Familja Rezniqi nga Prishtina, me prejardhje nga Rrafshi i Dukagjinit, është një nga shumë familje nga Kosova që kanë ndihmuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kontributi i kësaj familje është njohur në Kosovë dhe me gjerë.
Kjo familje [Arsllan Mustaf Rezniqi] është vlerësuar me titullin 'Fisnik mes Kombeve' nga institucioni i përkujtimit të martirëve të Holokaustit (Yad Vashem në Jerusalem).
Kujtimet dhe tregimet mbi ngjarjet që ndodhën në atë kohë në këtë familje janë përcjellë brez pas brezi, nga Arsllan Rezniqi, iniciues i nismës për strehimin e hebrenjve, tek i biri Mustafa, nipi Adnani, e deri te stërnipi, Lekë Rezniqi.
"Në komunikim të drejtpërdrejt me ‘Yad Vashem’ pas pothuajse 20 vjetësh më në fund është vërtetuar që stërgjyshi ka shpëtuar hebrenj", tha Rezniqi.
Rreth 42 familje hebre janë shpëtuar apo kanë kaluar nga familja Rezniqi për në vende të tjera, thotë Rezniqi.
"Ata kryesisht kanë ardhur nga Maqedonia dhe Greqia të cilët pastaj kanë kaluar në Shqipëri, ku kanë mundur tu sigurojnë dokumente false", tha Rezniqi.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë familje shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, strehuan dhe mbrojtën hebrenj.
Lekë Rezniqi thotë se ndihma që shqiptarët e Kosovës i kanë bërë për hebrenjtë është pjesë e historisë për të cilën duhet të krenohet e gjithë Kosova.
Por, ai thotë se familjet apo personat të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në këtë çështje, nuk po respektohen siç do të duhej.
"Nuk po bëhet asgjë dhe përkundrazi veprohet në të kundërtën e promovimit të vlerave të të parëve tanë të cilët kanë shpëtuar hebrenj në kohën kur tërë Evropa kishte një qasje tjetër ndaj një grupi shoqëror", tha Rezniqi.
Studiuesit e marrëdhënieve shqiptaro-hebraike dhe historianet kanë treguar se motivet e mbrojtjes masive të hebrenjve nga shqiptarët janë bërë për disa arsye. Së pari, konsiderohet se ishin zakonet dhe traditat e shqiptarëve, ngase në këtë rast, hebrenjtë kishin rënë në besën e shqiptarëve dhe nikoqirët kanë qenë të detyruar që, sipas traditave, t’i mbrojnë ata.
Në Kosovë ka shoqata të cilat kanë si qëllim të kujtojnë dhe të mos i lënë në harresë veprat e jashtëzakonshme humane të treguara nga shqiptarët e Kosovës dhe jashtë saj gjatë periudhës më të errët të njerëzimit në kohët moderne, apo Holokaustit, duke strehuar dhe mbrojtur hebrenjtë, pa asnjë lloj kompensimi.
Me rastin e Ditës ndërkombëtare të Holokaustit, në Kosovë janë mbajtur aktivitete të ndryshme për të nderuar viktimat e Holokaustit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka thënë se në këtë ditë ndihet krenar për gjithë ata bashkëkombës që në momentet më të rënda gjatë Luftës së Dytë Botërore u kanë ofruar mbështetje dhe strehim hebrenjve.
“Përvjetori i Holokaustit një histori shumë e rëndë. Askush më mirë dhe qartë se edhe vetë populli jonë nuk e përjeton këtë histori pavarësisht se ka ndodhur mbi 72 vite më herët, por në popullin shqiptarë pothuajse dy dekada me herët që i jemi nënshtruar të njëjtit realitet”, ka thënë Veseli.
Holokausti përkujtohet në çdo 27 janar, në ditën kur forcat sovjetike e çliruan kampin Aushvic-Birkenau në vitin 1945.
Vlerësohet se afro 1.5 milionë hebrenj evropianë janë vrarë përgjatë Holokaustit, së bashku me 4.5 milionë hebrenj të tjerë, përfshirë meshkuj dhe gra.
Holokausti mbetet njëra nga tragjeditë më të mëdha të kohës moderne dhe megjithëse njihet botërisht, në vete ngërthen edhe miliona tragjedi personale dhe rrëfime të patreguara. (REL)