hektarë tokë, që është kundërshtuar nga institucionet në vend. (REL)