Ndërlidhjet

Në pamundësi të formimit të ushtrisë, Kosova do ta fuqizojë FSK-në


Në pamundësi që të krijojë Forcat e Armatosura, Kosova po synon të fuqizojë me kompetenca shtesë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) e cila ishte formuar si tranzicion mes një force të emergjencave kah një forcë ushtarake apo e armatosur.

Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës aktualisht është bërë i pamundur për shkak të nevojës për ndryshimin e Kushtteutës. Ky ndryshim, nuk mund të bëhet pa mbësjhtetjen dhe votat e deputetëve serb, të cilët janë deklaruar se nuk e shohin si moment të përshtatshëm diskutimin për ushtrinë e Kosovës në këtë fazë.

Andaj, si rrugë alternative për fuqizimin e strukturave mbrojtëse, deputetët e Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, konsiderojnë se FSK-ja duhet të ketë kompetenca shtesë.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Nuredin Ibishi tha për Radion Evropa e Lirë se FSK-ja me ndryshimin e Ligjit për të, mund të arrijë disa ndryshime në mandatin që ka dhe të marr detyra të reja. Ai thotë se me ndryshimin e ligjit do të vijë mundësia substanciale e ngritjes së kapaciteteve tjera të FSK-së.

"Me ndryshimin e Ligjit për FSK-në, pa e ndryshuar Kushtetutën, jepet mundësia që me ligj, me shumicën e thjesht të votave të deputeteve, të bëhen plotësim-ndryshimet për kompetenca shtesë për FSK-në", tha Ibishi.

Aktualisht, procesi i themelimit të Forcave të Armatosura apo Ushtrisë së Kosovës ka mbetur i bllokuar për shkak të mungesës së përkrahjes nga deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë, deputeti Rexhep Selimi nga radhët e partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet e vendit, në pamundësi për të bërë ndryshimet Kushtetuese, duhet t’i qasen ndryshimit të Ligjit për FSK-në.

"Ajo që do të përfitonim ne tani në ketë kohë shumë të shpejt dhe dinamike, do të përfitonim ndoshta jo ndryshimet nominale, po do të përfitonim ndryshimet e domosdoshme dhe esenciale. Prandaj, ndryshimi i Ligjit për FSK-në nuk i përjashton ndryshimet Kushtetuese për shndërrimin dhe ndryshimin e misionit kushtetues të FSK-së në Forca të Armatosur të Kosovë, por do të bënte diçka çka është e domosdoshme tani", tha Selimi.

Për vonesën e shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura, apo edhe për mos krijimin e kapaciteteve ushtarake të FSK-së Selimi ka fajësuar edhe Qeverinë e Kosovës për mos veprim dhe neglizhencë.

Me krijimin e infrastrukturës ligjore, Forca e Sigurisë së Kosovës do të kalojë përmes një tranzicioni prej 10 vitesh deri në transformimin e plotë në Forca të Armatosura.

Ramadan Qehaja, njohës i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë thotë se duhet të gjenden mundësi që Kosova brenda vitit ta ketë ushtrinë e saj.

"Domosdo duhet bërë ndryshime, nëse jo ato esenciale që kanë të bëjnë më Kushtetutën e Kosovës, por me ndryshimet e ligjeve, unë ashtu propozoj të shkohet me planin B, pra të shkohet dhe të fuqizohen ligjet që kanë të bëjnë me FSK-në e cila do të mbetet si e tillë me emrin, por faktikisht do të bëhet një avancim i detyrave ushtarake", tha Qehaja.

Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është paraparë që prej më shumë se dy vjetësh, por ajo nuk arriti të krijohet pa ndryshimet kushtetuese që kërkojnë mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të bashkësive pakicë.

Deputetët serbë ndërkaq kanë më shumë se katër muaj që po i bojkotojnë institucionet e vendit.

Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës pritet të prezantohet në Kuvend nga Qeveria, nëpërmjet projektligjit që përcakton ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat do të diktojnë edhe nevojën e ndryshimeve Kushtetuese.

Forcat e Armatosura, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, mund të themelohen nën mbikëqyrjen e NATO-s, me numër të caktuar ushtarësh dhe me armatim dhe pajisje të përcaktuara në marrëveshje me NATO-n. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG