Ndërlidhjet

Ahmeti dhe Zaev, afër marrëveshjes për Qeverinë e re


Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti
Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti

Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lidhja social-demokrate, janë shprehur optimiste lidhur me arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë së re, që po zvarritet për më shumë se dy muaj. Kjo, u bë e ditur nga drejtuesit e dy partive, Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev, pas një takimi në Tetovë, që është mbajtur të martën në mbrëmje.

Tema kryesore e debatit ka qenë përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, por edhe çështje tjera që janë pjesë e deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare. Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, tha se me Ahmetin kanë arritur të harmanizojnë qëndrimet për pjesën më të madhe të ligjit të ri për gjuhën, por për të arritur një marrëveshje finale nevojitet që grupet e punës të punojnë edhe në detajet e fundit që të mos lihet asnjë boshllëk për kontestimin e ligjin në Gjykatën Kushtetuese.

“Vërtetë duam që të gjejmë një zgjidhje të mirë, ligje me zbatim të mirë në praktikë dhe në funksion të Kushtetutës. Zgjidhja për përdorimin e gjuhëve do të jetë në përputhje me Kushtetutën. Unë që sonte do të thërras grupin e punës që të punojë një arritjen e zgjidhjes. Maqedonia kishte durim në gjithë këto ditët e fundit, mendoj se janë në pyetje disa ditë për marrëveshje”, ka deklaruar lideri social-demokrat, Zoran Zaev duke theksuar se për miratimin e ndryshimeve të tilla nuk do të ketë nevojë për ndryshimin e Kushtetutës.

Zaev u deklarua optimist se do të marrë mandatin për të formuar Qeverinë, megjithatë nuk deklaroi nëse ka marrë garanci nga kreu i BDI-së, për mbështetje me nënshkrimet e deputetëve të partisë së tij.

Ndërkohë, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka folur për afrimin e qëndrimeve, por pa saktësuara nëse mund të flitet për një koalicion të ri me LSDM-në.

“Gjërat duhet parë me racionalitet, por zgjidhja që do bëhet të mos shkakton huti e probleme në vend. Ne jemi për zgjidhje të drejtë, të mirë dhe të qëndrueshme. Janë momente vendimtare që gjuha shqipe duhet të ketë statusin e merituar, status i cili buron edhe nga vet Kushtetuta e Maqedonisë, pra gjuhën të cilën e flasin mbi 20 për qind e qytetarëve është gjuhë zyrtare në këtë vend”, ka deklaruar Ahmeti duke bërë të ditur se vendimi përfundimtar do të merret në kryesia qendrore, që sipas njoftimeve partiake do të debatojnë të mërkurën pasdite në Tetovë.

Kreu social-demokrat nga ana tjetër njoftoi se për pikat tjera, dy partitë kanë qëndrime të njëjta, përfshirë edhe atë për buxhetin që është pikë e deklaratës së partive politike shqiptare, për ndarje të barabartë të parave shtetërore, apo investime edhe në zonat e banuara me popullatë shqiptare.

“Në pjesën e Bashkimit Evropian dhe NATO-së, kemi qëndrime të përbashkëta sikur edhe për çështjen që ka të bëjë me vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale. Zgjidhje kemi gjetur për çështjet ekonomike, apo të barazisë ekonomike, për të gjitha rajonet e vendit, jo vetëm ato të një entiteti të caktuar. Do të ketë një trup kontrolli i cili para miratimit të buxhetit do t'i ketë parasysh të gjitha askeptet për ndarjen e barabartë të buxhetit”, ka deklaruar Zaev.

Kreu i LSDM-së do të mandatohet për kryeministër vetëm nëse dy partitë arrijnë marrëveshje koalicioni së bashku edhe me partinë tjetër Aleanca për Shqiptarët, pa të cilën BDI dhe LSDM nuk kanë 61 deputetë, aq sa duhet për tu miratuar Qeveria e re.

BDI-ja në koalicion me VMRO-në ka qenë në dhjetë vjetët e fundit. VMRO-ja ka kundërshtuar bisedimet mes BDI-së dhe LSDM-së duke bërë thirrje për formimin e Qeverisë nga partitë fituese në bllokun maqedonas dhe shqiptar, që nënkupton mes partisë së tij VMRO dhe BDI-së. VMRO në zgjedhjet e 11 dhjetorit ka fituar 51deputetë, LSDM-ja 49, BDI-ja 10, Lëvizja Besa 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH-ja 2 deputetë.(REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG