Ndërlidhjet

Qeveria përgatitet për riprocedim, opozita për rrëzim të demarkacionit


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ende nuk ka saktësuar se kur do ta procedojë sërish në Kuvendin e Kosovës projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, thotë për Radion Evropa e Lirë se paraprakisht para se ky projektligj të procedohet në Kuvend, debati publik për gjetjet e Komisionit shtetëror për matjen e territorit të Kosovës do të merr disa ditë.

“Kushdo që në një mënyrë ose tjetër do të ketë ndonjë vërejtje, ndonjë sugjerim, ndonjë fakt apo të tjera të kësaj natyre, të ketë mundësi që të t’i ofroj këto të dhëna dhe sugjerime këtij komisioni që ai t’i marrë në shqyrtim dhe që më pas të vij me një përfundim final. Më pas, sikur e do rendi, qeveria do ta riprocedojë projektligjin konkretisht në Kuvendin e Kosovës”.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e partive opozitare në vend, vazhdojnë ta kundërshtojnë Komisionit shtetëror për matjen e territorit të Kosovës, si dhe rezultatet që ka sjellë ky komision.

Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e lirë, e ka quajtur këtë komision vetëm si mjet me të cilin, siç thotë ai, manipulon kryeministri Isa Mustafa.

“Është marionetë e Isa Mustafës dhe mendoj që ky komision ka bërë hajgare. Mendoj që vetëm ka bërë punë për ta fuqizuar vendimin e Qeverisë së Kosovës, me versionin e tanishëm dhe assesi që të punojë në mënyrë profesionale për të ndryshuar qasjen dhe për të ndryshuar atë që ne e kemi quajtur marrëveshje të dëmshme për Kosovën”.

Demarkacioni me Malin e Zi
Demarkacioni me Malin e Zi

Megjithatë, zëdhënësi i qeverisë, Abdullahu thekson se edhe Komisionit shtetëror për matjen e territorit të Kosovës do t’i nevojitet kohë për të sjellë raportin final.

Më pas, sipas tij, partnerët e koalicionit qeverisës do të merren vesh konkretisht se kur saktësisht do ta procedojnë sërish në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

“Ne konsiderojmë që nuk do të ketë vonesa të pajustifikueshme për ta bërë një gjë të tillë, sepse është çështje vitale dhe shumë e rëndësishme për interesin nacional të Kosovës dhe sikur që e dimë të gjithë, është e ndërlidhur kryekëput me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.

Por, Lekaj thotë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por edhe Nisma për Kosovën, do të votojnë kundër ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

“Ne do ta kundërshtojmë me votë kundër dhe unë nuk besoj që do të do të kalojë ratifikimi i kësaj marrëveshje, sepse është në dëm të Kosovës. Aleanca e ka bërë të qartë që është për demarkacion të kufijve, por në interes të shtetit të Kosovës dhe assesi që t’i falet tokë dikujt dhe që të votojë kundër interesit të Kosovës”.

Lekaj ka shtuar se deputetët e Aleancës për ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës për Kosovën, do ta kundërshtojnë ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi brenda Kuvendit dhe jashtë tij, duke paralajmëruar protesta në rrugë. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG