Ndërlidhjet

"Lufta e fjalëve" ndërmjet liderëve po i shton tensionet


Delegacioni i Kosovës dhe i Serbisë në takim me Federica Mogherinin e BE-së
Delegacioni i Kosovës dhe i Serbisë në takim me Federica Mogherinin e BE-së

Tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit janë rritur nga vetë liderët e të dyja vendeve përmes deklaratave të tyre dhe njëkohësisht po ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen e përgjithshme të sigurisë, kanë deklaruar analistët për çështje politike dhe të sigurisë.

Tensionet u krijuan fillimisht me arrestimin, në Francë, të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj mbi bazën e një urdhër – arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet serbe dhe posaçërisht pas nisjes për në Kosovë të një treni me ikonografi kishtare mesjetare.

Një mur i ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës, në kohën e renovimit të urës mbi Ibër, përshkallëzoi edhe më shumë raportet ndëretnike.

As takimet në kuadër të dialogut që po zhvillohet me lehtësimin e BE-së, që kishin për qëllim uljen e tensioneve, nuk arritën të pajtojnë palët.

Zyrtarët evropianë kanë shprehur shqetësimin e tyre me ‘deklaratat nxitëse” të të dyja palëve.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini tha pas shtimit të tensioneve ndërmjet dy palëve, me të përfunduar të takimit të dytë brenda një jave se “përparimi në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësisë më të madhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit ndërmjet dy palëve dhe në rajon”.

Analisti i zhvillimeve politike, Ilir Ibrahimi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se politikanët e të dyja shteteve me fjalorin dhe mesazhet e tyre po rrisin tensionet dhe njëherësh po nxisin “frikë të panevojshme” tek qytetarët

Politikanët e të dyja vendeve, si në Kosovë po ashtu edhe në Serbi, në vend që të jenë liderë ata po vazhdojnë të jenë politikanë. Po shikojnë që të çojnë përpara mesazhe që iu konvenon atyre si politikanë dhe jo si liderë.Ata po japin deklarata kinse për shtendosje, mirëpo vetë prania e tyre kaq e madhe në publik, po besoj se e dërgon një mesazh të gabuar tek opinioni “, ka thënë Ibrahimi

“Lufta e fjalëve” që nisi në javën e parë të janarit të këtij viti, e ka tensionuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të fuqishme situatën e sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, njohësi i rrethanave të sigurisë në vend, profesor i Sigurisë Kombëtare në Kolegjin ISPE, Burim Ramadani

Sipas tij, në Kosovë ekzistojnë elementete mundshme të përshkallëzimit të situatës se sigurisë në terren.

“Në bindjen time tensionimi i tanishëm është kulmor në raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe në raportet në mes shtetit të Kosovë dhe komunitetit serb në veri. Dhe si të tilla mund të kalojnë në përshkallëzim të aspektit të sigurisë dhe të përshkallëozhen në problemin e destabilizimit nëse nuk gjendet një rrugë e ndërmjetme. Sidomos autoritet e Kosovës duhet të tregojnë më shumë vendosmërinë zbatimin e ligjit” ka thënë Ramadani

Një ndër veprimet që mund të ulë tensionet sipas analistëve në Prishtinë është rrënimi i murit të ndërtuar në pjesën veriore, nga vetë autoritet lokale atje.

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar së fundi, pas një takimi në qytetin e Rashkës, në afërsi të kufirit me Kosovën, se “kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, ka pranuar të shembet (muri)", sepse sipas tij, "dëshiron të ruaj paqen”.

Burim Ramadani, thotë se rrënimi i murit duhet të ndodh patjetër nga ata qe e kanë vendos.

“Por, përfundimisht institucionet e Kosovës duhet të japin maksimuminse heqja e murit duhet të ndodh nga ata qe e kanë vendos, me mbikëqyrje dhe monitorim të institucioneve të Kosovës dhe pa tone të larta të cilat mund të ngjallin qoftë frikë apo shqetësim tek komuniteti serb atje”

Edhe Ilir Ibrahimi, shprehet se muri do të rrënohen ashtu sic është ngritur.

"Po ky mur të bëhet kaq gjë e madhe në mes dy klasave politike, po u jep atyre një lloji aduti për të bërë politikë dhe jo për të rregulluar jetën e qytetarëve “.

Sidoqoftë, analistët kanë shfaqur pak besim se tensionet do të ulen së shpejti, marrë parasysh një numër marrëveshjesh të arritura mes tyre dhe të pazbatuara në praktikë, përfshirë edhe atë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që në të kaluarën ka nxitur kundërshtime të forta të opozitës në vend. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG