Ndërlidhjet

Asociacioni përcakton kthimin e Listës Serbe


Lista Serbe nuk do t’i kthejë përfaqësuesit e saj në institucionet qendrore të Kosovës, në rast se ekzekutivi i vendit nuk i qaset seriozisht themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, konfirmojnë përfaqësuesit e kësaj liste.

Kryetar i Listës Serbe, Slavko Simiq, njëherit edhe shef i grupit parlamentar të kësaj liste në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është me interes vital për serbët që jetojnë në Kosovë.

Por, sipas tij, nëse themelimi i Asociacionit nuk bëhet sipas kërkesave të Listës Serbe, e që siç thotë ai, ato bazohen mbi principet e marrëveshjes së Brukselit, përfaqësuesit e kësaj liste nuk do të kthehen në institucione.

“Nuk ka kthim përderisa nuk respektohen principet bazë të marrëveshjes së Brukselit. Do të thotë, Gjykata Kushtetuese mund të rrëzojë gjithçka. Ne nuk mundemi që për gjithçka që merremi vesh në Bruksel dhe më pas, kur jemi në terren, nuk mund të zbatojmë asgjë për shkak të sistemit legjislativ dhe kushtetues”, tha Simiq.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, disa herë ka ripërsëritur ftesën ndaj përfaqësuesve të Listës Serbe që të kthehen në institucionet qendrore, në mënyrë që të fillojë puna për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, duke folur për radion Evropa e lirë, thekson se fillimi i punës për krijimin e Asociacionit, nuk mund të bëhet pa prezencën e përfaqësuesve të komunitetit serb. Kjo edhe për faktin, sipas tij, se krijimi i Asociacionit ka të bëjë me faktorë të ndryshëm që kanë të ndërlidhur me interesat e qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë.

“Është vështirë të shpjegohet dhe më vështirë të justifikohet mospjesëmarrja e tyre, me kushtëzimin që ‘të fillohet seriozisht nga puna’. Seriozisht, kryeministri Mustafa i ka ftuar të kthehen, të ulemi bashkë dhe të fillojmë menjëherë me Asociacion. Gjithmonë, duke mos harruar ta potencojmë se do të kemi parasysh të gjitha vërejtjet, sugjerimet, në aspektin e precizuar saktë juridikisht, të cilat i ka dhënë Gjykata Kushtetuese e jonë”.

Por, pikërisht vërejtjet dhe sugjerimet të cilat i ka dhënë Gjykata Kushtetuese lidhur me themelimin e Asociacionit, janë pengesa kryesore për kthimin e përfaqësuesve të Listës Serbe në institucione.

Këtë e pohon edhe deputeti Simiq, i cili thekson se përfaqësuesit e Listës serbe nuk e dëshirojnë një asociacion sipas dëshirës së autoriteteve të Prishtinës.

“Ata, fatkeqësisht, dëshirojnë që përmes Gjykatës Kushtetuese dhe sistemit legjislativ ta refuzojnë Bashkësinë e komunave serbe, si institucion që do të duhej të kishte integritetin e tij dhe një shkallë relevante të autonomisë institucionale. Për ne është e rëndësishme që të pranohet karakteri i veçantë i këtij institucioni dhe që bashkësia e komunave serbe të jetë pikërisht person juridik i definuar me statut”, tha Simiq.

Kushtëzimet e Listës serbe kanë krijuar një pat pozicion, vlerëson zëdhënësi i qeverisë, Abdullahu.

“Ky "pat" pozicion është më së miri të tejkalohet dhe të ndodhë ajo që është shumë e logjikshme dhe e natyrshme në këtë drejtim, që ata të kthehen, të ulemi bashkë. Ata duhet të jenë në fillim pjesëmarrës, gjatë punës dhe në përmbylljen e këtij Asociacioni, gjithmonë të pranishëm. Çfarëdo që do të bënim ne, pa pjesëmarrjen e tyre, do të ishte një lëshim, të cilin dikush tjetër mund ta interpretojë në forma të ndryshme, për të thënë ‘ne nuk ishim aty dhe e bëtë pa ne’”.

Përfaqësuesit e Listës serbe, që nga tetori i vitit të kaluar, kanë ‘ngrirë’ pjesëmarrjen në institucionet qendrore, në shenjë kundërshtimi ndaj miratimit të Ligjit për Trepçën dhe Ligjit për investime strategjike.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas këndvështrimit të Listës Serbe për marrëveshjen e Brukselit, tashmë është kusht i thënë hapur nga kjo listë, për kthimin e përfaqësuesve të saj në institucionet qendrore. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG