Ndërlidhjet

Prokuroria Speciale “mollë sherri” për qeverinë e re


Vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale dhe miratimi i disa zgjidhjeve ligjore që garantojnë punën e pa penguar të këtij institucioni, pritet të jenë pikat kryesore të negociatave për formimin e qeverisë së re mes VMRO-së dhe BDI-së, që edhe zyrtarisht kanë nisur të mërkurën me një takim mes liderëve të tyre, Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti, të mbajtur larg syve të opinionit publik.

Dy partitë nuk kanë dhënë asnjë detaj nga ky takim, por jo zyrtarisht mospajtimet janë theksuar për rolin e Prokurorisë Speciale, me ç’rast Gruevski është shprehur edhe njëherë kundër vazhdimit të mandatit të këtij organi, për dallim nga Ahmeti, i cili është angazhuar për punën e pa penguar në hetimin e të gjitha rasteve ku të dyshuar janë zyrtarë të lartë shtetëror.

Pozicioni i VMRO-së, u theksua edhe nga zyrtarë të tjerë të kësaj partie pas vendimit të Prokurorisë Speciale për të ndërprerë hetimet për rastin “Puçi”, ku të dyshuar për aferën e spiunimit dhe përpjekjes si thuhej të marrjes së pushtetit me forcë ishin disa persona përfshirë edhe liderin opozitar, Zoran Zaev.

“Tani më nuk kemi asnjë dilemë se Prokuroria Speciale është degë partiake e Lidhjes Social-Demokrate dhe se nuk ekziston asnjë arsyeje për ekzistencën e saj në sistemin juridik të vendit”, ka deklaruar Trajko Veljanovski, kryetar i deritanishëm i Kuvendit të Maqedonisë

Ndërkohë, përveç çështjes së Prokurorisë Speciale, dy partitë, siç bëhet e ditur, kanë biseduar edhe për aspekte tjera, që nga BDI-ja janë deklaruar si të pa negociueshme, ajo për ngritjen e statusit të gjuhës shqipes dhe integrimin euroatlantik të vendit. Analistët thotë se përveç për Prokurorinë Speciale, VMRO-ja mund të diskutoj për të gjitha çështjet tjera.

“Nuk besoj se do të mundet që VMRO-ja të sjell një vendim që do të nënkuptonte vazhdimin me punë të Prokurorisë Speciale. Ndoshta për gjuhën mund të arrihet marrëveshje, por jo edhe Prokurorinë Speciale e cila nga VMRO-ja është kuptuar si një institucion që shihet si rrezik për të ardhmen e personave kyç të kësaj partie. Prandaj, nëse kemi dy pozicione ekstremisht të kundërta, atëherë logjikisht takimet janë sa për tu legalizuar dhe për të bërë një teatër”, thotë Neziri.

“Një mundësi tjetër është që të dyja partitë të luajnë një lojë të mëhershme me qëllim që të ngritin çështje të reja ndëretnike, që të rrisin mosdurimin ndëretnik që do tu sillte më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme të cilat do të mbaheshin në maj së bashku me zgjedhjet lokale”, thotë Neziri.

Ai nuk e përjashton as edhe mundësinë që në rast të dështimit të Gruevskit për formimin e qeverisë së re, presidenti Gjorgje Ivanov të mos i jap mandatin partisë së dytë, në këtë rast LSDM-së për formimin e qeverisë së re për shkak të paqartësive që krijon në këtë rast Kushtetuta aktuale, e cila qartë nuk saktëson se e drejta e nisjes së bisedimeve për formim të shumicës parlamentare i kalon partisë së dytë. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG