Riformatimi mund të jetë një zgjidhje rezervë që e shpëton koalicionin aktual qeverisës nga zgjedhjet e parakohshme, kanë lënë të kuptohet zyrtarë të partive në koalicion.
Deputetë nga radhët e partive në pushtet dhe zyrtarët e tyre, kanë pranuar se Qeveria aktuale nuk ka pasur një paraqitje të mirë, por, sipas tyre, zgjedhjet nuk mund të shihen si opsion.
Çështjet madhore të koalicionit që nuk kanë arritur të kalojnë në Kuvendin e Kosovës, përfshirë posaçërisht procesin e demarkacionit, që mund t’i hapte rrugën liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit, kanë nxjerrë në shesh mospajtimet madje edhe në mesin e vetë anëtarëve të partive në pushtet.
Dallimet kanë nxitur madje edhe deputetë të shumicës që të kërkojnë zgjedhje të reja, për siç thonë, mosfunksionimin e koalicionit.
Por, zyrtarët e dy partive më të mëdha në vend, që përbëjnë koalicionin e sotëm qeverisës, thonë se edhe në rast të dështimit të sërishëm të demarkacionit, vendi nuk ka pse të shkojë në një proces të ngutshëm zgjedhor.
Rrustem Mustafa, anëtar i Kryesisë nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se Qeveria aktuale, ka nevojë për rifreskim dhe ndryshime.
"Performimi i dobët i Qeverisë, i dikastereve me njerëz joadekuatë, kisha për të thënë se ka shumë ministra jokompetentë në Qeveri, kanë bërë që të duket kështu. Unë e di që ka ardhur koha dhe ka qenë koha edhe më herët sesa që po e them unë, që të ketë një ndryshim në Qeveri dhe të ketë riformatim të Qeverisë në mënyrë që të ecet me prioritet dhe konform situatës që jemi", thotë Mustafa.
Ai thekson se edhe në rast të shkuarjes së Kosovës në zgjedhje të jashtëzakonshme, sërish në qeverisje mund të vijnë dy partnerët e koalicionit ekzistues dhe nuk mund të ketë ndryshime të mëdha. Ai konsideron se Qeveria duhet të bëjë punë më të mirë për vendin.
"Demarkacioni, Gjykata Speciale, Asociacioni por edhe prioritete të tjera të Qeverisë, kanë ngelur në vend dhe koalicioni nuk ka mundur t'i shtyjë përpara dhe në kohën e duhur. Unë e di që jemi para një momenti kur duhet të zgjedhim, një për një, prioritetet pa i kushtëzuar njëra me tjetrën, por jam për performim të kësaj qeverie, për ndryshim të qasjes në punë dhe unë besoj se nëse vihen prioritet dhe afatizimet, si dhe një vullnet i mirë politik, do të mund t'i krijonte kushtet për avancimin e këtyre prioriteteve", thekson Mustafa.
Nga ana tjetër, Arben Gashi, deputet i Kuvendit të Kosovës, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, mendon se koalicioni qeverisës është i qëndrueshëm. Sipas tij, nuk ka nevojë që vendi të shkojë në zgjedhje pavarësisht mosmiratimit në Kuvend të Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Po ashtu, siç shprehet ai, vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje as për shkak të mostransformimit të FSK-së e as për shkak të Gjykatës Speciale.
“Koalicioni qeverisës, për momentin, është i qëndrueshëm, sepse ka fuqinë vendimmarrëse në Kuvend dhe të gjitha vendimet që janë propozuar në Kuvend, kanë kaluar, veç çështjes së demarkacionit, e cila është një çështje, e cila kërkon konsensus më të madh se sa fuqia e koalicionit", thotë Gashi.
Kuvendi i Kosovës që prej verës së vitit 2015, nuk ka arritur që të zgjidhë çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, ta shndërrojë Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur, dhe as të çojë përpara procesin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe partitë të në pushtet janë përballur me një kundërshtim të fortë nga opozita e bashkuar, që ka insistuar prej kohësh që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Kosova gjatë fundit të këtij viti pritet të hyjë në një cikël zgjedhor të rregullt për Asambletë komunale dhe kryetarët e komunave.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi thotë se partnerët në koalicion mund të vendosin për çfarëdo procesi zgjedhor.
"Nuk e mohoj mundësinë e zgjedhjeve, por në kuadër të analizës po them se [demarkacioni, ushtria, Gjykata Speciale ] nuk janë elementet kryesore, të cilat mund të çojnë në zgjedhje. Por, gjithsesi nëse partnerët e koalicionit vendosin që të mos jenë më bashkë, në çdo moment mund të mbahen zgjedhjet", shton Gashi.
Nga ana tjetër, mosadresimi i çështjeve të rëndësishme për Kosovën, nga shumica parlamentare, janë arsye të mjaftueshme që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme sa më parë, kanë deklaruar përfaqësuesit e partive politike opozitare në Kosovë.
Njohës të rrethanave besojnë se zhvillimet e muajve të ardhshëm do të mund të përcaktojnë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se koalicioni qeveritar dhe shumica parlamentare janë krijuar pikërisht për të çuar përpara disa procese të rëndësishme për vendin. Ai vlerëson se qeverisja aktuale nuk i ka realizuar planet e parapara dhe shumë procese kanë ngecur për shkak se Kuvendi ka qenë i paaftë përballë çështjeve që i janë parashtruar.
“Probleme të shumta, të ashtuquajtura nacionale, mund ta provokojnë shkuarjen e hershme ose të parakohshme në zgjedhje. Por, unë besoj se vendi mund të shkojë në zgjedhje në kohën kur zoti Veseli dhe PDK-ja vendosin për këtë si partia më e madhe në vend", vlerëson Mushkolaj.
Sidoqoftë, analistët thonë se Kosova që prej shpalljes se pavarësisë nuk ka pasur pothuaj asnjë qeveri të saj që ka përfunduar mandatin e plotë katërvjeçar, duke nxitur gjithnjë zgjedhje të parakohshme dhe kriza politike. Në vitin 2014, pas zgjedhjeve parlamentare, Kosova hyri në një bllokadë politike prej gjashtë muajsh, që siç thonë analistët, prodhoi edhe më shumë jostabilitet dhe krizë të vazhdueshme në vend.(REL)
Facebook Forum