Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe ata të misioneve ndërkombëtare në vend thanë të marten se ‘luftimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit kërkon një bashkëpunim gjithëpërfshirës në shoqëri’.
Ata thanë se ‘shoqëria civile duhet të jetë më e angazhuar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm’ dhe njëkohësisht të ndihmojë në zhvillimin e debatit të përgjithshëm që tregon për rrezikun e këtij fenomeni.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie tha se SHBA-ja do ta mbështes Kosovën në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Ai tha se ‘shoqëria në Kosovë duhet t’u sigurojë alternativa më të mira të rinjve, të zhvillojë debatin kritik dhe edukimin dhe t’i mbajë larg nga ideologjitë e errëta që mund t’u ofrohen atyre.
"Nuk mund t’i njohim të gjitha arsyet pse ekstremizmi i dhunshëm prek zemrat e disa personave, duke i detyruar të lënë familjet e tyre për t’u futur në një botë më të errët dhe më të dhunshme. Ajo çfarë po mësojmë më shumë për rrënjët e radikalizmit është se si ndikohen të rinjtë, kur janë të pa punë, kur nuk shohin perspektivë apo kanë mungesë të dinjitetit, kur ndihen shumë të shkëputur nga komuniteti. Kjo nuk ndodhë brenda natës. Një pjesë e sfidës sonë të përbashkët, është t’i edukojmë për rrezikshmërinë dhe atë çfarë duhet bërë kur përballen me diçka jo të mirë", tha ambasadori Delawie në fjalën e tij në një konferencë në Prishtinë mbi “Angazhimin e shoqërisë civile kundër ekstremizmit të dhunshëm”.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie tha se sundimi i ligjit mbetet jetik për shtetin e Kosovës
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, tha se komuniteti fetar dhe shoqëria civile duhet të punojnë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Sipas tij, fenomeni i ekstremizmit të dhunshëm nuk mund të luftohet vetëm me masa represive.
"Para se policia të ketë punë, kujtoj që ne të gjithë bashkërisht, i gjithë spektri socio-politik, shoqëria civile mund të bëjë punën më të madhe thelbësore në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, përkatësisht në ndërtimin e një kundër-mesazhi, një kundër-narracioni efikas, efektiv që do t'i bëjë ata të rinj e të reja të Kosovës, që eventualisht mund të jenë tunduar nga mesazhet e mbrapshta", tha Hyseni.
Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, tha se luftimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe fuqizimi i sundimit të ligjit është rruga e Kosovës përpara. Ajo tha po ashtu se në këtë drejtim duhet përkushtimi i të gjithëve.
"Lufta jonë kundër ekstremizmit të dhunshëm është një luftë e vazhdueshme është luftë për vlera respekt të ndërsjellë dhe paqe . Është luftë për të ndihmuar secilin qe është viktimë e ekstremizmit të dhunshëm apo që rrezikohet nga një fenomen i tillë", tha Hoxha.
Ekspertët e çështjeve të sigurisë thonë se “institucionet kanë punuar në dizajnimin e politikave të sigurisë, por “ka nevojë që të avancohet komunikimi posaçërisht me shoqërinë civile".
Ligjëratat fetare jashtë kontrollit të institucioneve kompetente, niveli i ulët i arsimit, kushtet e vështira ekonomike dhe sociale, thuhet të jenë vetëm disa nga arsyet që çuan qytetarët e Kosovës në luftërat në Siri dhe Irak.
Ndërkohë, profesori në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, Xhabir Hamiti, tha se duhet të punohet në ngritjen e mekanizmave për edukimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve për rrezikun dhe pasojat që lë ekstremizmi i dhunshëm. Por, ai tha se rehabilitimi i atyre “që janë manipuluar, kërkon kohë”.
"Rehabilitimi dhe riintegrimi i këtij grupi të manipuluar, keq-indoktrinuar dhe keq-udhëzuar, padyshim që do ta marrë kohë për t’u riintegruar në jetën e përditshmërisë normal", tha Hamiti.
Sipas tij një rol të rëndësishëm mund ta luajë veçanërisht “institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës përmes mekanizmave fetarë; xhamive, medreseve dhe fakultetit.
"Pa riaktivizimin e këtij institucioni fetar [BIK] dhe pa riorganizimin e tij të fuqishëm në parandalimin e interpretimin e jashtëm fetar të ideologëve politikë dhe sektarë të mësimeve islame, përpjekjet e tjera në këtë drejtim nuk do të them se nuk do të jenë të suksesshme, por nuk do të mund të sjellin rezultatin e pritur", tha Hamiti.
Ndërkohë edhe përfshirja e komunave në Kosovë në luftimin e fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm është theksuar si e domosdoshme.
Autoritetet e sigurisë në Kosovë thonë se mbi 300 qytetarë të vendit kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme, ndërkohë që në zonat e luftës vlerësohet se ndodhen edhe 140 të tjerë.
Të paktën 117 veta thuhet se janë kthyer në Kosovë dhe deri më tani rreth 40 veta janë dënuar për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.
Kosova ka kaluar afro dy vjet më parë një ligj me të cilin parandalohet pjesëmarrja e qytetarëve të saj në luftërat e huaja dhe i cili parasheh edhe dënime të rënda për një gjë të tillë. (REL)