Ndërlidhjet

Raporti i TI: Korrupsioni dhe pabarazia po fuqizojnë populizmin


Indeksi i Përceptimit të Korrupsionit për vitin 2016 nga Transparency International
Indeksi i Përceptimit të Korrupsionit për vitin 2016 nga Transparency International

Transparency International ka bërë publik, të mërkurën, Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit për vitin 2016 me thirrjen për, sic thuhet, “luftimin e rrethit vicioz të korrupsionit dhe të pabarazisë”.

Në raportin e TI-së thuhet se 69 për qind e 176 vendeve të përfshira në Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit kanë shënuar më pak se 50 pikë duke e “bërë të njohur se sa masiv dhe i përhapur është korrupsioni në sektorin publik në gjithë botën”.

Në bazë të raportit për vitin 2016, Kosova radhitet e 95-ta në një nivel me Argjentinën, Sri Lankën, El Salvadorin, Maldivet dhe Beninin.

Kosova ka marrë 36 pikë nga 100 të mundshme, duke bërë përparim në krahasim me një vit më parë kur është radhitur në vendin e 103-të me 33 pikë gjithsej.

Shqipëria për vitin e dytë me radhë, ndërkaq, ka shënuar përparim në radhitjen e TI-së, duke zënë vendin e 83-të me 39 pikë duke u zhvendosur nga vendi i 88-të ku radhitej një vit më parë.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ndërkaq rënë për disa pozita në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që Maqëdonia ka shënuar rënien më të madhe nga vendet e tjera.

Serbia është radhitur e 72-ta, Mali i Zi i 64-ti, Bosnja e Hercegovina e 83-ta që në krahasim me një vit më parë ka rënë nga pozita e 76-të.

Maqedonia është radhitur e 90-ta me 37 pikë gjithsej, duke shënuar rënien më të madhe nga të gjtitha vendet e rajonit, meqë një vit më parë qëndronte në vendin e 66-të.

Në raportin e tij Transparency International thekson se korrupsioni sistematk dhe pabarazia sociale “fuqizojnë njëra-tjetrën duke çuar drejt një zhgënjimi të përgjithshëm me institucionet dhe duke siguruar një terren pjellor për ngritjen e politikanëve populistë”.

“Korrupsioni dhe pabarazia ushqejnë njëri tjetrin, krijojnë një rreth vicioz ndërmjet korrupsionit, shpërndarjes së pabarabartë të fuqisë në shoqëri dhe njëkohësisht edhe shpërndarjen e pabaratë të pasurisë në shoqëri”

Në raport bëhet një krahasim ndërmjet Hungarisë dhe Turqisë dy vende që, sic thuhet, kanë parë “ngritjen e liderëve autokratë” por kanë shënuar rënie në indeks të korrupsionit, ndërkohë që Argjentina që, sic thuhet, ka “rrëzuar një qeveri populiste” po shënon hapa përparimtarë.

Në raport thuhet se janë me urgjencë “reformat e thella që pabarazinë në rritje ndërmjet pushtetit dhe pasurisë e ndryshojnë përmes fuqizimit të qytetarëve për të ndalur mosndëshkueshmërinë e përhapur për korrupsionin, i mbajnë llogaridhënës të pushtetshmit dhe marrin pjesë në vendimet që prekin jetën e përditshme të tyre”

Në Indeksin e vitit 2016, Danimarka sërish ka dalë e para së bashku me Zelandën e Re me 90 pikë, të ndjekura nga Finlanda me 89 dhe Suedia me 88.

Performuesit e mirë kanë nivele të larta të lirisë së shtypit, qasje në informacione të buxhetit, nivele të larta të integritetit mes njerëzve në pushtet, gjyqësor që nuk bën dallime midis të pasurve dhe të varfërve dhe të pavarur nga pjesa tjetër e qeverisë.

Në fund të Indeksit për të dhjetin vit me radhë ndodhet Somalia me vetëm dhjetë pikë e ndjekur nga Sudani Jugor me 11 dhe Koreja e Veriut me 13 pikë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG