Kuvendi i Kosovës me 68 vota për ka miratuar një projekt rezolutë për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur.
Projekt rezoluta përmban dy pika. Në pikën e parë Qeveria e Kosovës autorizohet që sa më parë të koordinojë dhe procedojë në Kuvendin e Kosovës për miratim strategjinë për transformim të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.
Derisa në pikën e dytë të projekt rezolutës thuhet që Kuvendi i Kosovës, Qeveria dhe mekanizmat tjera institucional, të bashkërendojnë angazhimin për harmonizimin e përpjekjeve të përbashkëta me NATO-n dhe SHBA-në për zhvillimin e kapaciteteve operacionale, konform mandatit të ri të Forcave të armatosura të Kosovës.
Në pamundësi të ndryshimeve kushtetuese, për shkak të mospajtimeve të Listës Serbe që Kosova të ketë Forcat e Armatosura, Kuvendi ka diskutuar sot për format e mundshme të transformimit të FSK-së dhe më pas ka votuar një projekt rezolutën.
Debati i sotëm është thirrur në bazë të nismës së deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.
Deputetët kanë pasur para vetës dy opsione, të presin marrëveshjen me Listën Serbe për ndryshimet kushtetuese dhe formimin e Forcave të Armatosura, apo të procedojnë tutje me ndryshimin e Ligjit për FSK-në, sipas të cilit kjo Forcë do të pajisej me kompetenca shtesë në aspektin e mbrojtjes.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, në seancën plenare, theksoi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për të bërë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.
Megjithatë, ai ka theksuar se alternativa që “ne ta bëjmë transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur përmes ndryshimit të Ligjit nuk është alternativë që mund të hidhet poshtë”,por që deri më tani ky opsion nuk ka pasur mbështetjen e partnerëve strategjik të Kosovës “sepse insistohet që kjo të bëhet me Kushtetutë dhe të bëhet në pajtim më të gjerë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, ka theksuar kryeministri.
“Por, nga kontaktet e deri tanishme kemi kuptuar se NATO dhe partnerët tanë strategjik mbesin të përkushtuar që FSK mund të transformohet në çdo kohë në Forcë të Armatosur, përmes ndryshimeve kushtetuese me përkrahje të nevojshëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke i ruajtur të arriturat e deritanishme në konsolidimin e vendit, dhe integrimin e komuniteteve. Kjo na është thënë qartë në të gjitha takimet që i kemi pasur me faktorin ndërkombëtar”, ka theksuar kryeministri Mustafa.
Deputeti Haradinaj, tha se nuk është qëllimi që Kosova të formojë forca një etnike, por as nuk mund të vazhdohet në pafundësi që Kosova të mos e ketë ushtrinë e saj.
“Nuk mund të shkojmë në pafundësi pa ushtri dhe nuk është improvizim, por pikërisht ato mekanizmat NATO-s, forcave të sigurisë i që i kemi aty, pikërisht i njëjti mekanizëm e ka bërë gati lëndën në versionin në B. Askush nuk po tenton të bëjë forca etnike, askush nuk po tenton të rrezikojë asnjë element serb, qëllimi final është anëtarësimi në NATO”, tha Haradinaj.
Ndërkohë, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli ka thënë se çdo vendim që ndërlidhet më transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura do të jetë i koordinuar me NATO-n.
“Ne si ministri jemi të gatshëm, respektivisht Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për të filluar procesion e transformimit në Forca të Armatosura, kurse vet fillimi i procesit varet nga vendimi që do të merr ky Kuvend”.
“Por, konsiderojmë se çfarëdo vendimi që merr ky Kuvend, ai nuk duhet të jetë i njëanshëm, por duhet të jetë i koordinuar dhe në konsultim me NATO-n dhe partnerët tanë strategjik”, ka theksuar ministri Demolli.
Tutje, Demolli ka theksuar se pavarësisht ftesave të shumta që i janë dërguar Listës Serbe, nuk iu ka përgjigjur ftesave të ministrisë për të diskutuar lidhur me këtë transformim të FSK në Forcë të Armatosur.
Ai ka rikujtuar draftligji për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura i ishte proceduar dy herë Qeverisë së Kosovës, mirëpo i njëjti nuk është proceduar fare në kuvend për shkak të mosaprovimit të amendamenteve kushtetuese.
Forcat e Armatosura të Kosovës ka sqaruar ministri Demolli, do të jetë një forcë bashkëkohore, jo voluminoze, diku me 5 mijë pjesëtarë aktiv dhe 3 mijë rezerve. Do të ketë kapacitete mbrojtëse dhe do të ndihmojë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në vend dhe gjithnjë në përputhje me standardet më të avancuara të NATO-s.
Ganimete Musliu, deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ka theksuar se janë krijuar të gjitha kushtet dhe janë kryer të gjitha obligimet që FSK, të transformohet në Forca të Armatosura.
“Dhe, kjo mund të arrihet në bashkëpunim me SHBA-të, me NATO-n dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë, por mbi të gjitha me një konsensus politik vendor. Ne nuk duhet të kemi dilema rreth formimit të ushtrisë”, ka theksuar Musliu.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se Kosova është e rrezikuar, sidomos nga Serbia, dhe se është e domosdoshme që Kosova ta ketë ushtrinë e saj.
“Kosovës i nevojitet ushtria pikërisht që të mos ketë luftë. Dobësia jonë na bën magnet për apetitet e kundërshtarëve. Ushtria është ajo e cila ta siguron paqen, aq më tepër karshi armiqve që asnjëherë nuk janë dëshmuar paqësor ndaj nesh”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, Matthew Palmer, drejtor për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin amerikan të Shtetit ka shprehur mbështetje të plotë për rrugën euroatlantike të Kosovës.
Ai ka thënë se SHBA-ja mbështet transformimin e FSK-së në FAK dhe angazhohet që ky proces të jetë i mbështetur nga të gjitha palët në Parlamentin e Kosovës.
Forcat e Armatosura të Kosovës, si pasardhëse të Forcave të Sigurisë, janë paralajmëruar të krijohen prej më shumë se dy vitesh, pas hapjes së dritës së gjelbër nga Aleanca e NATO-s me përmbushjen e kapaciteteve operative.