Ndërlidhjet

Thaçi: Do të ndërmarr veprime për themelimin e ushtrisë


Forca e Sigurisë së Kosovës
Forca e Sigurisë së Kosovës

Në Kosovë, sikurse dhe viteve të kaluara, ka nisur manifestimi tradicional “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, i cili zgjat tri ditë.

Manifestimi bëhet në kujtim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Adem Jasharit, që njihet si komandant legjendar i UÇK-së, dhe familjes së tij.

Ceremonia ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës është mbajtur në kazermën "Adem Jashari" në Prishtinë, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve të Kosovës, deputetë dhe qytetarë, si dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, me këtë rast është zotuar se shpejt në Kuvend do ta procedojë Ligjin për themelimin e ushtrisë së Kosovës.

Ai, pjesëtarëve të FSK-së u është drejtuar si ushtarë të Republikës së Kosovës.

"Kjo nuk është asgjë e re, sepse kështu i kemi konsideruar gjithmonë dhe kështu do të jenë përgjithmonë. Ky fakt dhe realitet nuk është risi as për NATO-n e as për shtetet fqinje. Unë sot dua ta bëj të qartë se në ditët në vijim, shumë shpejt brenda kompetencave të mia kushtetuese, do të ndërmarr të gjitha veprimet e domosdoshme ligjore që transformimi i shumëpritur i themelimit të ushtrisë së Kosovës, të bëhet realitet edhe nëpërmjet ndryshimit të Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës", ka deklaruar Thaçi.

Republika e Kosovës, ka thënë Thaçi, me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe ruajtjes së paqes dhe interesave shtetërore, duhet të avancojë rolin dhe detyrat e FSK-së.

"Shtetet fqinje, të cilat kanë ushtritë e tyre, duhet ta kuptojnë këtë transformim të FSK-së në ushtri si një hap krejtësisht normal të një shteti sovran dhe të pavarur. Misioni i KFOR-it do të vazhdojë të funksionojë si zakonisht dhe ky transformim nuk do të këtë implikim në misionin dhe detyrat e KFRO-it në Kosovë", është shprehur Thaçi.

Duke kujtuar kohën e luftës në Kosovë në vitet 1998/’99, Thaçi ka thënë se rezistenca e vazhdueshme e qytetarëve të Kosovës dhe mbështetja e botës demokratike, ka sjellë lirinë e ëndërruar për shekuj me radhë nga qytetarët e Kosovës.

Ai ka theksuar, po ashtu, se që nga çlirimi i vendit, Kosova ka arritur suksese të mëdha.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në ceremoninë e FSK-së me rastin e “Epopesë së UÇK-së”, ka deklaruar se 5 marsi është dita kur e mira fiton ndaj së keqes dhe e vërteta ndaj trillimit.

Mustafa ka thënë se në ndërtimin e institucioneve të Kosovës demokratike, ekonomike dhe sociale, ka dallime te liderët politikë, pos, siç ka theksuar, të gjithë janë unikë për rrugën evropiane dhe euro-atlantike.

"Kosova, institucionet e saj, si dhe qytetarët, kanë sfidat e veta që janë të shumta dhe të cilat ndryshojnë krahas prosperitetit tonë. Kosova ka bërë transformime epokale dhe historike falë rezistencës së saj paqësore unike për këtë pjesë të botës, falë edhe luftës çlirimtare të popullit të saj. Ne, sot mburremi me institucionet e reja shtetërore të ngritura në partneritet me miqtë tanë. Mburremi me FSK-në, në të cilën shohim ushtrinë tonë, një forcë paqeje dhe stabiliteti jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë; një anëtare të ardhshme të Aleancës veri-atlantike", është shprehur Mustafa.

Ai ka deklaruar se institucionet e Kosovës janë duke punuar që qytetarët e Kosovës të mos privohen nga e drejta për lëvizje të lirë dhe për të ndërtuar një shtet të së drejtës, për të qenë faktor i paqes dhe i stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Gjatë këtyre ditëve të "Epopesë së UÇK-së”, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, vizitohet nga udhëheqës institucionesh, liderë të partive politike të Kosovës dhe qytetarë të shumtë.

Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, në Prekaz të Skënderajt, gjatë sulmeve të forcave serbe të sigurisë në këtë fshat, janë vrarë më shumë se pesëdhjetë anëtarë të familjes Jashari.

Po 19 vjet më parë, filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Sulmet filluan më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana.

Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 12 44, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës.(REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG