Ndërlidhjet

As seanca solemne për pavarësinë, nuk i bashkoi pushtetin dhe opozitën 


Kuvendi i Kosovës, ka mbajtur një seancë solemne, kushtuar nëntëvjetorit të pavarësisë. Seanca ka nisur me intonimin e himnit shtetëror.

Më pas, deputetëve u është drejtuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se për nëntë vjet shtet, Kosova është njohur nga 113 vende dhe tani synon integrimin e saj në NATO dhe Bashkim Evropian.

Thaçi ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian që e kanë ndihmuar dhe njohur shtetin e Kosovës.

“Kosova është shtet i përbashkët i të gjithëve, ku secili duhet ta ndjej dhe përjetoj lirinë dhe pavarësinë e saj”, është shprehur ai.

“Nëntë vjet pas, Kosova ka shënuar shumë përparime, sado që ato shpesh nuk shihen siç duhet”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq ka përmendur si sfida, ndërtimin e shtetit ligjor, të integruar në strukturat euro-atlantike.

“Kjo është një ditë e shenjtë për neve dhe për gjeneratat që do të vijnë. Është dita kur janë kurorëzuar sakrifica dhe ëndrra që edhe qytetarët e Kosovës të jetojnë të lirë dhe të barabartë më të tjerët në shtetin tyre”.

“E kemi dëshiruar këtë ditë, jemi shkrirë për atë ditë, kemi duruar për këtë ditë, kemi fituar për këtë ditë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kurse kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se 17 shkurti 2008, është futur në historinë e Kosovës, falë kontributit më dekada të punës, vizionit dhe përkushtimit të popullit për të jetuar të lirë dhe të barabartë me vendet tjera të botës.

“Kosova do të forcohet dhe do të zhvillohet për tu dëshmuar para aleatëve se investimi këtu është investim për paqe, liri dhe për stabilitet në rajon”, është shprehur kryeministri Mustafa.

“Në nëntëvjetorin e pavarësisë, Kosova është një vend demokratik që prodhon paqe në Ballkan dhe është pjesë e të gjitha iniciativave rajonale, evropiane dhe globale që promovojnë siguri dhe prosperitet. Por, në rast të provokimeve, që cenojnë sovranitetin tonë, Kosova vepron me maturi si shtet kredibil”, ka thënë Mustafa.

Në këtë seancë ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Pas përfundimit të seancës, ai ka përmendur mungesën e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po mbahet në Francë, nën masën e lirimit me kusht.

Haradinaj, u ndalua nga autoritetet franceze me 4 janar në aeroportin e Bazelit, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, që daton nga viti 2004.

“Uroj përsëri edhe sot kthimin sa më parë në shtëpi të Ramush Haradinajt. Pa praninë e tij, kjo ditë ka mungesë. Dhe, nga ana tjetër mungesa e tij, është edhe një ftesë në këtë ditë për reflektim për të gjithë", është shprehur Rama.

Në seancë, nuk kanë marrë pjesë shumica e deputetëve opozitarë, sidomos ata të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën.

Ndërkaq, në cilësinë e mysafirëve, përveç kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, ishin edhe përfaqësuesit ndërkombëtar në Kosovë, ndër ta edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie si dhe Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG